Ishte një natë e ftohtë tetori në qytetin e Fierit, në jugperëndim të Shqipërisë, kur policia ndaloi një Audi të zi A8.
Prej javësh, policët kishin qenë duke ndjekur trafikantë të dyshuar droge që përdornin atë veturë. Atë natë të tetorit të vitit 2013, inspektori i policisë Dritan Zagani urdhëroi ekipin e tij që ta sillnin automjetin në stacionin e Policisë. Por, sapo arriti atje, Zagani e kuptoi se ndjekja e dikujt për kontrabandë droge nuk do të ishte aq e thjeshtë – eprori i tij ua ndaloi policëve kontrollin e veturës.
Problemi? Vetura i përkiste, sipas raportimeve, një prej figurave më të fuqishme të vendit – atëherë ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në vend që të godisnin krimet e mundshme të drogës, prokurorët u vunë pas Zaganit: e akuzuan atë se kishte tejkaluar kompetencat e tij.
Tani, më shumë se 10 vjet më vonë, nga një vend i sigurt dhe me një identitet të ri, Zagani shpjegoi se, gjatë dekadave në forcat e policisë, ai kishte parë se si krimi i organizuar ishte ndërlidhur gjithnjë e më shumë me shtetin shqiptar. I veshur me rroba të zeza e të thjeshta, me një kapele të ulur mbi ballë, ish-polici fliste me shpejtësi.
“Asaj që i frikësohesha ka ndodhur. Vendi im është bërë një narko-shtet”, tha Zagani për “Follow the Money”, duke pirë kafenë e tij në një oborr të qetë në Zvicër, më herët gjatë këtij viti.
Për Zaganin, shumë nga depërtimi i mafies shqiptare në qeveri mund t’i faturohet kryeministrit aktual, Edi Rama.
Rama i siguroi Partisë së tij Socialiste një mandat të katërt të paprecedentë në zgjedhjet kombëtare, të cilat vëzhguesit thonë se janë përcjellë me parregullsi.
Një pjesë e fushatës së Ramës u përqendrua në paraqitjen e tij si një politikan pro-Bashkimit Evropian, që e do shtetin e së drejtës. Në pamje të parë, ai është treguar mbështetës i fortë i përpjekjeve kundër korrupsionit dhe drogës. Në shtator, qeveria madje krijoi një ministër të Inteligjencës Artificiale për ta bërë Shqipërinë “një vend ku tenderët publikë janë 100 për qind të lirë nga korrupsioni”.
Por në realitet, një hetim nga “Follow the Money” tregon se si grupet e krimit të organizuar kanë mundur të lulëzojnë gjatë dekadës së pushtetit të Ramës – me pasoja katastrofike për pjesën tjetër të Evropës.
Evropa ka parë një rritje të ndjeshme të qarkullimit të drogës nga mafia shqiptare vitet e fundit,
me autoritetet që kanë kryer një numër rekord të operacioneve të kontrabandës.
Gjatë viteve të fundit, mafia shqiptare ka zgjeruar rrjetet e saj jashtë vendit, ndërsa Rama ka bërë pak për të frenuar ndikimin e këtyre organizatave kriminale, sipas intervistave me prokurorë, oficerë policie dhe ekspertë.
Dokumente konfidenciale, të cilat janë parë nga “Follow the Money”, mbështesin këto pretendime. Kjo ka sjellë shqetësime të mëdha për Italinë, ku bandat shqiptare të drogës po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim. Ngre gjithashtu pyetje se pse Brukseli po mbështet përpjekjet e Tiranës për anëtarësim në BE, duke marrë parasysh pretendimet kundër Ramës dhe dështimin e vendit për të luftuar krimin e organizuar.
Zyra e kryeministrit hodhi poshtë akuzat për korrupsion, duke i quajtur ato “akuza politike”.
Infiltrimi i qeverisë
Ekonomia e Shqipërisë e bën vendin të prekshëm ndaj grupeve të krimit të organizuar.
“Grupet kriminale kanë depërtuar në të gjitha sferat e shtetit”, tha Zagani.
Rreth 20 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, rreth 30 për qind e të rinjve janë të papunë, paga mesatare sillet rreth 600 euro në muaj, dhe vendi ende përpiqet të zhvillojë turizmin.
Grupet e krimit të organizuar përfitojnë nga kjo situatë duke investuar shpesh para në pasuri të paluajtshme të lira për të pastruar paratë dhe duke përdorur kompani vendase si mbulesë.
