Në seancën inauguruese të kryeqytetit është bërë edhe betimi i 51 asamblistëve të rinj, përderisa Fehmi Kupina nga Lidhja e Prishtinës është rizgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në mbledhjen solemne të Kuvendit Komunal, të martën, është betuar për ta udhëhequr kryeqytetin edhe për një mandat, duke u zotuar se do t’i ushtrojë kompetencat me nder, besnikëri e në mënyrë të paanshme.
“Unë, Përparim Rama, betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri dhe në mënyrë të paanshme, me qëllim që të krijoj kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, ka thënë Rama gjatë betimit.
Betimi i tij është duartrokitur nga asamblistët e LDK-së dhe nga disa të PDK-së e partive të tjera, por jo edhe nga ata të Vetëvendosjes.
Gjatë seancës inauguruese ku janë betuar edhe 51 asamblistë të rinj, Rama ka uruar që mandati i tij i dytë të jetë pa bllokada të kalkuluara politikisht.
“Mandati i kaluar nuk ka qenë ashtu si e kanë merituar qytetarët. Ka pasur bllokada të kalkuluara politikisht. Ka pasur vonesa e pengesa dhe prej tyre më së shumti kanë vuajtur qytetarët. Uroj që këtë mandat të reflektojmë dhe të mos e detyrojmë popullin të dëgjojë diskurse përçarëse, të mos e vendosim qytetin peng të kalkulimeve politike. Të gjithë jemi të votuar për t’u shërbyer qytetarëve e jo partive. E kemi për borxh të bëhemi bashkë e të punojmë, të mos projektojmë kriza artificiale, të mos krijojmë bllokada që e bllokojnë qytetin. Por, të punojmë me përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen tonë”, ka thënë Rama.
Ai u është referuar problemeve të fundit me buxhetin komunal, për ç’gjë ka akuzuar nivelin qendror për bllokim.
Për mungesë të buxhetit, për disa ditë u ndalën shumë shërbime komunale, përfshirë edhe “Trafikun Urban”.
E asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, përmes një letre të vendosur në tavolinën e kryetarit Rama, e ka uruar për atë që e ka quajtur koalicion mes LDK-së, PDK-së, AAK-së, Nismës dhe PSD-së.
Mbishkrimi më pas është larguar nga një asamblist i LDK-së.
Sa i përket zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal, shumica e partive politike nuk patën një propozim.
Vetëvendosje ka propozuar Sokol Havollin nga LDK-ja, i cili ka refuzuar këtë propozim.
“LDK si grupi më i madh pati rastin të propozonte kryesuesin dhe nuk e bëri ndërkohë e mohojnë koalicionin dhe e largojnë mbishkrimin. Për të zbutur inatin e Sokolit, ne propozojmë Sokol Havollin për kryesues të Kuvendit”, ka thënë Azemi.
E Havolli propozimin e ka quajtur “me sherr”.
“Natyrisht që është një propozim që e bëjnë për qëllime të tjera dhe nuk mund të shkojë si i tillë, sepse unë nuk pranoj. Sigurisht që e kanë inatin se janë mbetur mbrapa atje. Ku me ditë çfarë pozite me më ofru VV-ja nuk e pranoj”, ka deklaruar Havolli.
Propozim ka bërë edhe Lidhja për Prishtinën, duke e ofruar për kryesues Fehmi Kupinën.
Kupina, që në legjislaturën e fundit pati problem, që shkoi deri në rrahje me një asamblist të LDK-së, mori votat e mjaftueshme.
Ai u rizgjodh kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës përmes votimit të fshehtë, e në të cilin nuk morën pjesë 12 asamblistët e VV-së.
Për votuan 31 asamblistë, ndërsa 4 ishin kundër e 2 abstenuan.
Kryetari Rama, gjatë seancës solemne, është parë i afërt edhe me ish-kandidaten e PSD-së për kryetare të Prishtinës, tashmë asambliste, Besa Shahini.
Deri tash pos atij me AAK-në, nuk është bërë publik ndonjë koalicion tjetër për bashkëqeverisje në mandatin e dytë të Ramës.