Arbëri

Përplasjet për certifikimin e anëtares së re lanë KPK-në pa kuorum

Elza Bajrami-Kastrati

Përplasjet brenda Këshillit Prokurorial kanë bllokuar sërish funksionimin e këtij institucioni. Mbledhja e dytë për këtë vit dështoi për shkak të mungesës së kuorumit, pasi njëri nga anëtarët e saj u largua nga salla duke kundërshtuar certifikimin e anëtares së re Elza Bajrami-Kastrati

Mbledhja e dytë e Këshillit Prokurorial për këtë vit ka dështuar, shkaku që anëtari Milot Krasniqi u largua nga salla.  
Pas largimit të Krasniqit, kryesuesi dhe kryeprokurori Agron Qalaj konstatoi mungesë kuorumi për vazhdimin e pikave të rendit të ditës.

Por para se të largohej, ai problem pati edhe në miratimin e rendit të ditës shkaku i mospajtimeve për certifikimin e anëtares së re të Këshillit, Elza Bajrami-Kastrati. 

Kundër vazhdimit të kësaj pike doli anëtari Milot Krasniqi, i cili edhe më herët kishte kundërshtuar rregulloren mbi bazën e së cilës ajo është zgjedhur.

“Unë nuk do të jem pjesë e vendimmarrjes në pikën e certifikimit, pa e vendosur këtë çështje gjykata, në të kundërtën, do të jem i detyruar që të lëshoj takimin, në mënyrë që të mos bëhem pjesë e shkeljeve serioze. Përfundimi im juridik dhe logjik është që pika e parë e rendit të ditës e propozuar në agjendë është e parakohshme dhe nga konteksti i rrethanave, aktualisht është e kundërligjshme, andaj duhet të shtyhet për trajtim në një takim tjetër, vetëm pasi që për këtë të vendosur gjykata”, ka deklaruar Milot Krasniqi.

Anëtari tjetër, Visar Krasniqi, kundërshtoi këtë qëndrim, duke thënë se po pengohet ushtrimi i mandatit të anëtares së re.

“Nuk ka problem. Ne po ashtu presim edhe dy ditë sa është seanca gjyqësore, mirëpo kur të përfundon edhe niveli themelore, çka tani tutje, çka tutje p.sh me ju personalisht ku të gjitha veprimet tuaja kanë qenë në drejtim të pengimit të ushtrimit të funksionit të mandatit të një anëtarë e re”, është shprehur Visar Krasniqi.

Pas debatit, kryesuesi Qalaj hodhi në votim propozimin e Milot Krasniqit që pika për certifikimin të hiqet nga rendi i ditës dhe të pritet vendimi i Gjykatës Supreme.
Propozimi nuk kaloi, pasi tre anëtarë votuan kundër, ndërsa vetëm Krasniqi votoi pro largimit të saj. 
Anëtari Visar Krasniqi kërkoi që mbledhja të thirret pas një ore, në bazë të nenit 19, si dhe të shqyrtohet masa disiplinore ndaj Milot Krasniqit për mungesë pa arsye në mbledhje të KPK-së.

Propozimi që mbledhja te mbahej pas një orë sipas kryesuesit Qalaj nuk ishte e mundur pasi tha se nuk kanë kuorum për ta thirrur takimin.

Edhe mbledhja e parë e këtij viti, e mbajtur më 20 janar, kishte dështuar pasi nuk kishin kaluar pikat e rendit të ditës.

Anëtarja e re e Këshillit, Elza Bajrami-Kastrati, ka fituar zgjedhjet në konferencën e përgjithshme të prokurorëve në nëntor të vitit të kaluar, por certifikimi i saj u pamundësua vitin e kaluar nga disa anëtarë të Këshillit.