Por ndikimi i mafies shqiptare ka shkuar më tej sesa thjesht kontrolli i bizneseve lokale, sipas Zaganit – ajo ka instaluar njerëz kyç në qeveri dhe në gjyqësor.
Në përplasjen e Zaganit me ministrin e brendshëm Tahiri dhe rrjetin e tij të dyshuar të trafikantëve të drogës, Rama u rreshtua në anën e Tahirit.
Vetëm në vitin 2019, dy vjet pasi “Guardia di Finanza” e Italisë e kishte përfshirë drejtpërdrejt ministrin e brendshëm në hetim, ai u dënua me burg. Tahiri u dënua vetëm për keqpërdorim detyre, ndërkohë akuzohej edhe për lidhje me një rrjet kriminal të dyshuar për trafikim droge.
Vetë Zagani u lirua nga burgu në pritje të gjyqit pas disa muajsh ndalimi në burgun e Tiranës në vitin 2015. Më pas, ai iku në Zvicër, ku iu dha azil.
Nëse Zagani do të kthehej ndonjëherë në Shqipëri, ka shumë gjasa që ai të përballej përsëri me burg: ai është dënuar me shtatë vjet heqje lirie në mungesë.
Por ky nuk është rasti i vetëm ku një bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës duket se, të paktën fillimisht, është mbrojtur nga ndjekja penale.
Në fillim të vitit 2025, një tjetër ish-ministër i Brendshëm i vendit dhe më pas ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, u gjend në telashe për akuza korrupsioni.
Gjatë kohës që ishte ministër, ai ishte gjithashtu edhe lideri politik i Partisë Socialiste për diasporën. Si i tillë, ai ishte përgjegjës për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve jashtë vendit – por bashkëpunëtorët e tij u kapën në përgjime duke premtuar rreth 60 euro për çdo votë të diasporës në Britaninë e Madhe. Me 2.5 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë, shteti i vogël ka pothuajse po aq njerëz jashtë kufijve sa brenda tyre.
Balla është i njohur mirë për forcat policore evropiane: emri i tij doli në pah gjatë një hetimi botëror për rrjetin e komunikimit “SKY ECC”. Operacioni, i udhëhequr nga disa forca policore evropiane, kishte për qëllim të marrë masa kundër telefonave të koduar satelitorë që përdoreshin nga kriminelët në mbarë botën për të komunikuar.
Pasi autoritetet arritën të kenë qasje në bisedat, ata panë se Balla ishte në kontakt me trafikantë droge, sipas një pjese të transkripteve të botuara nga media lokale “Lapsi”.
Kryeministri i Shqipërisë e ka mbrojtur Ballën dhe e ka mbajtur atë në detyrë.
Manjola Hasa, zëdhënëse e Qeverisë shqiptare, hodhi poshtë çdo akuzë se Rama kishte mbajtur qëndrim të padrejtë në favor të aleatëve të tij.
“Ky është një lëmsh fyes dhe qesharak, sepse, së pari, akuzat politike nuk janë fakte, dhe shpifjet… nuk janë arsye për të vazhduar të përlyesh njerëz të pafajshëm duke shkelur dinjitetin e tyre”, tha ajo.
Megjithatë, akuzat për korrupsion nuk kanë kaluar pa u vënë re nga popullsia: në indeksin e perceptimit të korrupsionit të “Transparency International”, shteti aktualisht renditet i 80-ti nga 180 shtete, duke e bërë njërin ndër vendet më të korruptuara në Evropë.
Mbrojtja e bashkëpunëtorëve të Ramës
Në janar të vitit të kaluar, një deputet i opozitës akuzoi vëllain e Ramës, Olsin, se kishte marrë pjesë në ndërtimin e një laboratori kokaine.
Ndërsa Rama mbrojti vëllain e tij, të dhënat nga sistemi i menaxhimit të kufijve të vendit, të cilat janë parë nga “Follow the Money”, tregojnë se Olsi Rama po drejtonte një veturë që më pas u identifikua se ishte përdorur nga një grup mafioz lokal.
Në janar të këtij viti, SPAK, enti shqiptar kundër korrupsionit, e shpalli të pafajshëm vëllain e tij, duke e pastruar nga çdo akuzë.
Në shkurt të vitit 2024, ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, u dënua në Shtetet e Bashkuara për marrjen e një ryshfeti prej 225,000 eurosh nga një bashkëpunëtor i Ramës, kryesisht për të hetuar rivalë politikë.
