Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

3.686 filloristë në Luginë nisin vitin e ri shkollor pa libra në gjuhën amtare

Lugina e Preshevës

Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës ka ndarë sërish mjetet për sigurimin e librave falas për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës, por Serbia nuk po e lejon transferimin e këtyre mjeteve te Këshilli Kombëtar Shqiptar, duke e bllokuar kështu drejtpërdrejt edhe shpërndarjen e librave për fëmijët shqiptarë. Përfaqësues të komunitetit shqiptar kanë thënë se Serbia po ua mohon shqiptarëve të drejtën për arsimim

Për 3 mijë e 686 nxënës shqiptarë në Luginën e Preshevës, viti shkollor ka nisur pa libra në gjuhën shqipe.

Edhe pse fondet për sigurimin e tyre janë ndarë nga Kosova, ato vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga Serbia.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka thënë se mjetet po mbahen të bllokuara nga institucionet e Serbisë, nën përgjegjësinë politike të ministrit Demo Berisha.

“Pra, librat janë të aprovuar. Mjetet janë siguruar. Fëmijët janë në banka shkollore. Por Serbia po e ndalon fondin që do t’ua siguronte librat falas. Dhe kjo padrejtësi bëhet edhe më e rëndë kur kujtojmë se për shkollat e mesme në gjuhën shqipe, as edhe një tekst shkollor sipas plan-programeve bashkëkohore nuk është aprovuar në Serbi. Në fillore bllokohen fondet për librat e aprovuar. Në të mesme nuk aprovohen as librat. Mund t’i bllokojnë fondet për KKSh-në. Por nuk mund ta bëjnë normale që 3.686 fëmijë shqiptarë të mbeten pa libra, vetëm pse mësojnë shqip”, ka thënë Rexhepi.

Shqetësim për mungesën e librave në gjuhën shqipe ka shprehur edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

Edhe Edhe sivjet, nxënësit e shkollave të mesme në Luginë pa libra shqip Arbëri Edhe sivjet, nxënësit e shkollave të mesme në Luginë pa libra shqip

“Për këtë çështje janë njoftuar të gjitha vendet e QUIN-tit, Këshilli i Evropës dhe OSBE dhe njëkohësisht bëhet trysni në mënyrë që të rregullohet sa i përket shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kjo vetëm se e tregon për karakterin demokratik që nuk e ka e që i mungon Republikës së Serbisë që është duke rrëshqitur në një politik që është diktatoriale që për qasje i shef shqiptarët në mënyrë armiqësore e në vazhdimësi i ka diskriminuar”, ka thënë Mustafi.

Ai po ashtu ka thënë se rreth 2 mijë nxënës shqiptarë të tri shkollave të mesme në Preshevë dhe Bujanoc mësojnë përmes diktimit dhe shpjegimeve të mësimdhënësve.

Mustafi ka thënë se nxënësit e shkollave fillore mësojnë me libra të bazuar në tekstet e Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të disa teksteve të historisë që nuk janë miratuar nga Serbia.

“Megjithatë disa tekste edhe nuk janë aprovuar siç është historia e klasës së 5-të, 6-të dhe klasës së 8-të për shkak se nuk është arritur dakordancë mbi atë se çfarë shkruhet aty dhe u është shkurtuar nxënësve shqiptarë të Luginës për të mësuar njëjtë historinë ashtu siç e mësojnë në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo që është e rëndësishme është që Abetarja në radhë të parë është aprovuar si komplet i teksteve gjithashtu tekstet e gjuhës shqipe nga klasa e parë në të 8-tën”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar, për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë siguruar 35.448 libra shkollorë në gjuhën shqipe, të shpërndarë në rreth 15 shkolla fillore.

Edhe Qeveria njofton BE-në për bllokimin e fondeve të saj dedikuar Luginës së Preshevës Arbëri Qeveria njofton BE-në për bllokimin e fondeve të saj dedikuar Luginës së Preshevës

Për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, mësimi në gjuhë amtare organizohet në tri institucione parashkollore, në 14 shkolla fillore dhe tri shkolla të mesme.

Shqiptarët në Luginë, pos arsimit, përballen edhe me shumë vështirësi të tjera.