Paralajmërimi për vërshime ka ndikuar në pezullimin e procesit mësimor nëpër shkolla të Prishtinës. Derisa nxënës të ndërresës së paradites mbajtën mësim me orë të shkurtuara, për ata të pasdites e marta qe ditë pushimi. Vendimi për këtë, sipas Drejtorisë së Arsimit, u mor bazuar në rekomandimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca. Ministria e Arsimit ka kërkuar kompensim të orëve
Pak minuta pasi nxënës të ndërresës së paradites e nisën orën e parë mësimore të martën, ata u njoftuan se shkaku i kushteve atmosferike dhe paralajmërimit për vërshime mësimi është pezulluar.
Procesi mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit është pezulluar për nxënësit e ciklit të ulët, ndërsa ata të ciklit të lartë i mbajtën vetëm dy orët e para.
Drejtoresha e shkollës “Meto Bajraktari”, Kreshnike Ademi, ka thënë se në këtë institucion arsimor nuk ka pasur ndonjëherë vërshime, porse nxënësit janë liruar bazuar në vendimin e Drejtorisë së Arsimit.
“Shkolla “Meto Bajraktari” ka një pozitë të mire dhe në vitet paraprake nuk kemi pasur ndonjë vërshim ose vështirësi gjatë reshjeve të shiut përderisa e ka vlerësuar drejtoria e arsimit dhe drejtoria e emergjencave, ne e kemi respektuar vendimin tyre dhe kemi bërë shkurtimin e orarit për ciklin e lartë dhe pezullimin e mësimit për ciklin e ulët”, ka thënë drejtoresha Ademi.
Në Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë kanë deklaruar se vendimi për pezullimin e mësimit është marrë për shkaqe sigurie.
Drejtori Samir Shahini ka thënë se paralajmërimet për mundësinë e vërshimeve në kryeqytet dhe në vendet tjera të Kosovës kanë bërë që Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, së bashku me Drejtorinë e Arsimit, të vendosin që të martën procesi mësimor të mos zhvillohej.
“Duke qenë që në mëngjes stuhia veç sa nisi me u përkeqësu në atë masë sa ka qenë në të vërtet e rrezikshme edhe për ecjen në rrugë, edhe për mbajtjen e procesit mësimor, për problemet që mund të kemi edhe me energji elektrike, është marrë rekomandim nga drejtoria për siguri dhe emergjenca që të ndërpritet procesi mësimor”, ka thënë Shahini.
E gjatë orëve të pasdites të së martës, Shahini ka njoftuar se të mërkurën procesi mësimor do të zhvillohet normalisht në të gjitha institucionet edukativo-arsimore të kryeqytetit.
“Bazuar në vlerësimin e shtabit emergjent, informacionet e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe koordinimin me drejtoritë përkatëse të kryeqytetit, është konstatuar se situata është e qëndrueshme për zhvillim të rregullt të mësimit. Intensiteti i reshjeve gjatë natës pritet të bie dukshëm sipas vlerësimeve të fundit të IHMK-së, ndërsa ekipet emergjente janë në terren dhe po sigurohen që infrastruktura shkollore të jetë plotësisht e gatshme” ka thënë ai.
E të mërkurën reshjet e shiut por me intensitet më të ulët pritet të vazhdojnë deri në mesditë. Hidrologu në Institutin Hidrometeorologjik, Bashkim Kastrati, ka thënë se ndonëse Prishtina nuk njihet për vërshime të mëdha, rreziku për përmbytje ekziston në rastet kur reshjet me intensitet të lartë zgjasin për kohë më të gjatë.
“Nëse mesatarisht brenda tri orëve, në çdo vend të Kosovës, por sidomos nëpër zonat urbane, bie sasia e reshjeve mbi 40 mm, atëherë është e pashmangshme d.m.th. në pjesë të caktuara të atij vendbanimi apo atij lokacioni, në këtë rast të Prishtinës, mund të ketë vërshime urbane”, ka thënë Kastrati
Pos në Prishtinë, reshjet e dendura të shiut shkaktuan vërshime në shumë zona të Kosovës porse, sipas Ministrisë së Arsimit, mësimi në këto pjesë është zhvilluar normalisht.
“Nga informatat e mbledhura nga sektorët rajonalë të Inspektoratit të Arsimit, rezulton se në të gjitha shkollat në Kosovë mësimi është zhvilluar normalisht, edhe në shkollat që punojnë me dy ndërresa, me përjashtim të shkollave në Komunën e Prishtinës. Inspektorati i Arsimit, bazuar në kompetencat e tij ligjore, do të monitorojë dhe do të sigurohet që të gjitha orët e humbura të procesit mësimor të ditës së sotme të zëvendësohen, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Në Institutin Hidrometeorologjik kanë paralajmëruar nga e hëna për rrezik të vërshimeve në disa lokalitete në Kosovë gjatë së martës e së mërkurës, si pasojë e reshjeve që nisën në orët e vona të së hënës.