Një qendër droge në lulëzim në Evropë
Ndërkohë që grupet kriminale shqiptare lulëzojnë në vend, ato janë zgjeruar në të gjithë Evropën, thanë për “FTM” zyrtarë të forcave të rendit.
“Mafia shqiptare po fiton terren në mënyrë të jashtëzakonshme. Jo vetëm në aspektin e sasisë së drogës që trafikohet apo numrit të njerëzve të përfshirë – por më shumë në aftësinë e tyre për t’u organizuar”, tha një përfaqësues i njësisë hetimore të “Guardia di Finanza” kundër krimit të organizuar në Brescia dhe Romë, që ka udhëhequr disa hetime mbi rastet e trafikut të drogës shqiptare.
“Sipas asaj që po shohim, ata janë të paktën po aq të fuqishëm sa mafitë italiane”.
Në Itali, për shembull, policia ka shtuar ndjeshëm numrin e sekuestrimeve të kanabisit dhe drogave të forta që lidhen me grupet kriminale shqiptare.
Në shtator të vitit të kaluar, Operacioni Tornado në Brescia, në Italinë veriore, çoi në më shumë se 60 arrestime. Mbi 400 oficerë policie ishin përfshirë në një hetim katërvjeçar, që rezultoi në sekuestrimin e 300 kilogramëve kokaine, me vlerë mbi 60 milionë euro.
Në krye të operacionit, tha policia italiane për “Follow the Money”, ishte një grup shqiptar i krimit të organizuar.
“Të gjithë bosët ishin shqiptarë, dhe shumica e tyre qëndronin në Shqipëri”, tha një polic italian i përfshirë në operacion.
“Ata drejtonin gjithçka nga larg”.
Grupi pastronte paratë duke dërguar fatura false përmes një rrjeti kompanish – me vlerë rreth 375 milionë euro – që kalonin fillimisht në Evropën Lindore, pastaj në Kinë, për t’u rikthyer më pas në Shqipëri, tha polici.
Dhe në mars të këtij viti, policia italiane arrestoi katër shqiptarë në Bolonjë, si pjesë e një aksioni ndërkombëtar antidrogë, të dyshuar për kontrabandim kokaine, marihuane dhe hashashi me vlerë rreth 5 milionë euro, nga Holanda në Itali.
Autoritetet filluan të kuptonin përmasat reale të mafisë shqiptare në Evropë gjatë hetimeve nga rasti “Sky ECC”, në të cilën u përfshi edhe ish-ministri Balla.
“Ne zbuluam se ata ishin shumë aktivë. Ata kanë baza logjistike që shtrihen nga Shqipëria deri në Belgjikë, përmes Gjermanisë”, tha Nicolo Gratteri, prokuror italian i specializuar në luftën kundër krimit të organizuar.
Një seri gjyqesh dënoi më shumë se 1,000 persona pas këtij hetimi të gjerë që nisi në vitin 2021, gjatë të cilit u sekuestruan rreth 179 milionë euro.
Pak pas fillimit të hetimeve, anëtarët e mafisë shqiptare vendosën një shpërblim prej 1 milion eurosh për një gjyqtar hetues belg.
“Sot këto grupe kontrollojnë portet e Antwerpit dhe Roterdamit”, tha Gratteri. “Ata mund të fusin me lehtësi disa qindra kilogramë drogë në një udhëtim të vetëm”.
Në Belgjikë, të gjitha plantacionet e kanabisit janë nën kontrollin e grupeve shqiptare të krimit të organizuar. Në fund të prillit, policia belge bastisi një plantacion kanabisi, që raportohej se drejtohej nga një grup italiano-shqiptar.
Këto nuk janë raste të izoluara, dhe shenjat e dominimit shqiptar po shtohen çdo ditë e më shumë.
Në raportin e vitit 2024, Europol – agjencia e BE-së për zbatimin e ligjit – e përkufizon mafinë shqiptare si një nga pesë grupet kriminale më kërcënuese në Evropë, si për trafikun e kokainës, ashtu edhe të kanabisit.
Në të njëjtën linjë, Fatjona Mejdini, drejtoreshë e Observatorit të Evropës Juglindore pranë Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, paralajmëroi për dominimin e mafisë shqiptare.
“Ata janë një nga mafitë më kërcënuese në Evropë”, tha ajo.
SPAK-u numëroi deri në 16 grupe kriminale shqiptare që ishin aktive po atë vit.
