Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fushatë me 100 eurot e parazgjedhjeve

Mbledhja e Qeverise

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Qeveria ka vendosur që pensionistëve, fëmijëve, studentëve e të punësuarve në sektorin jopublik t’u ndahen nga 100 euro. Eksponentë të partisë në pushtet akuzuan opozitën se muajin e shkuar bllokoi pakon e plotë të ndihmës për përballje me inflacionin, ndërsa opozita e interpretoi vendimin si mjet për blerje vote

Qeveria në detyrë ka miratuar pakon për përballje me inflacionin, vendim që ka nxitur reagime shkaku që në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, pensionistëve, fëmijëve, studentëve e të punësuarve në sektorin jopublik do t’u ndahen nga 100 euro. Eksponentë të partisë në pushtet akuzuan opozitën se bllokoi pakon e plotë muajin e shkuar, ndërsa opozita e interpretoi vendimin si mjet për blerje vote.

Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0, e miratuar nga kabineti qeveritar, përmban katër masa: Mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale; Mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët, që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë; Për të gjithë të punësuarit, të deklaruar në muajin prill, me të ardhura mujore më pak se 1000 euro, që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, ku përfshihen sektori privat, shoqëria civile, por edhe ndërmarrjet publike dhe organizatat e tjera, si dhe; Për të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt në vitin akademik 2025/2026 në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në mbledhjen e qeverisë, para se vendimi të miratohen, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Qeveria që e drejton, nga ditët e para pas zgjedhjeve të dhjetorit, është zotuar se nga pesë vendimet e para do të jetë miratimi i Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh, “me qëllim të mbështetjes së familjeve për të përballuar më lehtë barrën e rënduar të çmimeve të larta, që na vijnë si pasojë e krizave dhe tronditjeve globale”.

“Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 parashihte mbështetjen e pensionistëve, fëmijëve, studentëve dhe punëtorëve në sektorin privat. Ky ishte një premtim i bërë qartë para qytetarëve dhe një zotim që ne e kemi marrë me përgjegjësi të plotë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë. “Prandaj, për ta jetësuar këtë zotim, në muajin e kaluar e proceduam në Kuvend të Republikës për miratim dhe rishikimin buxhetit, i cili do të siguronte fondet që do të mundësonin zbatimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0”.

Ai ka theksuar se kur rishikimi i buxhetit u paraqit në Kuvend për votim me procedurë të përshpejtuar, për çfarë nevojiteshin dy të tretat e deputetëve të pranishëm, blloku opozitar “e bëri të vetmen gjë që din ta bëjë tash e sa kohë, pra bllokimin”. 

“Edhe pse në debat parlamentar pak ditë më parë blloku opozitar kishin kërkuar që qeveria t’u dilte në mbështetje qytetarëve, kur erdhi momenti për të votuar, vendosën të pengonin pakon, e cila do të ndihmonte secilën familje. Përderisa kostoja e jetesës po vazhdon të rritet si pasojë e krizave globale, blloku opozitar tash krenohen me faktin që pamundësuan qeverinë ta miratonte një pako mbështetëse, duke mos pasur konsideratën më të vogël për vështirësitë me të cilat qytetarët përballen çdo ditë”, ka thënë Kurti. “Të gjendur përballë kësaj situate, qeveria jonë nuk mund të qëndrojë duarkryq. Unë kam kërkuar nga ministri i Financave që të shfrytëzojë çdo mundësi buxhetore për të dizajnuar një pako për Përballje me Inflacionin, ashtu siç jemi zotuar”.

Ai ka bërë të ditur se për pensionistët dhe fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, meqë Qeveria i ka listat e përfituesve. Sipas tij, ekzekutivi do të synojë që pagesat e njëhershme për familjet përfituese të bëhen në fillim të javës që vjen, para festës së Bajramit, me arsyetimin se “secila familje të ndihet e barabartë në atë ditë feste, duke e ditur se dora e mirë e shtetit kujdeset edhe për ta”.

E, për të punësuarit e sektorit jopublik dhe për studentët, Kurti ka thënë se është njoftuar nga ministri i Financave që nevojitet procedurë aplikimi, për të cilën tha se do të hapet në javën e ardhshme.

“Jemi të vetëdijshëm se, në mungesë të buxhetit të rishikuar, i cili u bllokua nga blloku opozitar, kjo pako, të dashur qytetarë, nuk i adreson të gjitha problemet dhe nevojat, por sadopak lehtëson barrën për secilën familje në vendin tonë. Sepse, për dallim nga blloku opozitar, qeveria jonë është qeveri që kujdeset që dora e shtetit të prekë secilin. Jemi qeveria e vetme, e cila ka dëshmuar se mendon për hallet e secilës familje në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Vendimi i Qeverisë është përcjellë me kritika të opozitës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pakoja e miratuar nga Qeveria në detyrë është blerje vote në prag të zgjedhjeve. 

