Arbëri

Fizioterapeutët po punojnë jashtë kualifikimit të tyre për pacientët me COVID-19

Kanë kaluar më shumë se 30 ditë që kur fizioterapeutët po punojnë punë për të cilat nuk janë të kualifikuar, kjo sipas tyre, për faj të ShSKUK-së, për të cilët thonë se nuk i pritën as në takim.

Kreu i Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës, Feim Gashi, tha për KP se ka pranuar dhjetëra ankesa përmes të cilave shprehin pakënaqësitë e tyre për punën që po bëjnë, si bartja e bocave të oksigjenit dhe ofrimi i asistencës infermierëve.

“Kemi ankesa prej anëtarëve tanë, sepse janë të angazhuar më shumë se sa duhet dhe janë duke bërë punë jo profesionale, punë dytësore të një punëtori teknik. Ata janë staf profesional shëndetësor, hyjnë në hallkën e zingjirit shëndetësor, nuk janë staf mbështetës”, ka thënë ai.

Gashi thotë se kanë kërkuar interpretim ligjor, pasi sipas tij, puna që po kryejnë është shkelje e ligjit të punës.

“Neni 18 i ligjit të punës, pika 1 dhe 1.1 e sqaron mirë se si angazhohet një staf mbështetës. Aty thuhet se në gjendje të jashtëzakonshme angazhohen, por në Kosovë nuk është gjendje e jashtëzakonshme. Në pika tjera menaxhmenti ka të drejtë çdo kohë brenda një periudhe tridhjetë ditë t’ia ndërroj vendin e punës, është e vërtetë, por me një punë me detyra specifike të cilat janë më të vogla në përgjithësi”, thotë ai.

Ylli Zekaj nga IKD thotë se në këtë çështje ka shkelje të ligjit.

“Ligji i punës në këtë rast ka paraparë edhe në raste të veçanta që të bëhet edhe një sistemim i përkohshëm por këto kur plotësohen disa kushte. Kemi katër kushte në të cilat mund të angazhohen apo të sistemohen përkohësisht të sistemuarit në një vend tjetër të punës dhe atë kur kemi fatkeqësi natyrore si tërmete, vërshime, kur kemi zëvendësim të ndonjë kolegu të punës, rritje të vëllimit të menjëhershëm të punës dhe në raste kur parasheh kontrata kolektive. Por në të gjitha këto raste asnjëherë nuk mund të kalohet sistemimi në vendin e përkohshëm të punës më i ulët se sa kualifikimet që i ka një i punësuar më shumë se tridhjetë ditë dhe çdo tejkalim i këtij afati kohor kemi shkelje të ligjit të punës për të cilën çdo i punësuar i pa kënaqur me këtë vendim mund të inicioj procedurë ankimore ndaj këtyre shkeljeve”, tha ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës në ShSKUK, Valbon Krasniqi, thotë se puna e fizioterapeutëve si staf mbështetës është vendim i qeverisë nga data 5 korrik, që obligon institucionet shëndetësore të punojnë sipas nevojave për trajtimin me koronavirus.

“Jo vetëm fizioterapeutët por edhe infermierët e klinikave të tjera, edhe mjekët e klinikave të tjera shumica e tyre kanë qenë të angazhuar gjatë kësaj kohe në trajtimin e pacientëve me COVID-19, është një vendim i Qeverisë së Kosovës i datës pesë korrik, i cili autorizon dhe obligon MSh-në dhe institucionet tjera shëndetësore përfshi edhe ShSKUK-në që stafin shëndetësor ta riorganizojë dhe ta riorientoj sipas nevojave për trajtimin e pacientëve me covid-19”, thotë Krasniqi.

Deri tash, rreth 20 fizioterapeut që janë angazhuar në QKUK dhe spitalet rajonale janë të infektuar me COVID-19.