Të martën pritet të mbahet seanca inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën do të bëhet betimi i asamblistëve, betimi i kryetarit të zgjedhur, Përparim Rama e zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Megjithatë në këtë mbledhje nuk pritet të bëhet edhe prezantimi i kabinetit qeveritar.
Është përfolur shumë për koalicionin mes LDK-së e PDK-së, megjithatë asamblisti nga PDK-ja, Leutrim Retkoceri, mohon të kenë ndonjë koalicion me LDK-në. Në një prononcim për KOHËN, ai ka shtuar se nuk do të kenë propozim as për kryesues të Kuvendit Komunal.
“Nuk kemi koalicion me LDK-në. PDK-ja është duke u marrë me zgjedhjet nacionale. Sa i përket kryesuesit të Kuvendit, PDK-ja nuk ka asnjë propozim për mandatar të Kuvendit”.
Megjithatë, KOHA merr vesh se në fillim të kësaj jave janë takuar në një qebaptore në rrugën “Rexhep Luci” kryetari i zgjedhur i Prishtinës, Përparim Rama, me kandidatin për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili.
Si mëson KOHA, fokusi është te zgjedhjet qendrore, e vetëm pas tyre mund të zyrtarizohen edhe koalicionet apo edhe të prezantohet kabineti qeveritar i kryeqytetit.
Fehmi Kupina është emri i cili është përmendur se mund të udhëheqë sërish me Kuvendin Komunal.
Një gjë të tillë nuk e ka pranuar vetë ai kur u pyet nga KOHA, duke mos dashur të komentojë nëse ka qëllime të marrë përsëri këtë pozitë.
Megjithëse kanë pasur një përkrahje parazgjedhore për LDK-në, nuk dihet ende cili do të jetë qëndrimi i AAK-së për formimin e qeverisjes Rama 2, pasi, siç mëson KOHA, brenda kësaj partie ka përçarje.
Për të gjitha koalicionet që mund t’i bëjë LDK-ja, KOHA merr vesh se nga 15 drejtori Rama pritet t’i bëjë 21 për t’i rehatuar partnerët e koalicionit.
Gazetari Uran Haxha thotë se para zgjedhjeve veçse janë parë se kush janë koalicionet e mundshme.
Sipas tij, sa më shumë koalicione që të krijojë Rama, do të thotë se duhet të japë më shumë drejtori.
Gazetari për Prishtinën, Mentor Buzhala, thotë se çdo zyrtarizim pritet të bëhet pas zgjedhjeve nacionale.
E te ndarja e drejtorive, Bekim Salihu nga GAP thotë se Rama duhet të jetë dorëlirë ndaj partnerëve të koalicionit.
“Zakonisht problematike ka qenë kjo se cila parti do të marrë cilën drejtori. Ka drejtori që janë të rëndësishme dhe ka më pak të rëndësishme. Drejtoria për buxhet, për Shërbime Publike, Infrastrukturë, pra janë disa drejtori që kanë më shumë kompetenca. Subjektet politike i kanë këto synime. Përparim Rama nuk guxon të duket kokëfortë për diferencën që e ka në numra në mënyrë që të arrijë shumicën në Kuvend”.
E pas suksesit në Prishtinë, Rama është parë si figurë që mund të sjellë vota edhe në listën e LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit duke garuar për deputet.