Fondi i Sigurimit Shëndetësor nga e hëna ka bord tjetër mbikëqyrës. Emrat e anëtarëve të këtij bordi janë votuar në mbledhjen e Qeverisë Kurti. Vetëm njëri nga emrat ka qenë edhe me herët pjesë e këtij bordi. KOHA ka mësuar që fillimisht propozimet e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi ishin për emra të tjerë, por pas publikimit të hulumtimit të KOHËS për skandalet në këtë institucion, lista me emra ka ndryshuar.
Një vit e katër muaj pasi është formuar Qeveria Kurti, ka marrë vendim që ta bëjë funksional Fondin e Sigurimit Shëndetësor.
Për shkak që ligji lejon që disa anëtarë të bordit të këtij institucioni të mund të jenë edhe nga kabinetet politike të ministrave, Fondi pati mbetur jofunksional prej ditës që ka rënë Qeveria Hoti, çka bëri që t’u ndalej mandati përfaqësuesve politike të ish-qeverisë, por Qeveria aktuale nuk i zëvendësoi emrat e rinj.
Fillimisht siç ka mësuar televizioni, rreth dy muaj me herët, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ia dërgoi kabinetit të kryeministrit Kurti një listë me propozime që kishte emra të tjerë nga ata që u votuan të hënën.
Asokohe planifikohej që vetëm të zëvendësoheshin emrat e propozuar nga Qeveria Kurti me emra të rinj të kësaj qeverie.
Gjysma tjetër e bordit kishin mandat edhe disa vjet, por në mbledhjen e 84-t të Qeverisë Kurti u vendos që edhe ata të shkarkoheshin.
Një gjë e tillë ndodhi pasi KOHA publikoi një seri të gjatë hulumtimi për këtë institucion, që ngriti dyshime e ofroi prova për keqpërdorime e keqmenaxhim.
Kryeministri Kurti tha që me bordin e ri do të përmirësohet gjendja në shëndetësi.
“Pika e dhjetë është shqyrtimi i propozim-vendimit për Bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, në mbledhjen e 84-t të Qeverisë e patëm shfuqizuar vendimin në lidhje me Bordin Drejtues të Fondit. Ai vendim na ka hapur rrugë që sot të propozohet përbërja e re e Bordit. Me qëllim që të përmirësohet gjendjes shëndetësore dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve”, ka thënë Kurti.
E ministri Latifi vetëm lexoi emrat e propozuar të cilët u votuan.
“Me qëllim të funksionalizimit të këtij organi shumë të rëndësishëm për shëndetësinë e Kosovës, propozoj që ta votojmë bordin e ri të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në këtë përbërje : Dafina Gexha nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismajli (përfaqësues i Ministrisë së Financave nga Thesari), anëtar Fahri Shabani (nga Asociacioni i Komunave) e Muhamedali Kodra (nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve), Agreta Gecaj-Gashi (anëtare e bordit të ShSKUK-së), Kastriot Meqa (përfaqësues nga Oda e Mjekëve të Kosovës), Klit Shala (përfaqësues i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale)”, ka thënë Latifi.
Ministria e Shëndetësisë e Qeveria e Kosovës nuk janë deklaruar publikisht sa herë është kërkuar përgjigje për keqpërdorimet në këtë institucion.
Nga përbërja e re e këtij Fondi vetëm përfaqësuesi i Shoqatës së Pacientëve ka qenë pjesë i të gjitha bordeve të kaluara.
Kasriot Meça është zgjedhur muaj me parë drejtor i Qendrës Stomtaologjike, e Agreta Gecaj Gashi është po ashtu pjesë e Bordit të ShSKUK-së. Fondi për herë të parë në bord do ta këtë drejtorin e Thesarit.
Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor aktualisht është ish-drejtori i Thesarit, Fatmir Plakiqi.
Sipas hulumtimit të KOHËS, ky institucion te Programi për Trajtim Jashtë Vendi në kohën kur Plakiqi mori detyrën, kishte rreth 4 milionë euro borxhe, ndërsa pas disa vjetësh borxhi sipas disa raporteve të brendshme, ka arritur në më së paku 30 milionë euro.