Lëvizja FOL ka publikuar një raport për transparencën në drejtësi ku thuhet se në këtë aspekt ka ngecje në Këshillin Prokurorial e se ka përmirësim në Këshillin Gjyqësor. Në një tryezë, ku morën pjesë përfaqësues të KPK-së e KGJK-së, atyre u është kërkuar të jenë të hapur me publikun edhe lidhur me procedurat disiplinore që i ndërmarrin ndaj prokurorëve e gjyqtarëve
Ngecje sa i përket transparencës në Këshillin Prokurorial e progres në Këshillin Gjyqësor ka identifikuar Lëvizja FOL pas monitorimit të këtyre dy institucioneve të drejtësisë.
Në konferencën përmbyllëse të projektit “Ngritja e transparencës dhe integritetit në sektorin e drejtësisë në Kosovë”, të martën, menaxherja në FOL, Burbuqe Kastrati, ka kërkuar transparencë më të madhe nga këto dy institucione.
Kastrati ka thënë se të dyja duhet t’i hapin për publikun vendimet disiplinore që i marrin për prokurorët e gjyqtarët.
“Sa i përket KGJK-së, gjetjet e vitit 2024 tregojnë se sfidat e identifikuara në vitin 2023 vazhdojnë të jenë të njëjta. Publikimi i agjendave shpesh është i vonuar, respektimi i gjuhëve zyrtare mbetet problematik dhe numri i vendimeve të publikuara sa u përket rasteve disiplinore të prokurorëve mbetet i ulët. FOL ka rekomanduar që është e rëndësishme që KPK të angazhohet më shumë në publikimin e vendimeve, duke marrë parasysh edhe vendimet disiplinore ndaj prokurorëve. E njëjta gjë ka vlejtur edhe për KGJK, meqenëse ky Këshill publikon vetëm vendimet që merren për gjyqtarët, por jo edhe raportet në tërësi”, ka thënë Kastrati.
Lidhur me gjetjen për rritjen e transparencës në KGJK, zëvendëskryesuesja Arjeta Sadiku është shprehur se tashmë kanë vendosur standard të komunikimit me publikun.
“Në fillim të këtij viti Këshilli ka miratuar udhëzimin administrativ për publikimin e vendimeve gjyqësore, përmes së cilit gjykatat publikojnë në kohë reale të gjitha vendimet gjyqësore me përjashtim të disa çështjeve penale. Për t’u afruar gjyqësori me publikun janë mbajtur aktivitete si ditët e hapura me gjyqësorin”, ka thënë Arjeta Sadiku, zëvendëskryesuese e KGJK-së.
E anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, ka pranuar se kanë ende punë përpara, andaj, sipas tij, duhet të vendosin objektiva të reja në institucion.
“Edhe KPK këtë vit ka miratuar strategjinë dhe planin e veprimit për vitin 2025–2027. Por këto dokumente nuk janë të mjaftueshme që ne të jemi përgjegjës, transparentë dhe llogaridhënës në raport me publikun. Hapi i dytë është monitorimi i këtyre dokumenteve dhe veprimeve të cilat i kemi paraparë si institucione për t’i arritur objektivat që i kemi vendosur përpara. Janë 80 për qind kërkesa për dokumente që duhet të ishin publike dhe neve na bën që puna jonë duhet të ndryshojë dhe objektivat duhet të ndryshojnë, sidomos në raport me publikun”, ka deklaruar Krasniqi.
E shefi i sektorit të drejtësisë në misionin e BE-së në Kosovë u ka kërkuar dy këshillave që t’i marrin seriozisht rekomandimet për publikimin e dokumenteve të tyre.
“Ajo që do të doja të uroja për të ardhmen është që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim frytdhënës dhe ta bëjmë drejtësinë një fenomen real në jetën e përditshme e jo vetëm një teori që mbetet në ajër”, ka thënë Jarmo Helppikangas, udhëheqës i sektorit të drejtësisë në zyrën e BE-së në Prishtinë.
Në bazë të gjetjeve të Lëvizjes FOL, KGJK-ja ka publikuar vetëm vendimet për refuzim të ankesave disiplinore.
Nga organizata FOL po ashtu kanë treguar se për t’i marrë vendimet disiplinore të Këshillit Prokurorial është dashur të paraqesin ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, meqë KPK-ja ka pretenduar se procedurat disiplinore ishin konfidenciale.