Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJD-ja për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së: Bashkësia ndërkombëtare ta rrisë presionin ndaj Serbisë

MPJD

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informatave për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë marrë hapat për konfirmimin e informatë e më pas janë kontaktuar shtetet e QUINT-it. 

MPJD-ja ka njoftuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka njoftuar Delegacionin e BE-së në Serbi e po ashtu u ka dërguar notë verbale misioneve diplomatike të QUINT-it të akredituara në Serbi.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra. Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës. Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”, ka njoftuar MPJD-ja nëpërmjet një postimi në Facebook.  

MPJD ka thënë se është e angazhuar për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit. E i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë. 

“Edhe njëherë, MPJD i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka thënë MPJD. 

Ish-ushtari i UÇK-së, Avni Qenaj, është arrestuar në Serbi të martën. 

Edhe Serbia arreston ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj LAJMET E MBRËMJES Serbia arreston ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj

Sipas Ministrisë serbe për Punë të Brendshme ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka thënë se për të arrestuarin e sotëm në Serbi bëhet fjalë për ish-luftëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj.

Syla në një lidhje direkte në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se Qenaj është nga fshati Romajë, ndërsa sipas informatave atij i ishte gjetur edhe një kartelë e veteranit të UÇK-së.