Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka njoftuar se nga ora 16:00 do të ketë reduktime të ujit në Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Drenas, për shkak të intervenimeve inxhinierike në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Prishtina” ka njoftuar të hënën se reduktimet do të zgjasin deri në orën 20:00.
“Për shkak të intervenimeve inxhinierike mbrëmë në kanalin e Ibër Lepencit për të parandaluar rrjedhjet e ujit, nga pamundësia që të marrim sasi të mjaftueshme të ujit nga kanali jemi të detyruar të aplikojmë reduktime të ujit në Fushë Kosovë, Obiliq dhe Drenas nga ora 16:00-20:00”, thuhet në komunikatë.
Të hënën, ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, ka njoftuar se është dashur të bëhet një zgjidhje e re inxhinierike me qëllim për të ruajtur sigurinë e kanalit.
“Për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit që është dëmtuar nga sulmi terrorist, për të ruajtur sigurinë e kanalit, ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje e re inxhinierike. Për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë në mesnatë. Si rrjedhojë, komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme. Intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës. Sikurse edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, për të zgjeruar pastaj furnizimin për KRU-të sa më herët që është e mundshme”, ka thënë Rizvanolli.