Avokati Faton Fetahu e ka vlerësuar shkundje për administratën në Kosovë vendimin e Gjykatës Supreme për shpalljen të paligjshëm të ndryshimit të rregullores së Autoritetit të Aviacionit Civil. Sipas tij, në këtë vendim është vendosur standardi që çdo vendim i marrë nga ushtruesit e detyrës në poste të ndryshme pas kalimit të afatit njëvjeçar në këtë post, është i paligjshëm.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Fetahu ka thënë se ky vendim hap rrugë për riorganizim të procesit të emërimeve dhe revokim të qindra vendimeve.
“Ky konflikt administrativ s’ishte i zakonshëm për faktin se çështja që u vendos, si standard nga Gjykata Supreme, s’i prek vetëm interesat e zyrtarëve që kanë kryer padinë, por fakti se përmes këtij vendimi është trajtuar çështja e ushtruesve të detyrës si një situatë tërësisht e paligjshme, që ka ndodhur jo vetëm brenda institucionit, por besoj se vendimet janë thelbësore sa i përket udhëzimit juridik që përçojnë te gjykatat e shkallës më të ulët. Është hapur rruga që një vendim i tillë do të shkundë administratën. Do të riorganizohet në tërësi procesi i emërimeve dhe revokimi i vendimeve të paligjshme të niveleve të larta drejtuese, ministrave, sekretarëve me vartësit e tyre”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky vendim është marrë për shkak të ushtrimit të detyrës për tri vjet të udhëheqësit të kësaj agjencie, por vendimi kalon përtej saj.
“Nuk vlen vetëm për agjencinë, por ky vendim dhe publikimi i tij përbën shkak që të fillojnë në mënyrë ex officio zyrtarët të rishikojnë pozicionin e tyre me kërkesën e tyre apo të gjejnë zgjidhje për lirim të detyrës menjëherë... Hapet rruga për anulimin e të gjitha vendimeve të marra nga ushtrues detyre që kanë qenë më shumë se një vit”, ka thënë ai.
Më 1 korrik, KOHA ka raportuar se raportet e auditimit kanë identifikuar 79 pozita me ushtrues detyre përtej afateve ligjore në katër ministri.
-
Supremja shpall të paligjshëm ndryshimin e rregullores së Autoritetit të Aviacionit Civil
-
Supremja shfuqizon pjesë të rregullores së UP-së për avancimin e stafit akademik
-
Behrami për gjykimin në Hagë: Nëse verdikti është dënues, do të ndikojë në stabilitetin në Kosovë
-
Tahiri: Qeveria në detyrë po tejkalon kompetencat, emërimet e reja janë të paligjshme
-
Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit për herë të dytë jashtëligjshëm bëjnë transferim zyrtarësh