Arbëri

Supremja hedh si të palejuar ankesën kundër zgjedhjes së Elza Bajrami-Kastratit në KPK

Supremja

Kolegji i Gjykatës Supreme ka hedhur si të palejuar ankesën e prokurores Merita Gaka-Kurtishi, të paraqitur kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për zgjedhjen e Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e KPK-së.

Prokurorja Gaka-Kurtishi kishte kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së të datës 13 nëntor 2025, duke pretenduar se procesi zgjedhor ishte i kundërligjshëm. Ajo, gjithashtu, kishte kërkuar anulimin e njoftimit KZ-KPK të 1 nëntorit 2025, si dhe detyrimin e KPK-së të rishpallë dhe të organizojë një proces të ri zgjedhor.

Mirëpo, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të bazës ligjore të ankesës, Gjykata Supreme konstatoi se ankesa nuk është e lejueshme.

Në vendimin e saj, Gjykata theksoi se lënda nuk ka të bëjë me emërim apo shkarkim të prokurorit, e as me shkarkim të një anëtari të Këshillit Prokurorial – kategoritë e vetme për të cilat prokurorët kanë të drejtë të ankohen drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme.