Arbëri

Fushtica: Kemi realizuar 50 intervenime brenda 24 orëve si pasojë e reshjeve

Reshjet e mëdha të shiut sollën vërshime në disa pjesë të vendit. Në gjendjen më të rëndë është vlerësuar të jetë lagjja Hajvalia.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka deklaruar se 50 intervenime janë realizuar brenda 24 orëve si pasojë e reshjeve. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai theksoi se probleme të mëdha janë shfaqur konkretisht në shkollën “Afrim Gashi” dhe “Shkëndija” në Hajvali.

“Kemi qenë në terren deri pas mesnatës kur e kemi pasur intervenimin e fundit. Kemi pasur 50 intervenime brenda 24 orëve në të gjithë territorin e kryeqytetit. Kryeqyteti dhe Brigada Profesionale e Zjarrëfikësve e mbulon edhe Fushë-Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën sepse ata nuk kanë kapacitete. Probleme të theksuara kanë qenë në Hajvali. Kemi intervenuar në shkollën ‘Shkëndija” dhe Afrim Gashi’ dhe në shtëpitë ku ka pasur nevojë. Kemi intervenuar edhe në shkollën ‘Gjergj Fishta’, ‘Hasan Prishtina’ dhe kemi intervenuar në kolektorin në Emshir, në Taukbashqe, në Kalabri, në Kodrën e Trimave e gjithandej. Fatmirësisht nuk ka pasur dëme të mëdha, lëndime a humbje jete njerëzish”, deklaroi Fushtica.

Drejtori Fushtica tha se intervenimet ua vështirësoi edhe hudhja e madhe e mbeturinave nga qytetarët të cilat, sipas tij, bllokuan kolektorët.

“Mbrëmë në kolektorin në lagjen Kalabria dhe në lagjen Taukbashqe kemi vërejtur jashtëzakonisht shumë mbeturina. Mbrëmë në kolektorë kemi hequr moblilje, kemi larguar dyshekë e mbetje interte të cilat e kanë bllokuar rrjedhjen e ujit të kolektorëve dhe është dashur të intervenohet deri në orët e vona që të largohen ato që i ka sjellur uji nga pjesë të tjera të qytetit”, deklaroi drejtori Fushtica.

Në fund të muajit pritet sërish përkeqësim i motit por Fushtica thotë se përgatitjet për menaxhimin e situatës fillojnë qysh tani.

Reshjet me intensitet të lartë të shiut gjatë së martës shkaktuan vërshime gjithandej Kosovës. Ato përfshinë edhe Prishtinën. Por, në lagjen “Kodra e Trimave” u përmbytën edhe shtëpi, derisa banorët u ankuan se autoritetet nuk ndërmorën masa.

Paralajmërimi për vërshime ndikoi edhe në pezullimin e procesit të mësimit në Prishtinë. Vendimi për këtë erdhi pas rekomandimit Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, për çka Fushtica edhe gjatë intervistës tha se një ditë e humbur e mësimit kompensohet por jo edhe mirëqenia e nxënësve.