Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Funksionalizohet Gjykata Administrative në Kosovë

donika gervalla

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se është funksionalizuar Gjykata Administrative, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në reformën e sistemit të drejtësisë në vend.

Sipas saj, Gjykata Administrative është gjykata e parë e specializuar në Kosovë, e cila do të merret me trajtimin e konflikteve administrative dhe kontesteve të punës në sektorin publik. Ka shtuar, në një postim në Facebook se kjo krijon një adresë të qartë dhe më profesionale për qytetarët, zyrtarët publikë dhe institucionet që kanë çështje që lidhen me administratën publike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gërvalla theksoi se rëndësia e kësaj gjykate lidhet drejtpërdrejt me ndikimin e administratës publike në jetën e përditshme të qytetarëve, përmes vendimeve, procedurave, lejeve dhe detyrimeve ligjore. Ajo nënvizoi se çdo vendim administrativ duhet të jetë i ligjshëm, i arsyetuar dhe i kontrollueshëm, ndërsa nga tani ky kontroll do të jetë më i specializuar dhe më efikas.

Megjithatë, ministrja pranoi se Gjykata Administrative nuk po e nis punën nga zero, pasi trashëgon mbi 10 mijë lëndë të pazgjidhura, çka përbën një sfidë serioze. Ajo shtoi se kjo situatë njëkohësisht paraqet një mundësi për të dëshmuar se një gjykatë e specializuar mund të sjellë më shumë efikasitet dhe cilësi në drejtësi.

Në fjalën e saj, Gërvalla përgëzoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës për angazhimin në rekrutimin dhe transferimin e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, duke theksuar se tani fokusi duhet të jetë te rezultatet konkrete.

Ajo vuri në dukje se tashmë ekzistojnë baza të forta për funksionimin e gjykatës, ligji, gjyqtarët dhe vetë institucioni, por sfida kryesore mbetet ndërtimi i besimit të qytetarëve.

“Besimi nuk krijohet me ceremoni, por me vendime të drejta, procedura të shpejta, praktikë të unifikuar dhe integritet profesional,” deklaroi ministrja.

Në fund, ajo siguroi se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të mbështesë gjyqësorin, duke theksuar se kjo mbështetje shoqërohet me pritshmëri të qarta për rezultate konkrete në përmirësimin e drejtësisë administrative.