Arbëri

Gërvalla për ndalimin e ish-pjesëtarit të NJSO-s: Jemi angazhuar për lirimin e tij

Donika Gervalla

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, ka reaguar pas ndalimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare Horgosh.

Gërvalla bëri të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës, janë angazhuar menjëherë për të sqaruar situatën dhe për të siguruar lirimin e menjëhershëm të tij.

Ajo ka shprehur shqetësimin për shtimin e rasteve të ndalimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, duke bërë thirrje për kujdes të veçantë, sidomos për ish-pjesëtarët e institucioneve të sigurisë.

“Si zakonisht Ministria e Punëve të Jashtme, respektivisht përfaqësuesi i Republikës së Kosovës në Beograd, është interesuar menjëherë pranë organeve serbe për të konstatuar a janë të vërteta lajmet. Kemi informuar edhe në Kosovë dhe Beograd misionet e huaja diplomatike, kemi kërkuar ndihmën e tyre, qartësi, dhe shpresojmë që çështja mundësisht sot të sqarohet, pra ai mos të mbahet fare për 48 orë. Por, më lejoni të bëj thirrje për një kujdes të veçantë për të gjithë ata që tani që po afrohet vera kalojnë nga Serbia, për shkak se rastet e ndalesave arbitrare dhe të paarsyeshme janë shtuar gjatë muajve dhe vitit të fundit dhe nevojitet një kujdes i posaçëm, sidomos përfaqësuesit ose ish përfaqësuesit e organeve tona të sigurisë duhet të tregojnë një kujdes të veçantë kur kalojnë nëpër Serbi”, ka theksuar Gërvalla.