Poeti Agim Gjakova, në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, ka rrëfyer me detaje përplasjen e hapur me Partinë e Punës në Shqipëri, gjatë viteve të regjimit komunist.
I ardhur nga Kosova dhe i ndjekur nga regjimi jugosllav për kërkesat e tij për të drejtat e qytetarëve të Kosovës, Gjakova tregon se në Shqipëri u përball me një sistem tjetër shtypës – këtë herë për “mungesë disipline me mësimet e Partisë” dhe për moskonformitet me ideologjinë zyrtare.
Gjakova tregoi për një takim me sekretarin e Partisë së Punës, i cili pas një debati akuzoi kosovarët si “mikroborgjez”.
“Uuu, shoku sekretar, në radhë të parë nuk guxoni ta fyeni një popull të tanë... Po me ju nuk u bisedoka”, kishte thënë Gjakova, që më pas thotë se ia përplasi derën e zyrës.
Ai kujton se kjo përplasje e parë mund të kishte përfunduar me burgosje apo internim, por u shpëtua falë ndershmërisë së një oficeri të Sigurimit (shërbimi sekret i Shqipërisë.
“Përndryshe, s’e kishe pa ma diellin me sy”, i ishte thënë, siç rrëfen Gjakova.
Pas këtij momenti, për Gjakovën nisi një periudhë gjysmë izolimi dhe injorimi institucional në Shqipërinë e asaj kohe. Iu hap dosja 1128-faqëshe nga Sigurimi.
