Arbëri

Gërvalla: PDK-ja në opozitë, me LDK-në partneritet, me Nismën s’kemi pazare

Donika Gervalla

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se përjashtojnë mundësinë për koalicion qeverisës me PDK-në, por tha se me LDK-në mund të bëjnë një partneritet. 

Ajo ka thënë në “Interaktiv” se PDK-ja duhet të qëndrojë në opozitë edhe për katër vjet “pasi intensiteti i keqpërdorimit të mekanizmave ka qenë ekstrem”. 

“Vizioni ynë që të kemi maksimum për realizim të reformave s’ka qenë i dëshiruar nga qytetari, prandaj duhesh të gjesh partner. Nëse PDK-në e përjashtojmë nga partneriteti, dhe unë jam e bindur që duhet të përjashtohet...Prapë se prapë, PDK-ja s’duhet të vijë në pushtet edhe për katër vjet. Ata duhet të qëndrojnë edhe katër vjet pasi intensiteti i keqpërdorimit të mekanizmave ka qenë ekstrem”, ka thënë ajo. 

Gërvalla shtoi se vullneti i sovranit është që VV-ja të bëjë një partneritet. 

“Nuk është martesë dashurie me LDK-në”, ka shtuar ajo. 

E tek ka komentuar diskutimet me Nismën Socialdemokrate, Gërvalla ka thënë se s’po bëhen pazare, tek shtoi se kjo parti nuk mund ta kërkojë postin e kryeparlamentarit me tre deputetë.

“Me z.Limaj kemi diskutuar për një qasje parimore dhe një bashkëpunim parimor edhe me z.Limaj, që do të thotë se s’kemi diskutuar asnjëherë për pazare, por për bashkëpunim parimor të bazuar në parime që s’i shkelim as me LDK-në...Një parti me 3 deputetë s’mund të kërkojë kryetar Kuvendi. Kjo është qasje parimore. Kryetari i Kuvendit më mirë sesa në duart e gruas më të votuar të vendit nuk ka”, ka thënë Gërvalla.
 


Gërvalla: I kemi votat për Qeveri

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka vullnet për të dalë nga kriza institucionale, por sipas saj, deputetët që fare s’po marrin pjesë në votim po e bllokojnë procesin.

Ajo ka deklaruar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se Vetëvendosje i ka numrat për themelim të Qeverisë, por shtoi se opozita s’po lejon të ecet tutje nëpërmjet konstituimit të Kuvendit.

“Unë jam pjesë e bisedave dhe mendoj se numrat për qeveri i kemi. Pse e bllokojnë procesin këtu dhe s’na lejojnë të shkojmë tutje”, ka thënë ajo.

Gërvalla tha se kërkojnë votim të fshehtë pasi tha se është instrument demokratik dhe pjesë e procedurave.

“Votimi i fshehtë është pjesë e procedurave dhe pjesë e rregullores së Kuvendit. Votimi i fshehtë është pjesë e tentativës për zhbllokim...Pse opozita ka frikë nga deputetët e vetë, pse ka frikë se do të ketë të padëgjueshëm. Vota e fshehtë është instrumenti më demokratik. S’mund të jetë bllokues ai që ngreh dorën dhe thotë ‘po’. Bllokues është ai që s’voton fare”, ka deklaruar Gërvalla.


Gërvalla: Çështja e masave shkon përtej Kosovës, është betejë e brendshme brenda BE-së

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian janë pro heqjes së masave ndaj Kosovës, por ajo tha se ky diskutim tashmë po bëhet brenda BE-së dhe “ende ka zëra që janë hezitues”.

Gërvalla ka deklaruar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se ekziston vullneti për heqje të masave, por “kur kemi influenca të tjera brenda BE-së ato s’mund të avullohen siç kanë ardhur”.

“Duhet të shohim që çështja e masave shkon përtej Kosovës, është betejë e brendshme e ndikimeve brenda Bashkimit Evropian. Ka disa propozime për heqje graduale të masave por propozimet ka një vit e gjysmë që diskutohen...Hezitoj të flas për gjëra që ende s’kanë kaluar sprovën e zbatimit të tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja në detyrë ka potencuar se masat janë të pakuptimta dhe të padrejta, duke shtuar se “duhet të gjendet një rrugë për zgjidhje”.

“Si mund të kontribuojë Kosova nëse vendet e fuqishme të BE-së s’po arrijnë. Kjo është tema që diskutohet brenda shteteve anëtare të BE-së. Masat janë kthyer në temë brenda BE-së...”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka shtuar se Kosova ka kryer punën e saj duke përmendur shtensionimin e situatës në veri. Sipas saj, situata në veri kurrë s’ka qenë më e qetë.

Gjatë ditës, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, në Prishtinë njoftoi për nisjen e heqjes graduale të masave. Ajo tha se kusht është shtensionimi në veri.


Edhe Gërvalla distancohet nga deklarata e zv.ministrit Vokrri për ndërkombëtarët

Pas ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është distancuar nga deklarata e zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i cili e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për nxitje të trazirave në veri të vendit. 

E ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, Gërvalla ka thënë se Vokrri e ka gabim, pasi ajo që i frynë trazirave është politika e Beogradit. 

“E di për cilën deklaratë e keni fjalën, ai është një zv.ministër , s'e kam lexuar deklarimin e plotë, por titullin, Vokrri e ka gabim pasi ka një adresë të qartë se kush i fryn trazirave. Ajo s'është as politika e sundimit të ligjit, por politika e Beogradit.. nuk pajtohem me z.Vokrri që Orav mund t'i ketë fryrë trazirave, e dimë saktë kush i fryn trazirave”, ka thënë ajo.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Vokrri ka thënë se një ndër diplomatët ndërkombëtarë është edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav. 

“Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them patjetër të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira... Janë diplomatë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, e kam përmendur edhe z.Orav, shefi i misionit të BE-së në Kosovë, si njëri nga nxitësit e një prej trazirave. Ka qenë pas atij incidenti, ku u grumbulluan një pjesë e aktivistëve politikë të veriut që njihe për sponsorizim nga shteti serb dhe e bënë një tollovi aty, pasi që përfundoi e tëra, e pashe në rrjete sociale se të njëjtit pak orë para se ta bënin këtë tollovi kanë qenë në takim me të, kjo është vetëm një prej shembujve”, ka thënë ai.