Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Shqipëria në Ligën e Kampionëve

Shqipërisë i është dhënë shansi i merituar që t’i bindë vendet anëtare të BE-së se meriton të jetë “frontrunner” i ri në procesin e zgjerimit. Tani Shqipëria është në udhëkryq: a do të jetë ajo Kroacia e re dhe storie e frymëzimit, apo Maqedonia Veriore e re dhe shembull i shanseve të humbura

Këto ditë Edi Rama ishte politikani më proevropian në rajonin tonë. Me buzëqeshje, humor të mirë dhe plot lëvdata për Bashkimin Evropian, ai e vizitoi Luksemburgun me qëllim të hapjes së negociatave të anëtarësimit në kapitujt më të rëndësishëm negociatorë. Aq i entuziazmuar ishte Rama për nisjen e negociatave, saqë brenda pak orësh postoi shtatë herë në rrjetin social Facebook për këtë “moment historik”, siç e quajti. 

Ky ishte një Rama radikalisht ndryshe nga ai Rama, i cili para pak kohësh e kërcënonte BE-në me bojkotim të pjesëmarrjes në samitet evropiane. “Kidnapim”, “mashtrim”, “turp” dhe “impotente” ishin termet që zgjidhte Rama për ta përshkruar BE-në, jo shumë kohë më parë.

Por për këtë ndoshta edhe duhet ta falim Ramën. Frustrimi i Ramës ishte i arsyeshëm. Mllefi i tij ndaj BE-së ishte klithmë dëshpërimi. Prej kohësh Shqipëria i kishte përmbushur kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit dhe BE-ja në vazhdimësi gjente arsye për të mos e bërë një gjë të tillë.

Kësisoj, Shqipëria dhe Rama përjetuan në lëkurë të tyre atë që ne e kemi përjetuar me liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, pushtimi rus i Ukrainës e ktheu vëmendjen e BE-së ndaj zgjerimit dhe kësisoj Kosova përfitoi nga liberalizimi i vizave, ndërsa Shqipëria më në fund i filloi negociatat e anëtarësimit. 

Nisja e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian është akt i vonuar i BE-së, por akt plotësisht i merituar i Shqipërisë. Them i vonuar i BE-së, sepse përveçse Shqipëria kishte përmbushur qëmoti të gjitha kriteret për nisjen e negociatave, ajo njëkohësisht e ka potencialin për të qenë storie e re e suksesit në rajonin tonë, në kuadër të procesit të zgjerimit. Qysh nga koha e anëtarësimit të Kroacisë në BE në vitin 2013, rajoni ynë nuk ka pasur një storie suksesi. 

Edhe Kolumne Frika e Ramës

Shqipëria, nga ana tjetër, duke mos pasur asnjë problem të thellë politik siç janë çështje identitare, fetare apo çështje të hapura të fqinjësisë, i përmbush të gjitha parakushtet për të qenë storie e re e suksesit në rajonin tonë dhe shembull motivimi për vende të tjera të rajonit. E gjithë çfarë ajo ka nevojë është motivim dhe mbështetje nga ana e BE-së. Ky motivim në formën e nisjes së negociatave këtë javë, ndonëse akt i vonuar, është hap në drejtimin e duhur.

Nga ana tjetër, Shqipëria në më shumë se një dekadë ka treguar se ka potencial për ta transformuar veten me shpejtësi drejt të qenit një vend i denjë për anëtarësim në BE. Në kuptimin politik, proceset zgjedhore në Shqipëri, ndonëse me probleme të ndjeshme, vazhdojnë të përmbushin standardet e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Në fushën e sundimit të ligjit Shqipëria pranoi t’i nënshtrohej eksperimentit të paprecedent të “vettingut”, duke i ndërtuar nga zeroja institucionet e reja të drejtësisë. Përkundër vogëlsisë së saj, Shqipëria e ndërtoi një posturë të respektueshme ndërkombëtare. Ajo i kryesoi OSBE-në dhe Këshillin e Sigurimit, ndërsa Tirana u bë mikpritëse e rregullt e samiteve evropiane. Shqipëria e negocioi marrëveshjen e paprecedent të strehimit të azilkërkuesve me Italinë, duke e vendosur veten në epiqendër të diskutimit evropian për zgjidhjen e sfidës së migrimit. Bregdeti shqiptar u bë nikoqir i rregullt i stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-së “Defender Europe” dhe destinacion i investimeve të mëdha ndërkombëtare – nga fonde arabe e deri te dhëndri i Trumpit. 

