Arbëri

Kastrati për përplasjet në KPK: Reforma që fillon nga janari duket se s’po u pëlqen të gjithëve

Burbuqe Kastrati

Burbuqe Kastrati, nga organizata “FOL”, ka deklaruar se gjendja në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), flet për një polarizim të thellë. Ky polarizim sipas Kastratit është më i hapur tani për shkak se në janar të vitit që po vjen fillon jetësimi i reformës së KPK-së dhe me ligjin e ri duhet të ulet numri i anëtarëve.

“Mbledhja e 29 nëntorit ku u shkarkua u.d i kryeprokurorit të shtetit Besim Kelmendi, vë në dukje një polarizim të skajshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Jemi në fund të vitit, me shkas që prej janarit 2026 jetësohet reforma në KPK. Sa për informim të publikut KPK-ja me ligjin e vjetër ka pasur 13 anëtarë, ndërsa pas diskutimeve, debateve e dërgimeve të ligjeve e draft-ligjeve në Gjykatë Kushtetuese dhe në Komision të Venedikut, ligji i ri parasheh që KPK-ja t’i ketë shtatë anëtarë. Anëtarë prokurorë dhe joprokurorë. Anëtarët joprokurorë zgjidhen nga Kuvendi. E gjithë kjo sigurisht ka krijuar polarizime të cilat kanë ekzistuar por tash janë më të hapura për shkak të interesave dhe mbarimit të mandatit të disa anëtarëve, sidomos atyre që e shkarkuan në mënyrë arbitrare Besim Kelmendin”, deklaroi Kastrati.

Referuar situatave të fundit në këtë institucion, Kastrati në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka theksuar se reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës, duket se nuk po iu pëlqen të gjithëve.

“Siç duket, reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk po iu pëlqen të gjithëve. Problemi tjetër ekziston që këta janë prokurorë dhe këta kanë vazhduar të kenë vendimmarrje në mënyrë jolegjitime. Po flasim për vendimmarrje ku nuk ka pasur kuorum siç ishte në rastin e Besim Kelmendit. Kur u caktua u.d i kryeprokruorit i ri, Qalaj, ai mori pjesë në mbledhje u sigurua kuorumi i nevojshëm që pjesa tjetër e KPK-së kishin synim ta bënin. Pra u bënë gjashtë vota. I gjithë synimi ka qenë matematikor, në kuorum në vendmimarrje. Ai në fillim të mbledhjes deklaroi se prezenca ime nuk do të thotë se do të votoj, do të jem neutral. Nuk ka kuptim sepse vet prezenca e tij e bën kuorumin. Pra kjo krijoi një debat ku shumica e anëtarëve të tjerë u larguan nga salla”, ka deklaruar Kastrati.

Në mbledhjen e 1 dhjetorit, Këshilli Prokurorial i Kosovës, refuzoi Raportin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e anëtarës së re si prokurore të KPK-së, Elza Bajrami.

Por, Kastrati në emisionin “60 Minuta” në KTV, deklaroi se ky raport në atë mbledhje nuk do të duhej as të diskutohej se vendimi veçse ishte marrë për përzgjedhjen e saj. Sipas Kastratit është për keqardhje që një prokuror të flasë për ushtrim ndikimi në përzgjedhjen e një anëtareje të re, e të mos hetohet si çështje.

Çështja është që raporti nuk do të duhej as të diskutohej siç u diskutua në mbledhjen e kaluar. Raporti për përzgjedhjen e prokurorit nga ana e Prokurorive Themelore është zgjedhje e cila është mbajtur në konferencën vjetore të tyre dhe kjo mbarëvajtje është vlerësuar shumë lartë nga akterët ndërkombëtar. Prokurorja Bajrami me 77 vota fitoi besimin e prokurorëve për të qenë pjesë e KPK-në. Ky raport ishte vetëm formalitet sepse ishte i vlerësuar dhe vendimi ishte marrë. Ky raport nuk kaloi por po flasim për një çështje shumë sensitive. Në mbledhje u diskutua për favorizime dhe u diskutua mbi të gjitha për ushtrim ndikimi dhe presioni. Krejt këto që u përmendën sidomos nga kryesuesi Hajdaraj bëjnë pjesë në procedurën penale. Është për keqardhje nëse një prokruror ka dyshime të tilla dhe sidomos fakte siç përmendej. Si është e mundur që gjithë këto akuza të jenë vetëm në nivel të thashethemeve dhe të mos ndërmerrej ndonjë inicim i rastit”, deklaroi Kastrati.

Me pesë vota për Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)m, në mbledhjen e mbajtur të hënën ka vendosur që ta refuzojë Raportin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e një anëtareje të re prokurore të KPK-së.

Meqë rregullorja e zgjedhjeve është sfiduar në Gjykatën Supreme, kryesuesi Ardian Hajdaraj tha se do të vendosin për hapat e mëtejshëm në mbledhjen e radhës.

Rezultatet zgjedhore të 1 nëntorit e kanë nxjerrë fituese Elza Bajramin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që fitoi ndaj kundërkandidates Merita Kurtishi-Gakës – së cilës i është rrëzuar ankesa për parregullsi në KPK, meqë pesë vota ishin për dhe pesë kundër.