Ai ka thënë se Vetëvendosje po përdor çdo mjet për të qëndruar në pushtet. 

“Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit!” ka shkruar Abdixhiku në Facebook. 

Ai ka theksuar se qytetarëve u duhet mirëqenia jo “si favor elektoral”, por që të ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore.

E, Demokracia në Veprim (DnV), koalicion i organizatave joqeveritare që monitorojnë proceset zgjedhore, ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë në detyrë i marrë vetëm pak kohë para zgjedhjeve, përbën shkelje ligjore dhe paraqet rast klasik të keqpërdorimit të resurseve publike në periudhë zgjedhore. 

Sipas këtij koalicioni të organizatave, legjislacioni ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që ndikojnë ose mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve. 

“Ky parim vlen për secilën formë, përfshirë përdorimin e buxhetit të shtetit, por edhe përdorimin e automjeteve, zyrave dhe administratës publike gjatë fushatës – për të krijuar përfitime elektorale”, thuhet në reagim. “Shpërndarja e pakove masive financiare krijon ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës ndërmjet subjekteve politike, duke krijuar avantazh të padrejtë për partinë në pushtet”.

DnV-ja ka rikujtuar që Kuvendi nuk e ka miratuar iniciativën për plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin, në kuadër të së cilit ishin paraparë mjete shtesë për një pako të tillë financiare. Prandaj, ka vlerësuar se ky vendim paraqet edhe tejkalim të dispozitave të Ligjit për Qeverinë, i cili kufizon mandatin e një qeverie në detyrë në marrjen e vendimeve me implikime financiare, kur ato nuk burojnë nga planifikimi i rregullt vjetor dhe nga buxheti aktual.

“Kjo situatë bëhet edhe më problematike nga fakti që ndihma financiare shpërndahet në mënyrë të përgjithshme dhe pa ndonjë situatë emergjente të re që do të arsyetonte masa të tilla urgjente. Kjo e bën të vështirë ndarjen ndërmjet politikës sociale dhe ndërhyrjes elektorale, pasi që mbështetja për qytetarët duhet të ndërtohet përmes politikave të qëndrueshme, të planifikuara dhe të trajtuara përmes procedurave të rregullta institucionale, e jo përmes vendimeve të improvizuara në prag të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e DnV-së.

Ky koalicion organizatash u ka bërë thirrje institucioneve që të përmbahen nga përdorimi i resurseve publike në funksion të fushatës dhe të respektojnë standardet ligjore dhe demokratike që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Reagime ka pasur edhe në sektorin privat. Përfaqësues sindikalë kanë shprehur indinjatën se për nëpunës të këtij sektori janë ndarë vetëm 100 euro, ndërsa për nëpunësit e sektorit publik qeveria në fund të marsit e ka ndarë rrogën e 13. 

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se punëtorët e sektorit privat janë diskriminuar në raport me ata të sektorit publik, duke theksuar se dallimi në mbështetje financiare është i madh dhe i padrejtë.

“Realisht ne mendojmë që sa herë që merr veprime Qeveria e Kosovës, që të stimulojë punëtorët, edhe publik, edhe privat, krijon një ndasi aq të madhe saqë është diçka e paparashikueshme”, ka thënë Azemi në një konferencë për media.

Ai ka theksuar se derisa punëtorët e sektorit publik kanë përfituar paga të 13-ta në vlerë prej rreth 65 milionë eurosh, sektori privat sipas tij, do të përfitojë vetëm rreth 20 milionë euro në total.

“Punëtorët e sektorit publik morën rreth 65 milionë euro, përderisa për punëtorët e sektorit privat, në bazë të një llogaritje që unë e kam bërë, diku do t’i kushtojë kjo pako rreth 20 milionë euro. Punëtorët e sektorit publik kanë marrë mesatarisht 750 euro për pagën e 13-të, ndërsa punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm nga 100 euro për një punëtor”, ka thënë ai.

Sipas Azemit, diskriminimi thellohet edhe më shumë me kriteret e vendosura për përfitim.

“Në një farë forme degradimi tjetër është që na e kanë bërë, sepse punëtorët e sektorit publik kanë marrë edhe ata që kanë pagë mbi 1000 euro, kurse te punëtorët e sektorit privat ky vendim nuk vlen dhe punëtorët e sektorit privat do të marrin vetëm ata të cilët e kanë pagën nën 1000 euro”, është shprehur Azemi.

Ai ka akuzuar Qeverinë se vendimi është marrë për arsye elektorale dhe jo për mbështetje reale të punëtorëve.

