Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafi e vlerëson si historike vizitën e kongresistëve amerikanë në Luginë

Ragmi Mustafi

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, e ka quajtur historike vizitën e kongresistëve amerikanë në Luginën e Preshevës. 

Një delegacion amerikanë, i drejtuar nga kongresistët Keith Self e Suhas Suramanyam, ka vizituar Preshevën të martën, e më pas vazhdoi vizitën në Kosovë. Të mërkurën ata u pritën nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kongresistët amerikanë konstatuan në Preshevë probleme reale me të cilat përballen shqiptarët.

“Ishte vizitë historike. Për herë të parë kongresistë amerikanë zbarkuan në Preshevë për t’u njohur drejtpërdrejt me problemet e realitetin me të cilin përballen shqiptarët në Luginë”, ka thënë Mustafi në “60 Minuta” të KTV-së. 

Më herët këtë vit kongresmeni Self kishte qenë sponsorizues i projektligjit për vlerësimin e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, i cili kaloi në Komitetin për Punë të jashtme të Kongresit amerikan. 

Mustafi tha se po shpreson që ky ligj të kalojë drejt Dhomës së Përfaqësuesve. Të hapet diskutimi për të.

Ai është shprehur i lumtur, që kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka refuzuar t’i takojë kongresistët amerikanë. 

“Kjo nënkupton se nuk ishin të gatshëm të përballen me çështje që ngritën kongresistët në Beograd”, tha Mustafi. 

Mustafi tha se si asnjëherë më parë po diskutohet për çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë.  

“Si asnjëherë më parë besoj se po diskutohet për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë. Si asnjëherë më parë po diskutohet për nënpërfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike në Serbi. Si asnjëherë më parë po diskutohet për çështjen e diskriminimit institucional të shqiptarëve në Luginë apo edhe për mosnjohjen e diplomave të Republikës së Kosovës për qytetarët shqiptarë që kanë kryer studimet në Kosovë e jetojnë në Luginë. Besoj se gjithë kjo ka arritur në nivelin më të lartë si çështje e ngritur dhe kërkon zgjidhje imediate”, ka thënë Mustafi, që është kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. 

Mustafi ka thënë se shumë studime nga ekspertë, por edhe raporte të shumta ndërkombëtare, flasin për diskriminim e shqiptarëve në Luginë, përfshirë pasivizimin e adresave. 

“Forma e pasivizimit të adresave është quajtur edhe nga vetë Komiteti i Helsinkit në Beograd, si spastrim etnik. Pasi për këtë çështje bëhet. Qëllim ka ndryshimin e përbërjes së strukturës etnike në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, tha Mustafi. “Është komplet në kundërshtim me ligjet edhe të vetë Serbisë, e aq më tepër me konventa ndërkombëtare”.  

Po ashtu ai ka thënë se Serbia po ndërmerr një sërë masa sistematike për t’i sulmuar shqiptarët në Luginë, posaçërisht të rinjtë. Ai ka thënë se një nga kjo është edhe çështja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. 

“...Duke pasur parasysh të kaluarën e Ushtrisë së Serbisë, të kaluarën e saj gjenocidale, vrastare, shqiptarët e Luginës nuk i nënshtrohen, nuk do ta pranojnë thirrjen për të marrë pjesë në ushtri. Ata janë të gatshëm të marrin pjesë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, por jo në një ushtri si ajo e Serbisë, në akademinë e të cilës janë ish të dënuar që kanë dënime të konstatuara me burgim për krime lufte...Kjo çështje është ngritur edhe me kongresistët amerikanë e po ashtu edhe te të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, ku është kërkuar nga Serbia ta ndërpresë presionin sistematik”, tha Mustafi.