Pak ditë pasi e liroi ish-policin Arbnor Spahiu, Serbia ka arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj. Në Organizatën e Veteranëve të Luftës thanë se atij iu gjet kartela e veteranit. E, presidentja Vjosa Osmani ka apeluar që kosovarët të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë
Serbia ka arrestuar të martën ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Avni Qenaj. Arrestimi është bërë me pretekstin se ka qenë pjesë e një organizate që, sipas autoriteteve në Beograd, ishte terroriste.
Sipas Ministrisë serbe për Punë të Brendshme, Qenaj në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në Komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në Koshare në vitin 1999.
52-vjeçarit nga Kosova i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe Ministria serbe ka bërë të ditur se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.
Syla në një lidhje direkte në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se Qenaj është nga fshati Romajë, ndërsa sipas informatave atij i ishte gjetur edhe një kartelë e veteranit të UÇK-së.
Ai ka thënë se Serbia vazhdon gjahun ndaj veteranëve të UÇK-së.
“Sipas informatave që kemi, edhe gjatë bastisjes atij i është gjetur kartela e veteranit, që e rëndon edhe më shumë akuzën e Serbisë, ndonëse akuzat janë të pabaza. Ai kishte kaluar disa herë kufirin me Serbi, pasi kishte një biznes në Bosnjë, sipas informatave që kemi. Asnjëherë nuk kishte telashe. Por është një gjah i Serbisë karshi luftëtarëve të UÇK-së dhe çlirimtarëve tjerë, që asnjëherë nuk e ndal”, ka thënë Syla.
Ai ka theksuar se informatat i kanë marrë si nga bashkëluftëtarët ashtu edhe nga dega e OVL-UÇK në Prizren. Ata kanë pasur kontakt me familjarët e Qenajt.
Syla ka thënë se shpreson në ndërhyrje të bashkësisë ndërkombëtare, pasi nuk ka shpresa tek institucionet e Kosovës.
“Institucionet tona e dimë rolin e tyre, e dimë qasjen e tyre. E dimë se kjo ministre e Jashtme në detyrë çfarë qasjeje ka karshi bashkëluftëtarëve tanë. Nuk presim diçka nga institucionet tona. Shpresojmë bashkësia ndërkombëtare ta bëjë punën e vet”, ka thënë ai.
Syla ka shprehur pakënaqësinë që thirrjet për të mos kaluar nëpërmjet pikave kufitare me Serbinë nuk po dëgjohen.
“Kemi bërë qindra herë thirrje të mos kalohet jo vetëm nëpërmjet Serbisë, por edhe në pikat tjera si me Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi... S’duhet bërë veprime me provu. Nuk po e kuptoj fare. Në rrethana normale një luftëtar i UÇK-së nuk duhet në asnjë rrethanë me marrë rrugë nga Serbia, qoftë edhe për raste të ndonjë sëmundje të ndonjë familjari e lëre më për gjëra të tjera. Jemi të zhgënjyer shumë që s’po dëgjojnë bashkëluftëtarët tanë”, ka thënë Syla.
Edhe presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, sidomos atyre që planifikojnë të udhëtojnë për festat e fundvitit, që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë.
Në një njoftim në Facebook të martën, Osmani theksoi se dje e kishte pritur në takim ish-policin Arbnor Spahiu, i cili u lirua nga burgu në Serbi javën e kaluar. Dhe nga aty bëri apel që të shmanget kalimi nëpër Serbi.
Sipas Osmanit, institucionet dhe strukturat në Serbi vazhdojnë të jenë të njëjta në mendësi me regjimin e kaluar serb, duke paraqitur rrezik për qytetarët kosovarë.
Spahiu ishte arrestuar në qershor të këtij viti nga Serbia nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë të Zveçanit.