Një muaj paraburgim i është caktuar ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj, që u arrestua javën e shkuar në Serbi. Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se gjatë arrestit i është ushtruar presion psikologjik, por që nuk është keqtrajtuar fizikisht.
Ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, i është bërë presion psikologjik nga autoritetet e Serbisë, kanë bërë të ditur në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Qenajt i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh javën e shkuar, ndërsa të enjten Ministria e Jashtme njoftoi se ai fillimisht është mbajtur për 48 orë në Prokuplje e më pas është transferuar në qendrën e paraburgimit në Beograd.
“Z. Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit. Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim”, thuhet në njoftim.
Qenaj është arrestuar më 26 nëntor në pikëkalimin kufitar në Merdar, gjatë transitit drejt Bosnjë-Hercegovinës. Përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës bënë të ditur se atij i është gjetur kartela e veteranit.
Autoritetet serbe pretendojnë se Qenaj, si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani”, ka marrë pjesë në sulmin ndaj postbllokut kufitar serb në Koshare në vitin 1999. Sipas versionit të Serbisë, në betejën në Koshare u vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave.
E, Ministria e Jashtme e akuzoi Serbinë për përndjekje politike të qytetarëve të Kosovës.
Edhe
MPJD: Pati presion psikologjik ndaj veteranit të UÇK-së të arrestuar në Serbi
“Ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e z. Qenaj dhe për të kundërshtuar këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik”, thuhet në njoftim.
Këtë vit, në Serbi janë arrestuar disa kosovarë, të cilët i ka akuzuar qoftë për krime lufte, qoftë për veprime si pjesëtarë të institucioneve të sigurisë së Kosovës.
-
Gjykata në Beograd ia cakton 30 ditë paraburgim ish-pjesëtarit të UÇK-së, Avni Qenaj
-
MPJD-ja për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së: Bashkësia ndërkombëtare ta rrisë presionin ndaj Serbisë
-
Lirohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Avni Qenaj, i cili u arrestua nga Serbia në nëntor
-
Serbia arreston ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj