Arbëri

Figurat e larta të UÇK-së të shënjestruara në raportin e Martyt

Janë pesë personalitete kryesore të UÇK-së që senatori Dick Marty i kishte shënjestruar në raportin e tij, nëpërmjet të cilit i adresohet UÇK-së përgjegjësia për shumë krime të luftës. Hashim Thaçin e kishte identifikuar si kumbar të “Grupit të Drenicës”, të cilit ia adresonte përgjegjësinë për këto krime, e si anëtarë të grupit kishte përmendur edhe Xhavit Halitin, Kadri Veselin, Azem Sylën e Fatmir Limajn. Trafikim i organeve të viktimave me qëllim transplantimi, është akuza më e llahtarshme e listuar në këtë dokument, mbi bazën e të cilit është krijuar Gjykata Speciale.

Raporti i senatorit, Dick Marty, pretendimet e shprehura në të cilin ka mandat t’i zbardhë Gjykata Speciale, kishte vënë në thumb pesë personalitete të larta të UÇK-së, më kryesori nga të cilët është Hashim Thaçi. Të tjerë që ua ka faturuar përgjegjësinë për krime lufte janë edhe Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla e Fatmir Limaj.

Thaçi, i cili të enjten ka dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Shtetit, pasi ka thënë t’i jetë konfirmuar aktakuza, është përmendur në raport plot 27 herë dhe është identifikuar si kumbara i “Grupit të Drenicës”, të cilin e bën përgjegjës për krime lufte.

“Burimet e drejtpërdrejta që disponojmë tregojnë në mënyrë të besueshme se Haliti, Veseli, Syla e Limaj, si dhe Thaçi e anëtarët e tjerë të rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, do të kenë urdhëruar, e ndonjëherë do të kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar në vitet 1998-2000”, thuhet në pikën 72 të raportit.

Kadri Veseli, i cili po të enjten ka treguar se i është ngritur aktakuza, është përmendur shtatë herë në raportin e senatorit Marty.

Në anën tjetër, Fatmir Limaj gjashtë herë, Xhavit Haliti katër herë e Azem Syla dy herë. Përderisa Syla është intervistuar nga Specialja në cilësinë e të dyshuarit, Limaj e Haliti nuk kanë pranuar kurrë të tregojnë nëse janë përballur me hetuesinë në Hagë ose jo.

Në fusnotat e raportit, në dy raste është përmendur edhe mbiemri Haradinaj, por nuk precizohet aty nëse fjala ishte për Ramush Haradinajn. Në të dyja rastet, për referencë citohen dokumente sekrete gjermane, në njërin nga të cilët theksohet se “Thaçi konsiderohet në qarqet e sigurimit si shumë më i rrezikshëm nga Haradinaj”, e tjetri Thaçin e Haradinajn i cilëson si personalitete kyçe të kriminalitetit të organizuar në Kosovë.

Haradinaj vitin e shkuar pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, me t’u ftuar për t’u intervistuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarit.

Në qershor, ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka treguar se qysh në muajin prill ua ka paraqitur Dhomave të Specializuara një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Thaçi, Veseli “dhe të tjerë” akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Akuza më e rëndë që e kishte listuar Dick Marty në raport, është ajo për trafikim organesh të të vrarëve.

“Dëshmitë mbi të cilat mbështeten konkluzionet tona përmendin në mënyrë të besueshme e koherente metodologjinë e ndjekur për vrasjen e të gjithë robërve, përgjithësisht me plumb në kokë, para se të operoheshin për t’u marrë një a më shumë organe. Mësuam se bëhej fjalë kryesisht për tregti ‘veshkash të marra nga kufoma’, domethënë për marrje veshkash pas vdekjes, dhe jo për një seri procedurash kirurgjikale të sofistikuara që do të kërkonin kushte klinike të kontrolluara dhe, për shembull, përdorim intensiv anestezikësh”, thuhet në pikën 162.

Në kontekstin e pjesëmarrjes në këto krime të pretenduara është përmendur emri i Shaip Mujës. E në disa raste, janë përmendur edhe Sabit Geci, Riza Alija, Xhemshit Krasniqi e Xheladin Gashi.

Hulumtimi që i ka paraprirë Raportit Marty, ishte nisur pas njoftimeve të botuara në librin e ish Kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavi, Carla del Ponte, me titull: “Gjuetia – Unë dhe kriminelët e luftës”. Në të pretendohet të jetë bërë trafikim organesh njerëzore, të cilat sipas librit, u ishin marrë robërve serbë. Përgjegjës për një krim të këtillë ishte identifikuar UÇK-ja.

E, sipas Martyt, gjithçka të lë të besosh se individët që i ka përmendur në raport do të duhej të ishin dënuar për krime të rënda dhe do të duhej të vuanin ndëshkime afatgjata burgimi nëse mosndëshkimi i tyre nuk do të qe siguruar nga dy faktorë tronditës.

“Në radhë të parë, me sa duket, ata kanë arritur të eliminojnë apo të detyrojnë me heshtje nëpërmjet frikësimit pjesën më të madhe të dëshmitarëve të mundshëm apo të vërtetuar (si armiqtë e tyre, ashtu dhe aleatët e vjetër), duke përdorur dhunime, kërcënime, shantazhe dhe allishverishe; së dyti, ka pasur një mungesë vullneti politik nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të goditur seriozisht ish-drejtuesit e UÇK-së. Kjo me sa duket e ka lejuar Thaçin – e rrjedhimisht edhe anëtarët e tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ – të përfitojë nga pozita e tyre dhe të grumbullojë pasuri personale pa lidhje me veprimtaritë e tyre të deklaruara”, thuhet në pikën e 69-të në raportin e Martyt.

Raporti i senatorit Marty ka marrë vulën e Këshillit të Evropës më 2011, pas të cilit zhvillim ishte shtruar presioni ndërkombëtar për ngritjen e një mekanizmi që do t’i hetonte pretendimet e shprehura në të. Disa kohë më vonë, Kosova dha zotimin nëpërmjet një letërkëmbimi me Brukselin se do ta themelojë këtë mekanizëm dhe pesë vite më parë i bëri edhe ndryshimet kushtetuese e ligjore, mbi bazën e të cilave është ngritur Gjykata Speciale.