Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit kanë numrin më të madh të zyrtarëve që mbajnë pozita me ushtrues detyre përtej afateve ligjore. Raportet e auditimit nga ZKS-ja kanë identifikuar 79 pozita që mbahen me u.d. Edhe në Zyrën e Presidentes janë evidentuar 15 pozita të tilla. Në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre bëhet për t’i kontrolluar me lehtë zyrtarët publikë
Plot 79 pozita mbulohen me ushtrues detyre përtej afateve të përcaktuara ligjore në 4 ministri, thuhet në raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare vjetore të këtyre dikastereve për vitin 2024.
Nga 15 ministri sa janë në total, sipas ZKA-së, Ministria e Kulturës rezulton se ka 49 zyrtarë të punësuar si ushtrues detyre e që i kanë tejkaluar afatet ligjore, e ajo Arsimit 25 të tillë.
ZKA-ja ka gjetur pozita me ushtrues detyre që kanë tejkaluar afatet ligjore edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe të Industrisë e Ndërmarrësisë me tre dhe dy pozita.
Në Qeverinë në detyrë i kanë arsyetuar këto veprime me ndryshimet në Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“Ligji i plotësuar dhe i ndryshuar për pozitat të cilat janë të hapura, por për arsye objektive nuk janë plotësuar ende, parasheh që ushtruesi i detyrës të mbetet në atë pozitë deri në zgjedhjen e personit të ri sipas konkursit apo në përgjithësi jo më gjatë se 2 vjet”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka theksuar se një gjë e tillë bëhet për disa arsye, për çka ndikon edhe në produktivitetin e punonjësve.
“Mënyra më e mirë për t’i kontrolluar zyrtarët publikë, ministrat apo pozitat e larta për t’i dërguar përpara interesat partiake apo personale, është përmes ushtruesve të detyrës, e zakonisht i cakton personat e afërt me ministrin apo pozitën e lartë”, është shprehur Miftaraj.
Sipas tij, edhe në qeveritë e kaluara kanë ekzistuar raste kur pozitat janë mbuluar me ushtrues detyre, mirëpo numri i tyre ka qenë dukshëm më i ulët.
“Pas vitit 2020-2021 ka filluar të bëhet më fenomen, nuk është diçka që ndodh rrallë, por tashmë është bërë parim. Nga përjashtimi që është në bazë të ligjit është standard që pothuajse shumica e pozitave me u.d. tashmë të jenë në të gjitha institucionet”, ka thënë ai.
Pozita me ushtrues detyre që kanë tejkaluar afatet kohore në raport të auditimit janë evidentuar edhe në Zyrën e Presidentit, gjithsej 15.
KOHA ka nisur pyetje në ministritë në të cilat ZKA-ja ka gjetur pozita me ushtrues detyre me afate të tejkaluara e edhe në Zyrën e Presidentes, por nuk ka pranuar përgjigje.
Mbajtja e shumë pozitave të larta me ushtrues detyre është përmendur si problematikë edhe në Raportin e Komisionit Evropian, i publikuar në shtator të vitit 2024.
Sipas Ligjit për zyrtarët publikë, një zyrtar nuk mund të caktohet si ushtrues i detyrës në një pozitë më gjatë se 12 muaj.