Sipas Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit të Mbretërisë së Bashkuar (NCA), grupet shqiptare tani kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut britanik të kokainës – më të madhin në Evropë.
Ndërkohë, Spanja – një pikë hyrëse kyçe për kokainën nga Amerika Latine – ka parë një rritje dramatike të sekuestrimeve: 13 tonë të lidhura me rrjetet shqiptare u kapën në Algeciras në nëntor 2024, një rekord historik.
Në vitin 2023, autoritetet spanjolle konfiskuan gjithsej 118 tonë kokaine – nga vetëm 37 tonë pesë vjet më parë.
Gjyqësor jo i pavarur
Zagani beson se qeveria ushtronte presion mbi gjyqësorin për ta dënuar atë – dhe ai nuk është i vetmi që mendon se gjykatat nuk janë të pavarura.
Nën administratën e presidentit amerikan, Barack Obama, agjencia zhvillimore USAID shpenzoi rreth 27 milionë dollarë për të financuar një reformë që synonte ndarjen e politikës nga drejtësia.
Për këtë qëllim, në vitin 2016 u krijua një strukturë e re për të trajtuar krimet më të rënda – Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në teori, ajo duhet të ishte një entitet i pavarur.
Por ky hap pati efekt të kundërt.
Ndërsa kjo strukturë u krijua për të luftuar korrupsionin, duket se ka lejuar kryeministrin të përdorë drejtësinë si armë politike: prokurorët përzgjidhen nga një panel njerëzish të emëruar nga Parlamenti, të cilët shpesh janë miq të Ramës dhe Partisë Socialiste.
“Vendi është plotësisht i infektuar nga korrupsioni dhe drejtohet nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë”, tha ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj.
Ulur në një tarracë të vogël në një rrugicë të qetë diku në Zvicër më herët gjatë këtij viti, Ahmetaj, i cili kishte qenë në qeveri nga 2013 deri më 2022, akuzoi Ramën për largimin e njerëzve që mund të kërcënonin pozicionin e tij.
“Sot, rivalët politikë të Ramës ndiqen të gjithë nga drejtësia – madje edhe ata që ngrihen kundër tij brenda vetë partisë”, tha ish-ministri i Financave.
Ahmetaj u përjashtua nga qeveria në korrik 2022, pas një përplasjeje për pushtet me kryeministrin. Më pas, u akuzua për korrupsion, akuza që ai beson se u sajuan nga qeveria për të njollosur reputacionin e tij. Qeveria nuk ka paraqitur asnjë provë, dhe Ahmetaj mbron pafajësinë e tij.
Në mënyrë të ngjashme me Zaganin, Ahmetaj kërkoi azil në Zvicër në vitin 2023, pasi mësoi se ndaj tij ishte nxjerrë një urdhër arresti në Shqipëri. Në kërkesën e tij për azil, ai deklaroi se gjyqësori kishte frikësuar miqtë dhe familjarët e tij dhe kishte kontrolluar zyrat dhe shtëpitë e tyre.
Burime të policisë italiane mbështesin pretendimet për korrupsion dhe ankohen se besojnë se në sistemin e drejtësisë në Shqipëri ka depërtuar krimi i organizuar.
“Sa herë që kërkohet bashkëpunim, ne bëjmë verifikimet tona”, tha një zyrtar i lartë i policisë italiane, duke shpjeguar se ata nuk i besojnë gjithmonë homologëve shqiptarë për të dhënë informacione të sakta ose të plota.
SPAK-u nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Forcat policore italiane kanë qenë prezente në Shqipëri që nga vitet 1990 për të luftuar krimin ndërkombëtar, por kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi ecën mirë, tha ai.
Sipas zyrtarit italian, problemi kryesor është se pagat e ulëta të autoriteteve i bëjnë ato të ndjeshme ndaj korrupsionit.
“Kur sheh një prokuror, që supozohet të fitojë 800 euro në muaj, duke vozitur një Maserati, është e qartë se aty ka diçka që nuk shkon”, tha ai, duke refuzuar të japë më shumë detaje mbi çështjen për arsye konfidencialiteti.
Hasa, zëdhënësja e Ramës, hodhi poshtë akuzat.
“Kjo është një tjetër akuzë politike nga kundërshtarët e Edi Ramës, për të cilën nuk ka asnjë fakt”, tha ajo.
Një model fitimprurës biznesi
Një pjesë e suksesit të mafisë shqiptare shpjegohet me modelin e saj të biznesit: ata larguan ndërmjetësit dhe filluan të vendosnin operacionet e tyre në shtetet furnizuese të drogës.
