Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Financial Times”: Shqipëria ngec t’i luftojë bandat kriminale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është një nga liderët më properëndimorë në Ballkan, ish-basketbollist dhe artist që ka ardhur në fuqi duke premtuar goditje të pamëshirshme ndaj bandave kriminale. Një dekadë pas, përpjekjet e Ramës për ta përmbushur premtimin po bëhen gjithnjë e më të zbehta, pasi figura e progresistëve në Ballkan po zvarritet në disa skandale që kanë njollosur imazhin e tij brenda e jashtë shteti. Me këto fjali ka nisur gazeta prestigjioze “Financial Times” një shkrim për ngecjet e Shqipërisë në luftën ndaj brandave kriminale. “Drogë, spiunë e kamera: Shqipëria ngec t'i frenojë bandat kriminale”, është titulli i mediumit.

Rama është detyruar t’i mbrojë reformat që dyshohet se janë “miqësore” ndaj pastruesve të parave, të shpjegojë se si bashkëpunëtorët e vjetër të qeverisë u përfshinë në hetimet e trafikut të drogës dhe të llogarisë rolin e tij në rënien e një oficeri të FBI-së.

Lutfi Dervishi, analist i pavarur politik dhe ish-drejtor ekzekutiv i Transparency International në Shqipëri ka thënë se “dëmi më i madh i është bërë reputacionit ndërkombëtar të shtetit”.

“Kryeministri dikur ishte yll në mediat ndërkombëtare”, ka thënë ai duke shtuar se Rama ka arritur të menaxhojë kriza të shumta, përfshirë atë me pandeminë, “por tash, si bumerang, papritmas është në qendër të vëmendjes për lajmet negative”.

Fuqia e rrjeteve kriminale në Shqipëri u zbulua në mënyrë spektakolare muajin e shkuar. Policia hoqi qindra kamera vëzhgimi të instaluara nga kriminelët – operacion i madh spiunazhi që monitoronte forcat e sigurisë dhe rivalët.

Edhe “BE-ja mbyll sytë derisa perandoria shqiptare e drogës kërcënon Evropën” Arbëri “BE-ja mbyll sytë derisa perandoria shqiptare e drogës kërcënon Evropën”

Zbulimi qe kthim prapa për Ramën, që është parë nga perëndimorët si shpirt i afërt në një rajon të njohur për qëndrime të ndryshueshme.

Me prejardhje në një familje artistësh, Rama nisi karrierën si basketbollist, më pas një dekadë si piktor në Paris para se të kthehej në Shqipëri për t’i hyrë politikës. Zyra e tij vazhdon të ketë gjësende basketbolli dhe piktura të shumëngjyrshme në mure. Si kryetar i Tiranës, në fillimet e 2000-ave, ai ndihmoi transformimin e kryeqytetit duke e ndryshuar ngjyrat e ndërtesave të epokës komuniste.

Rama ka mbrojtur përpjekjet për t’i çrrënjosur bandat. “Lufta kundër krimit dhe trafikimit ka qenë prioritet i kësaj qeverie”, ka thënë ai për “Financial Times” nëpërmjet një zëdhënësi.

Megjithatë, Qeveria Rama pati shkaktuar polemika vitin e shkuar duke kërkuar të ofronte amnisti tatimore për riatdhesimin e të ardhurave të huaja të padeklaruara deri në dy milionë euro, lëvizje që nga kritikët u pa si “lejekalim falas” për kriminelët. Ligji është në pritje të miratimit parlamentar edhe pse draftversionet u kritikuan nga Bashkimi Evropian, në të cilin Shqipëria është kandidate për t’iu bashkuar. Qeveria e Ramës ka thënë se ligji vlen vetëm për të ardhurat e ligjshme.

Kjo pasoi skandale të tjera. Dervishi ka thënë se indeksi i perceptimit të korrupsionit të Transparency International ka shkuar “vetëm në rënie” që nga viti 2016. “Kam mbajtur shënime sivjet të skandaleve të mëdha të lidhura me korrupsionin. Kam vënë re duzinë sosh”, ka thënë ai.

Zyrtarë të lartë të administratave të shkuara të Ramës janë implikuar në raste droge. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u burgos për shpërdorim detyre në lidhje me një rrjet trafikimi.

Mbrojtësit e Ramës kanë thënë se ish-krerët e qeverisë s’do të lejonin kurrë burgosjen e një zyrtari të vetin. Por skandali i mbikëqyrjes zemëroi qytetarët, shumë prej të cilëve besojnë se qeveria bashkëpunon me trafikantët e drogës.

Trafikantët po zgjerojnë shtrirjen e tyre. Bandat shqiptare janë zgjeruar nga plantacionet ilegale të kanabisit në trafikimin e kokainës dhe heroinës drejt Amerikës Latine dhe Azisë. Miliona euro janë derdhur në Shqipëri, duke ndihmuar në zhvillimin e pasurive të paluajtshme luksoze përgjatë bregut të Mesdheut.

“Bota e krimit po forcohet në një nivel të ri”, ka thënë ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, pjesëtar i Partisë Demokratike në opozitë. Ai ka vënë në dukje zhvillimet bregdetare dhe kullat shkëlqyese të banimit në Tiranë si destinacion për paratë e paligjshme. “Rrjetet e shpërndarjes rriten, ashtu si edhe pastrimi i parasë... kush mund t’i përballojë këto apartamente? Jo shqiptarët e zakonshëm”, ka thënë ai.

