Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Edhe sivjet, nxënësit e shkollave të mesme në Luginë pa libra shqip

1 mijë e 607 nxënës shqiptarë të shkollave të mesme në Serbi, edhe këtë vit kanë nisur mësimin pa u pajisur me libra në gjuhën e tyre amtare.

Për vijuesit e shkollave fillore në Luginë të Preshevës, çështja e furnizimit me libra u pat zgjidhur më 2021. E për ata të shkollave të mesme, kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqiprim Musliu, thotë se mungesat vazhdojnë e për pasojë, nxënësit detyrohen të mbështeten te shënimet e mësimdhënësve.

“Me vite të tana në shkollat shqipe, kryesisht në ato të mesmet nuk vijohet mësimi me tekstet e gjuhës shqipe. Mësimdhënësi shpjegon, nxënësi merr shpjegime dhe kështu vijon”, ka thënë Musliu.

Shqetësim për mungesën e librave në shqip ka shprehur edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

“Shkolla nuk është sallë politike. Nuk është fushë pazari. Nuk është plaçkë elektorale. Shkolla është tempulli i dijes. Ai është vendi ku fëmijët mësojnë barazinë, drejtësinë, lirinë. Por kur librat mungojnë vetëm për nxënësit shqiptarë, atëherë arsimi shndërrohet në mjet diskriminimi”, ka thënë Mustafi.

Edhe 3.686 filloristë në Luginë nisin vitin e ri shkollor pa libra në gjuhën amtare Arbëri 3.686 filloristë në Luginë nisin vitin e ri shkollor pa libra në gjuhën amtare

E Musliu thekson se mungesa ka edhe në shkollat fillore, kryesisht të librave për lëndët mbi kulturën e identitetin kombëtar shqiptar.

“Te tekstet shkollore që janë historia dhe te gjeografia ku preket identiteti

ynë kombëtar Serbia nuk ka lejuar që të përkthehen tekstet e shkollës fillore, ku është e qartë se në ato tekste shkollore është himni kombëtar shqiptar dhe në të njëjtën kohë te gjeografia figuron që territori i Republikës së Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran. Kjo është Serbia dhe vazhdimisht pengon shqiptarët kryesisht në pakicat që jetojnë në shtetin e Serbisë”, ka deklaruar Musliu.

Enkel Rexhepi, që është kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ankohet se shteti i Serbisë nuk u përgjigjet kërkesave për zgjidhjen e problemit.

“Me një fjalë, Ministrisë së Arsimit të Serbisë i pengojnë librat shqip dhe nuk ka gatishmëri për zgjidhjen e këtij ngërçi, që më tepër është politik sesa institucional. KKSH është e gatshme të bashkëpunojë për t’i sjellë librat nga R. e Shqipërisë”, ka theksuar Rexhepi.

Marrëveshja për libra në gjuhë shqipe për shkollat fillore u pat arritur nëntorin e 2021-tës, në një takim mes ministrit të atëhershëm të Arsimit në Serbi, Branko Ruzhiq, ministres së atëhershme për të Drejtat e Njeriut, Gordana Çomiq, përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe të OSBE-së.

Edhe Mustafi: Nxënësit e shkollave të mesme në Luginë e nisën vitin pa asnjë tekst të aprovuar nga Serbia Arbëri Mustafi: Nxënësit e shkollave të mesme në Luginë e nisën vitin pa asnjë tekst të aprovuar nga Serbia

Asokohe, është arritur dakordim për bashkëpunim me Institutin për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit në Serbi, si dhe të përshpejtohen procedurat për miratimin e teksteve shkollore në shqip për shkollat fillore e ato të mesme.

Për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, mësimi organizohet në tri institucione parashkollore, në 14 shkolla fillore dhe në tri shkolla të mesme.