Gjatë qeverisjes së Ramës u dyfishua buxheti i shtetit, u dyfishuan bruto produkti vendor dhe paga mesatare, ndërsa u trefishua paga minimale. Turizmi shënoi rritje eksponenciale, duke kaluar nga 1 milion turistë në vitin 2013 në 10 milionë turistë në vitin që e lamë pas.

Sidoqoftë, piktura e Shqipërisë nën qeverisjen Rama nuk është e gjitha rozë. Pluraliteti politik në Shqipëri pothuajse ka vdekur. Mazhoranca ka bërë çdo gjë për të parandaluar konsolidimin e opozitës deri në atë masë, saqë sot Shqipëria është i vetmi vend evropian ku lideri i opozitës është nën arrest shtëpiak. 

Para pak kohësh përfaqësuesi i minoriteteve në qytetin e Himarës, i cili e pengoi fitoren e mazhorancës, u arrestua dhe u dënua nën një proces thellësisht të dyshimtë. Tani së fundi, nën po të njëjtin skenar u arrestua dhe u dënua njëri nga eksponentët kryesorë të opozitës. Nuk ka raport ndërkombëtar i cili nuk e konfirmon ekzistencën e korrupsionit të nivelit të lartë brenda institucioneve publike dhe lidhjen e fortë në mes të pushtetit dhe krimit të organizuar. 

Por përkundër kësaj, duke e shikuar pikturën e madhe, sot Shqipëria është një vend më i mirë dhe më i mbarë se para dhjetë vjetësh. Këtë e pranojnë edhe armiqtë më të ashpër të Ramës. Dhe ndonëse Shqipëria është në rrugën e duhur, shpejtësia dhe cilësia e reformave janë të  pamjaftueshme. Këtë e pranon edhe vetë Rama. Dhe kjo është pikërisht përse nisja e negociatave me BE-në është lajmi i mirë. Tani Shqipëria është në “Ligën e Kampionëve”, nëse e kisha huazuar një analogji të vrazhdë. Duke qenë tani pjesë e një kampionati elitar, nga Shqipëria do të kërkohet një cilësi dhe shpejtësi krejtësisht tjetër e reformave për të dëshmuar se është e denjë për anëtarësim në BE. Shqipëria më nuk është në Ligën B.

Dhe përderisa ky momentum i nisjes së negociatave të anëtarësimit është patjetër lajm i mirë për Shqipërinë, duhet pasur parasysh se ky është vetëm fillimi i rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Dhe në këtë rrugëtim suksesi nuk është i garantuar. Në fakt, shumë lehtë dhjetë vjet nga sot do të kthejmë kokën mbrapa për të kujtuar këtë momentum të sotëm si një tragjedi dhe shans i humbur. Merreni shembull Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut ishte pionier i procesit integrues të rajonit tonë.

Edhe Shqipëria hap kapitullin e parë në negociatat e anëtarësimit në BE Arbëri Shqipëria hap kapitullin e parë në negociatat e anëtarësimit në BE

Shumë para vendeve të tjera, Maqedonia e Veriut u bë vendi i parë që e negocioi dhe e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Më 9 prill 2001, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ljubqo Georgievski, Chris Patten, komisioner i BE-së për Punë të Jashtme, dhe Anna Lindh, ministre e Jashtme e Suedisë në cilësinë e Presidencës së BE-së, pikërisht në Luksemburg e festuan - sikurse Rama sot - momentumin “historik” të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Që nga ajo kohë ky “momentum historik” u bë tragjedi dhe shembulli i shanseve të humbura në proces të zgjerimit. Dhe Maqedonia e Veriut nuk është përjashtim. Shikojeni Gjeorgjinë. 

Por siç nuk është i garantuar suksesi, nuk është i garantuar as dështimi. Shqipërisë i është dhënë shansi i merituar që t’i bindë vendet anëtare të BE-së se meriton të jetë “frontrunner” i ri në procesin e zgjerimit. Tani Shqipëria është në udhëkryq: a do të jetë ajo Kroacia e re dhe storie e frymëzimit, apo Maqedonia Veriore e re dhe shembull i shanseve të humbura.