Matt Shea, një regjisor dokumentarësh që ka hulumtuar gjerësisht tregtinë shqiptare të kokainës, ka intervistuar si drejtues të karteleve kolumbiane, ashtu edhe anëtarë të mafisë shqiptare.
“Kur u takova me Clan del Golfo”, tha ai për një grup paramilitar që besohet se kontrollon pjesën më të madhe të prodhimit të kokainës në Kolumbi, “ata më thanë se shqiptarët u ofronin atyre një pjesë më të madhe të fitimit. Ndryshe nga ’Ndrangheta, që paguante çmimin standard kolumbian për kilogram, shqiptarët propozonin një ndarje 50-50”.
Dhe ndërsa shqiptarët po forcojnë praninë e tyre në Amerikën Latine, më shumë drogë po kthehet në Evropë.
Sipas Europol, trafikanti i njohur Dritan Gjika dërgonte tonë të tëra kokaine në Shqipëri dhe në disa porte evropiane. Sipas medias hulumtuese ekuadoriane “Plan V”, ai përdorte kompaninë e eksportit të bananeve “Agricomtrade” për të fshehur drogën në dërgesat drejt Evropës.
Bastisje të ndryshme u zhvilluan njëkohësisht në Ekuador dhe Spanjë, duke çuar në sekuestrimin e mbi 3 tonëve droge dhe 48 milionë eurove asete financiare.
Në shkurt të vitit të kaluar, policia bastisi shtëpinë e Gjikës në qytetin jugperëndimor të Guayaquil. Që prej asaj kohe, ai është në arrati.
Por Gjika nuk është i vetmi që përdor këtë skemë.
Shkrimtari francez Stéphane Quere, autor i një libri që ndjek origjinën e krimit të organizuar shqiptar, tha se kontejnerët me banane, që vijnë shpesh nga Ekuadori – një eksportues i madh i frutit, janë vendfshehjet e preferuara të trafikantëve. Kjo sepse inspektimi i kontejnerëve të bananeve është i vështirë, pasi autoritetet e porteve rrezikojnë të paguajnë dëmet nëse bananet prishen.
Megjithatë, numrat flasin vetë, tha Quere.
“Ka më shumë se 40 kompani që importojnë banane në Shqipëri”, tha ai me ironi. “Ata duhet t’i duan shumë bananet”
Të patrazuar
Megjithëse policia dhe prokurorët paralajmërojnë për rritjen e pranisë së mafisë shqiptare, Evropa duket se po mbyll sytë ndaj ngjarjeve. Zërat kritikë ndaj Ramës janë të rrallë.
Të martën, Komisioni Evropian publikoi vlerësimin për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke deklaruar në një njoftim për shtyp se shteti ka bërë “përparim” që nga viti i kaluar – megjithëse në raportin e detajuar shtoi se “korrupsioni mbetet i përhapur në sektorët e ndjeshëm”.
Një nga mbështetëset më të forta të Ramës ka qenë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“I dashur Edi, ti dhe ekipi yt keni bërë një punë të shkëlqyer”, tha ajo gjatë një vizite në Tiranë në tetor 2024.
Me këtë, ajo iu referua planeve të reformës së shtetit për sundimin e ligjit dhe përgatitjeve për anëtarësim në BE.
“Është perfekte”, tha ajo për planet e reformës.
Një pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të von der Leyenit mund të shpjegohet nga rëndësia strategjike e Shqipërisë. Me kufirin e saj të përbashkët me Greqinë dhe një rrip të ngushtë të Detit Adriatik, ky shtet i vogël ka ofruar të ndihmojë bllokun duke strehuar refugjatë, për shembull, ose duke rihapur një nga bazat e saj ajrore për NATO-n.
Mesazhet e mbështetjes së von der Leyenit janë thelbësore në përpjekjen e Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, pasi negociatat filluan zyrtarisht në korrik të 2022-tës.
“I dashur Edi, Shqipëria është në rrugën e duhur për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ju falënderoj shumë për punën tuaj të palodhur, përkushtimin dhe miqësinë tuaj”, përfundoi von der Leyen fjalimin e saj atë tetor.
Për Ahmetajn, ish-ministrin, mbështetja e vazhdueshme e Evropës është e pakuptueshme.
“Nuk e kuptoj pse Evropa mbyll sytë për realitetin e situatës në Shqipëri”, tha ai.