Arbëri

Supremja shpall të paligjshëm ndryshimin e rregullores së Autoritetit të Aviacionit Civil

Autoriteti i Aviacionit Civil

Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshëm ndryshimin e rregullores së Autoritetit të Aviacionit Civil, me të cilin parashihej organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës. Vendimi u bë publik nga avokati Faton Fetahu, që ka thënë se rregullorja ishte miratuar pa bazë ligjore.

“Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka shpallur të paligjshme Rregulloren Nr. 01/2025 të Autoritetit të Aviacionit Civil – një nga aktet më të rëndësishme të këtij institucioni, që ndikon drejtpërdrejt në funksionimin dhe sigurinë kombëtare të vendit. Kjo rregullore ishte miratuar pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me parimet themelore të rendit juridik. Në emër të një grupi punonjësish të këtij institucioni, kemi paraqitur padi për kontrollin gjyqësor të këtij akti nënligjor, dhe sot kemi marrë konfirmimin më të lartë: Gjykata Supreme ka aprovuar në tërësi pretendimet tona dhe ka anuluar rregulloren”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Fetahut, zbatimi i kësaj rregulloreje do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për paditësit, por për të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni.

Ndërkaq, ai ka shtuar se me vendim u vendos edhe një tjetër standard. Sipas Fetahut, me këtë aktgjykim është konfirmuar se çdo vendim i marrë nga një ushtrues detyre pas kalimit të afatit njëvjeçar – është i paligjshëm.

“Ky standard godet një praktikë të dëmshme e të përhapur gjerësisht viteve të fundit – mbajtjen e pozitave kyçe në administratë përtej afateve ligjore, me persona të përzgjedhur politikisht e të varur nga vullneti i shefave të pushtetit. I tillë është edhe rasti i drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, si dhe dhjetëra pozita të tjera drejtuese që ushtrohen sot në kundërshtim me ligjin. Ky vendim është dëshmi e qartë se kontrolli gjyqësor i akteve nënligjore është themelor për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe për garantimin e funksionimit të drejtë të institucioneve publike. Prandaj, Gjykata Supreme, në këtë rast, ka vendosur në favor të shtetit të së drejtës”, ka përfunduar ai.