“Qeveria nuk e ka bërë nga vullneti, po e ka bërë nga përfitimet e saj personale, sepse ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve. Unë kam menduar që minimumi çka do të bëhej do të ishte së paku ndarja e një gjysmë page për punëtorët e sektorit privat, por të bien në nivelin e 100 eurove, kjo me të vërtetë është qesharake dhe jonjerëzore”, deklaroi ai. “Jemi të bindur që nuk do të arrijnë as shifra 100 mijë punëtorë që do ta marrin këtë stimulim qesharak, sepse pjesa dërrmuese e punëtorëve të sektorit privat nuk kanë fare kontrata pune. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë njohuri se si t’i mbushin aplikacionet dhe unë mendoj që edhe këtu është bërë një dredhi”.

Ndërkaq, për një arsye tjetër, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, nëpërmjet një reagimi ka shprehur shqetësimin me masat e marra nga Qeveria në detyrë. Në reagim është vlerësuar se masat e përkohshme financiare ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk adresojnë faktorët e nevojshëm strukturorë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Në reagimin e kësaj Ode është theksuar se masat që fokusohen në stimulimin e konsumit afatshkurtër “rrezikojnë të prodhojnë ndikim të kufizuar afatgjatë ekonomik, veçanërisht në një ekonomi si ajo e Kosovës, ku një pjesë e konsiderueshme e rritjes së konsumit përkthehet në rritje të importeve, e jo në shtim të prodhimit vendor dhe të investimeve”. 

Oda konsideron se masat e tilla kufizojnë disponueshmërinë e fondeve publike për iniciativa dhe investime me ndikim më të madh ekonomik dhe me përfitime më të gjera e më afatgjata.

“Në vend të pagesave të përkohshme dhe të njëhershme, fokusi duhet të zhvendoset drejt investimeve në infrastrukturë dhe në politika që forcojnë ekosistemin e sektorit privat. Investimet strategjike në infrastrukturën e transportit dhe të energjisë, infrastrukturë digjitale, arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore krijojnë kushte që u mundësojnë bizneseve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të rrisin produktivitetin”, thuhet në reagimin e Odës Amerikane.

Krahas ndarjes nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, studentët e të punësuarit në sektorin privat, Qeveria në detyrë ka vendosur për rritje të shtesave për lehonat.

Kryeministri Kurti ka thënë se ky është superlajm.

“Përderisa me qeverisjet e kaluara, shtesat për lehona ishin 0 euro, thua se ky shtet nuk kishte nëna lehona, për herë të parë me qeverisjen tonë i nisëm ato duke paguar nga 170 euro për 6 muaj me radhë për lehonat e papuna, dhe 3 muaj për ato të punësuarat, mbi pagesën që tashmë e marrin sipas ligjit të punës”, ka thënë Kurti. “E thamë se shtesat për lehona do t’i bëjmë aq sa do të jetë paga minimale. Shtesat i nisëm aq sa ishte paga minimale, 170 euro në muaj, pra aq sa e gjetëm pagën minimale, kurse në maj të vitit të kaluar, nga 170 euro në muaj, shtesat i rritëm në 325.9 euro në muaj, aq sa i binte paga minimale neto, pra kjo para një viti. E sivjet pagën minimale e rritëm përsëri, nga 1 janari është 425 euro në muaj, kurse nga 1 korriku ajo bëhet 500 euro në muaj”.

Kurti ka thënë se për ta rritur këtë shtesë nuk do të pritet korriku, por do të fillohet nga tani.
Edhe vitin e shkuar, kur Kosova pati zgjedhje në fund të dhjetorit, Qeveria Kurti është kritikuar për vendimin për shtesa të njëhershme për kategoritë e cenueshme, që u dhanë në fundvit.


Vendimet e Qeverisë në detyrë

Krahas Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, Qeveria detyrë ka nxjerrë edhe vendime të tjera, gjatë mbledhjes së të premtes.

Ajo ka miratuar Raportin vjetor mbi Inspektimet. Bazuar në njoftimin e Qeverisë, Raporti pasqyron “angazhimin e vazhdueshëm për fuqizimin e sistemit inspektues, rritjen e efikasitetit, profesionalizmit dhe proporcionalitetit të inspektimeve, si dhe avancimin e koordinimit ndërmjet organeve inspektuese në nivel qendror dhe lokal”.

Po ashtu, Kabineti Qeveritar ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese: Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Investimeve dhe Eksportit.  
Në mbledhje është miratuar edhe kërkesa për shpalljen me interes publik për bartjen e pronës komunale, në pronësi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për zhvillimin e Parkut Industrial dhe Teknologjik në Komunën e Gjilanit.

Qeveria ka miratuar, po ashtu, kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 1 milion eurosh për zbatimin e Masës 3.4 – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Komitetit për Partneritet Publiko-Privat.

Po ashtu, ekzekutivi ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës së Ministrisë së  Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për shpronësim për interes publik të pronave ish-shoqërore '”Virgjinia” dhe “Metaliku” që janë nën menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilat preken nga ndërtimi i “Zonës Industriale” në Komunën e Gjakovës.