Arbëri

Mustafi: Nxënësit e shkollave të mesme në Luginë e nisën vitin pa asnjë tekst të aprovuar nga Serbia

Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, i cili njëherësh është edhe këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është këtë vit nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në Preshevës e kanë nisur pa asnjë libër të aprovuar në gjuhën shqipe.

Mustafi ka thënë se kjo është strategji politike e Republikës së Serbisë që diskriminon shqiptarët atje, e në veçanti ka për qëllim shpopullimin e asaj pjese. 

“Edhe këtë shtator nxënësit e shkollave të mesme e fillojnë mësimin pa asnjë tekst të aprovuar nga Ministria e Arsimit e Serbisë ...  kjo për shkak se Ministria ndalon tekstet mësimore në gjuhën shqipe, nuk siguron barazi në mes të nxënësve dhe edhe më tej nxënësit shqiptar i konsideron të dorës së dytë”, është shprehur Mustafi në emisionin “Interaktiv” në KTV.

Sipas tij kështu nuk veprohet me serbët që jetojnë në Kosovë. 

“Ne asnjëherë nuk kemi dëgjuar që ka probleme me tekstet mësimore në gjuhen serbe për nxënësit serbë në Kosovë, edhe pse ndoshta mësohet me kurrikula të Serbisë”, ka theksuar Mustafi. 

Mustafi: Shqipëria ta ndjek shembullin e Kosovës, të krijoj një linjë buxhetore për Luginën

Ai ka kërkuar që edhe Shqipëria të krijojë një linjë të veçantë buxhetore për shqiptarët e Luginës.

“Do të isha shumë i lumtur që rastin e Kosovës ta ndjek edhe Shqipëria, sepse 4 milionë për Shqipërinë nuk përbejnë shumë të madhe, por është shumë e madhe për çdo shqiptarë në Luginë të Preshevës ... E para që do të duhej të bënte Shqipëria është që të krijontë një linjë buxhetore siç e ka bërë Kosova, e dyta do të duhej të hapte një konsulatë atje, dhe një mori të tjera që do t’i bashkohej logjikës së ndihmës që e bën Kosova për Luginën e Preshevës”, ka theksuar Mustafi.  

Ai ka thënë se nga Shqipëria ofron ndihmesa sporadike, por se janë shumë më të vogla sesa ndihmat që shqiptarët e Luginës marrin nga Kosova.