Avokati Arianit Koci ka njoftuar se një ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se edhe pse i njëjti ka tre vjet që nuk është pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani, ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.
“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, një ish-polic tjetër – Aleksandar Vlajiq – e ka pranuar fajësinë se ka punuar për shërbimin sekret serb (BIA) dhe është dënuar për spiunazh. Me këtë është vërtetuar se BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë”, ka shkruar Koci në Facebook.
Koci ka thënë se ndalimi i Arbnor Spahiut po duket si reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi, derisa këtë e ka quajtur përpjekje për të frikësuar, për të ndëshkuar dhe për të krijuar pasiguri – sidomos për ata që dikur kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës.
“Ky është një sinjal i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe. E dini që pak ditë më parë, është ndaluar edhe një ish-deputet. Pas disa orë marrjesh në pyetje, është liruar. Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton”, ka thënë ai.
Koci ka kërkuar reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse.
Pasi sipas tij heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera.
“Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë. Nuk e lë vetëm askënd - me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin profesional që e kam. Kultura shtetërore, patriotizmi fillon pikërisht aty – te mbrojtja e njerëzve/shtetasve të vet. Të gjithë për një, një për të gjithë - duhet të jetë motoja e jonë, pa paragjykuar asgjë”, ka thënë ai.
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se edhe një shqiptare e Luginës është ndaluar nga policia kufitare serbe për t’u marrë në pyetje.
“Linda Fetahu-Krivanjeva bija krenare e vendit tonë, infermierja e cila shëroi plagët e ushtarëve të lirisë, ajo që nuk e ndaloi zërin asnjëherë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, dje përderisa me familjen e saj po vinte nga Kosova në Luginë u ndalua nga policia kufitare serbe për t'u marrë në pyetje. Tri orë zgjati ndalesa-intervista nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Pa asnjë dëshmi-vepër. Intervistë për ta dekujaruar, për ta frikësuar. Madje është paralajmëruar se ndalesat do të vazhdojnë”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se protestat duhet t’i vazhdojnë, pasi sipas tij, ky është zullum.
MPJD-ja kërkon sqarime nga Serbia për ndalimin e ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka njoftuar se ish-pjesëtari i Njësisë Speciale, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe derisa po udhëtonte me autobus me familjen e tij, kur po kthehej nga Austria në Kosovë.
Zëdhënësja për media e kësaj ministrie, Qëndresa Fazliu, ka deklaruar për KOHËN se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar kërkesë zyrtare te Beogradi zyrtar, duke kërkuar informacione mbi bazën ligjore të ndalimit.
“Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, ka njoftuar ajo.
Fazliu ka shtuar se për këtë rast është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Beograd.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë autoriteteve serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, me qëllim të konfirmimit të ndalimit, ofrimit të sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimit mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu. Gjithashtu, lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Beograd. Z. Spahiu është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, rreth 60 km nga Kikinda, në Vojvodinë, dhe Zyra Ndërlidhëse në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e z. Spahiu, përkatësisht me bashkëshorten e tij”, ka thënë ajo.
Spahiu pritet që të hënën në orën 09:00 të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, në Gjykatën Komunale të Kikindës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet përmes kanaleve diplomatike përkatëse dhe do të mbajë të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo informacion të ri të konfirmuar zyrtarisht”, thuhet tutje.
Për ndalimit e ish-zyrtarit policor ka njoftuar gjatë së dielës avokati Arianit Koci, që tha se Spahiu është ndaluar një ditë më parë dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.
Ai është marrë në pyetje për rastin “Banjska”.
I pyetur nga KOHA, avokati Koci ka deklaruar se të dielën ka qenë në Serbi dhe i ka mbledhur informacionet mbi rastin, duke shtuar se baza e dyshimit ndaj Spahiut është e paqëndrueshme.
"Pretendimet në kërkesën për ndalim nuk qëndrojnë dhe pres që të hidhen poshtë. Në këtë fazë, mbështetja institucionale është e domosdoshme - veçanërisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse", ka deklaruar Koci.
Avokati shtoi se prokurori të hënën do ta marrë në pyetje ish-zyrtarin policor, e më pas do të vendosë nëse do të kërkojë t'i caktohet masë e paraburgimit.