Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se kërkesa e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi për lirim nga kjo pozitë, ishte e papritshme.
Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se në këtë kohë kur është çështje ditësh reforma që fillon në Këshillin Prokurorial të Kosovës, lë për të dyshuar kërkesa për dorëheqjen e tij.
“Kërkesa e Kelmendit për lirim nga detyra ishte e pakuptimtë sepse është në shpërputhje me vetë deklarimet që i ka bërë në konferenca për media. Vendimi i tij ishte i papritshëm ndonëse çështja për të cilën janë ngritur aludime siç është masakra e Reçakut është e ndjeshme dhe mendoj se kjo e ka çuar drejt kërkesës për dorëheqje. Të gjitha zhvillimet në KPK dhe ky vendim në këtë fazë kur do të fillojë reforma në këtë Këshill, lënë për të dyshuar. Çështje ditësh është ndryshimi esencial i përbërjes së KPK-së, një balancim i anëtarëve të këshillit nga sistemi prokurorial dhe nga jashtë të cilin e kanë kërkuar shumë raporte, qoftë nga organizatat vendore, qoftë nga ato ndërkombëtare dhe të cilin e ka konfirmuar edhe Komisioni i Venecias. Një përbërje që parashihet me ligjin e ri është një funksion të rritjes së llogaridhënies e që i ka munguar në masë të madhe Këshillit Prokurorial të Kosovës”, ka deklaruar Bajraktari në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Teksa deklaroi se numri i anëtarëve në Këshillin Prokurorial të Kosovës, me fillimin e reformës do të zbresë në shtatë, avokati Bajraktari tha se pjesës dërmuese të tyre që kanë qëndruar në mbledhjet së fundmi, iu përfundon mandati.
Duke parë që po këto mbledhje janë zhvilluar me tension, Bajraktari tha se duket që më shumë ka tendenca të grupacioneve brenda sistemit prokurorial që përpiqen t’i mbajnë privilegjet e benefitet që iu takojnë apo edhe për të marrë pozita.
“Pjesa dërmuese e këtyre që kanë qëndruar në mbledhjet e KPK-së, do t’iu përfundojë mandati ndërsa ata që kanë refuzuar të marrin pjesë, më duket se është njërit që i përfundon mandati. Deri sot kanë qenë tre ndërsa sot u pa që njëri prej tyre ishte në mbledhje e dy të tjerët do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë sipas akteve përkatëse të zgjedhjes së tyre. Nga ajo që mund të shohim, më shumë ka tendenca të grupacioneve brenda për brenda sistemit prokurorial e pastaj këto situata përpiqet t’i shfrytëzoj edhe politika. Në tentativë për të përfituar në çfarëdo forme. Më shumë i vlerësoj si tentativa të grupeve brenda sistemit prokurorial që përpiqen ose t’i mbajnë privilegjet e benefitet ose edhe për të marrë pozita”, ka deklaruar avokati Bajraktari në “60 Minuta”.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të hënën u miratua kërkesa e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, nga lirimi i kësaj pozite ndonëse para pak ditësh Gjykata Supreme e konfirmoi se shkarkimi i tij po ashtu nga kjo pozitë ishte i paligjshëm.
Në fillim të këtij muaji, zyra e Bashkimit Evropian ka zhvilluar një takim me Këshillin Prokurorial të Kosovës, me ç’rast pati deklaruar se iu është bërë thirrje të gjithë anëtarëve të tij t’i zbatojnë plotësisht reformat e KPK-së. Ky takim i kërkuar si urgjent, erdhi pas shkarkimit të u.d. së kryeprokurorit Besim Kelmendi dhe përplasjeve brenda KPK-së.
Ndërsa organizata të shoqërisë civile paralajmëruan rritje të rrezikut të kundërligjshmërisë në KPK dhe kërkuan edhe ndërhyrjen e gjykatës.