Stili i shkëlqyer i jetesës së gangsterëve në një nga shtetet më të varfra të Evropës bie në kontrast të fortë me ngecjet e shqiptarëve të zakonshëm, shumë prej të cilëve zgjedhin të emigrojnë. Rreth një e treta e shtetasve jeton jashtë, ku emigracioni në Mbretërinë e Bashkuar ka tensionuar raportet me Londrën.

Reputacioni i Ramës jashtë shtetit është njollosur gjithashtu nga kontaktet e tij me një zyrtar të zbatimit të ligjit në SHBA, i akuzuar se ka ndihmuar liderin shqiptar të persekutojë rivalët politikë.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka akuzuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal në janar me shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe përfshirje në pastrim parash nga puna e oligarkut rus, Oleg Deripaska.

Aktakuza e veçantë fokusohet në kontaktet e padeklaruara të McGonigalit me Ramën dhe deklarimet se ai ka kryer shërbime me pagesë për shqiptarët. McGonigal akuzohet se ka marrë të paktën 225 mijë dollarë nga një zyrtar i inteligjencës shqiptare dhe më pas ka kaluar informacionin nga zyra e Ramës tek autoritetet e SHBA-së. Më pas u hap një hetim për një lobues me bazë në Amerikë, që punonte për opozitën shqiptare.

Edhe Kolumne Muaji i Edi Ramës

Lideri opozitar Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër, ka thënë se futja e tij në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2021, ishte rezultat i kontakteve të dyshuara të Ramës me McGonigalin. Vendimi i SHBA-së “tetë vjet pasi u largova nga pushteti... bazohet plotësisht në fuqinë lobuese të Edi Ramës”, ka thënë ai për FT.

Rama ka mohuar se i ka përdorur kontaktet e tij me McGonigalin për këtë qëllim. Ai ka theksuar se rasti i McGonigalit nuk ka akuzë ndaj tij dhe se “është përdorur si ‘kurban’ nga shumë individë në Shqipëri, që kanë probleme të veta të vazhdueshme me sistemin e drejtësisë”.

I dërguari i SHBA-së për rajonin, Gabriel Escobar, ka thënë se Shqipëria ka mbetur “aleate solide në NATO – partnere e mirë”.

Personaliteti i afërt i Ramës i ka siguruar atij lidhje të mirë me liderë, përfshirë liberalë e konservatorë, nga lindja në perëndim. Ai ka marrë pjesë në martesën e tretë të George Sorosit, si dhe të bijës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Por zgjedhjet komunale në maj do ta testojnë dominimin e kryeministrit në politikën e Shqipërisë. Edval Zoto, analist i pavarur, ka thënë se Rama ka vuajtur “pasojat në lidhje me mbështetjen popullore dhe opinionin publik”.

Ai ka shtuar se, megjithatë, “aktualisht nuk ka ofertë tjetër politike në Shqipëri”, pasi që lideri opozitar Berisha është sanksionuar nga aleatët e rëndësishëm, SHBA-ja e Mbretëria e Bashkuar.

Partia Socialiste e Edi Ramës kontrollon çdo qytet, përpos Shkodrës në veri. Ky është qyteti ku nisi skandali i spiunazhit.

Zyrtarët kërkuan të merrnin pamjet nga këto kamera në janar, pas shpërthimit jashtë shtëpisë së një komandanti policor, që drejtonte një operacion kundër kultivuesve të kanabisit dhe rrjetit të trafikimit të drogës. Kur gangsterët lokalë refuzuan bashkëpunimin, policia nisi t’i hiqte. Më shumë se 500 kamera u larguan rreth e rreth qytetit.

Rama atë kohë u shpreh se aksioni i policisë ishte “situatë në të cilën përderisa akuzohemi se s’kemi marrë masa dhe po ashtu akuzohemi se po marrim masa”.

Image

Foto: Artan Hoxha

Artan Hoxha, gazetar hulumtues, ka thënë se ka parë “dhoma të mëdha kontrolli me shumë ekrane, në të cilat vëzhgojnë bandat e mëdha kriminale”.

“Kanë kamera nate, me aftësi për njohje fytyrash dhe targash. Vetëm Policia duhet të ketë kamera të tilla. Madje ka kamera në pyll për të monitoruar plantacionet e marihuanës”, ka thënë ai.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, nga Partia Demokratike, ka thënë se frika e kriminelëve ka shkaktuar eksod. “Rajoni ka 215 mijë banorë, rreth 6 mijë largohen në vit. Në këtë shkallë, në një dekadë e gjysmë, gjysma e rajonit do të zhduket”, ka thënë ai.

Duke fajësuar “strukturat shtetërore jofunksionale”, ai ka thënë se skandali i mbikëqyrjes me kamera “është një pikë në oqeanin e qeverisë së infektuar nga krimi”.

Edhe Kolumne Shqipëria në Ligën e Kampionëve

Petriti, menaxher i një kafeje në Shkodër, është pajtuar se “ajo që duket si korrupsion, ngjan në korrupsion dhe që tingëllon si korrupsion, është me gjasë, korrupsion... S’është çudi që njerëzit po largohen masivisht”.

Marrë nga FT, përktheu E.B