Poeti Agim Gjakova, në një rrëfim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ka treguar se si kosovarët ishin të stigmatizuar dhe të ndjekur në Shqipërinë e regjimit komunist, ku konsideroheshin si rrezik ideologjik.
“Pirro Bita, sekretar i sekretariatit në atë kohë, i mblodhi të gjithë sekretarët e partive të rretheve dhe u tha: ‘Kosovarët janë të molepsur nga ideologjia revizioniste. Sigurimi (shërbimi sekret i Shqipërisë) duhet të dijë ku, me kë po takohen’”, tregon Gjakova, duke theksuar se kjo nuk kishte të bënte me mbrojtjen e Shqipërisë, por me përpjekje për t’i dëshmuar Enver Hoxhës se “po bëhej punë”.
Në dosjen e Sigurimit, të cilën Gjakova e mori më vonë në dorë, përshkruhet ndjekja e tij e përditshme deri në detaje absurde.
“Veç nuk m’i kanë përshkru edhe çka kam pa andërr, me ia qëllu”, ironizon ai.
Ndër të tjera, Gjakova ka qenë autor i një letre drejtuar ministrit të Brendshëm të kohës, Kadri Hazbiut, ku shprehej hapur: “Shqipëria e la Kosovën në vitin 1944 në duart e shkaut, serbëve... Kosovarët nuk trajtohen mirë në Shqipëri”.
Megjithëse shumë prej shokëve të tij u arrestuan, u dënuan me burgime të rënda apo edhe me pushkatim, Gjakova shpëtoi. Ai thotë se këtë ia detyrohet ndërgjegjes së bashkëkombësve të tij
Edhe
Kosovari në shtetin e Enver Hoxhës
“Nuk më ka shpëtu Perëndia, më kanë shpëtuar vëllezërit tanë nga Kosova – profesorë, gazetarë, akademikë – që më kanë njohur dhe nuk kanë besuar kurrë se kam ardhë me e prishë Shqipërinë”, rrëfen Gjakova.
Sipas poetit, loja e Sigurimit ishte që kosovarët të mos lejoheshin në jetën publike në Shqipëri.