Një vendim i pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial që e shkarkuan ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit, ka marrë goditje nga Gjykata Supreme. Duke u thirrur në faktin se kishte ankesë në gjykatë, ata nuk e konfirmuan zgjedhjen e Elza Bajrami-Kastrati për anëtare të KPK-së. Por, Supremja ka konstatuar se zgjedhja e saj ka qenë sipas ligjit
Gjykata Supreme e ka rrëzuar ankesën e kandidates për anëtare të Këshillit Prokurorial (KPK), Merita Kurtishi Gaka, e cila është përdorur si pretekst nga 5 anëtarë të Këshillit për ta refuzuar zgjedhjen e Elza Bajrami-Kastratit si anëtare të këtij institucioni.
Pesë anëtarët e Këshillit që e shkarkuan ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit, Besnim Kelmendi, nuk e miratuan as raportin e që konstatoi zgjedhjen e Kastratit, ndonëse ajo mori shumicën e votave nga prokurorët.
Vendimi i gjykatës nuk është ndikuar nga ai i 5-anëtarëve të këshillit.
“Ankesa e paraqitur nga Merita Kurtishi Gaka, Prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, është e pa lejuar. Gjykata Supreme Kosovës, ka bërë vlerësimin e lejueshmërisë së ankesës në kuptim të dispozitës së nenit 8 të Ligjit Nr.08/L-249 Për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.06/L-056 Për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me të cilën është përcaktuar se ‘Pas nenit 10 të ligjit bazik, shtohen nenet 10/A dhe 10/B me tekstin si në vijim’ të nenit 10/A dhe nenit 10/B, dhe sipas dispozitave përkatëse të nenit 10/A, (dhe) ka gjetur se ankesa është e palejuar, ndaj, ka vendosur që të njëjtën ta hedhë si të palejuar”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Gjykata ka konstatuar se gjatë zgjedhjes së Elza Bajrami-Kastratit, janë respektuar të gjitha procedurat ligjore.
Edhe
Supremja hedh si të palejuar ankesën kundër zgjedhjes së Elza Bajrami-Kastratit në KPK
“‘Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Komisioni Zgjedhor paraqet raport për Këshillin lidhur me kandidatët dhe numrin e votave për secilin kandidat dhe informon kandidatët për rezultatin e zgjedhjeve dhe të drejtën e ankesës për procesin. Kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesë për shkeljet procedurale, në afatin prej 72 orëve pranë Këshillit, pas njoftimit me rezultatin...; Pas shqyrtimit të ankesave, Këshilli brenda 7 ditëve shpall dhe certifikon rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor..., etj.”, ndërsa, sikundër rrjedh nga shkresat e lëndës, kështu edhe ka ndodhur në rastin konkret”, thuhet në aktgjykim.
Supremja është duke e trajtuar edhe një ankesë që portali Paparaci e ka paraqitur kundër rregullores së zgjedhjeve të KPK-së. Për të, gjyqtarët do të mbajnë seancë vitin e ardhshëm.
“Padia e paraqitur nga Paparaci, ka për objekt shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ - Rregullores Nr.05/2025 të datës 03.09.2025 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, konkretisht nenit 5 paragrafi 1 dhe 2, nenit 10 paragrafi 11 dhe 12. Paditësi, padisë i ka bashkangjitur edhe kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit. Gjykata Supreme, ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor për datë 03 shkurt 2026, ora 10:30”, ka bërë të ditur Supremja.
Ish ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, në prag të shkarkimit pati thënë se pronari i këtij portali ka tentuar ta shantazhojë dhe ia ka mbajtur anën prokurores Kurtishi-Gaka, por këto akuza i ka mohuar Vehbi Kajrazi.
Ndasitë në Këshill janë shpërfaqur publikisht muajin e shkuar.
Shkarkimi i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit e më pas vendimi për ta rrëzuar zgjedhjen e Kastratit si anëtare të KPK-së, ka marrë kritika nga përfaqësues ndërkombëtarë dhe ata të shoqërisë civile, të cilët kanë vlerësuar se me këto veprime synohet të pengohen reformat që hyjnë në fuqi nga janari.
Edhe
Elza Bajrami-Kastrati betohet si anëtare e KPK-së
Nga viti i ardhshëm, do të ulet numri i anëtarëve të KPK-së në 7.