Nuk është vënë drejtësi prej 22 vjetësh, për tre fëmijët që u mbytën në Ibër të Mitrovicës, pasi, sipas versionit të të mbijetuarit të vetëm, synuan ta kalonin lumin e rrëmbyeshëm meqë u ndoqën nga të rinj serbë. Ngjarja pati nxitur valë dhune, që njihet si “trazirat e marsit”
Prej 22 vjetësh, Ziam Deliun nga fshati Çabër i Zubin-Potokut e shoqëron dhimbja për vdekjen e djalit.
Egzoni kishte 13 vjeç e gjysmë dhe së bashku me dy të rinj të tjerë humbi jetën në mënyrë tragjike në lumin Ibër, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes nga një grup të rinjsh serbë. Me ta ndodhej edhe një i ri, që arriti të mbijetonte.
Në bazë të dëshmisë së të mbijetuarit të vetëm, Deliu tregon rrethanat e krimit të kryer në veriun e banuar kryesisht me serbë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këta kanë dal për të luajtur. E kemi një pjesë tokë tonën andej edhe me i këqyrë do shota të lumi, që me i nxanë, edhe kanë dalë. Në atë moment një serb ka qenë duke korrë edhe kur i ka pa këta, i ka sha, edhe fëmijët janë frikësuar. Masanej, një grup serbësh kanë qenë pak më lart, e kanë pasë edhe qenin me vete dhe ju kanë vërsulë duke bërtitë”, ka treguar Deliu.
Ai thotë se fëmijëve nuk u kishte mbetur rrugë tjetër pos të kërkonin alternativë shpëtimi
“Këta janë konsultu mes vete, po kallxon ky i mbijetuari: Çka me bo? Me i pritë janë frikësuar se mos po i rrahin, edhe kanë thënë me ra në lumë, por kanë thënë mos po mbytën. Po, e kanë vendosë, kanë ra në lumë, kështu që ata tre janë mbytë prej dhune sepse nuk kanë pas tjetër rrugë”, thotë babai i Egzonit që nuk ka arritur ta kalojë lumin e rrëmbyeshëm.
Në përpjekje për ta kaluar Ibrin i cili e ndan qytetin e Mitrovicës etnikisht, është mbytur Egzon Deliu 13 vjeç, Avni Veseli 12 vjeç dhe Florent Veseli 9 vjeç.
Deliu kujton lajmin e trishtë për të birin.
“Për neve familjarëve të fshatit Çabër domethënë mua, Qerkinit dhe Sheremetit ka qenë një ditë tragjike. E morëm lajmin se tre fëmijët na u kanë mbytë në lumin Ibër. Njëherë nuk e kemi ditë sepse njëri prej tyre ka shpëtuar edhe ai na ka tregu se çka ka ndodhë, se unë nuk kam ditë sen. Atëherë kemi shkuar për t’i kërkuar, por ka qenë lumi shumë i madh, u kanë jashtë shtratit edhe derisa e kanë ndalë, në atëkohë ka qenë UMNIKU, derisa e kanë ndalë ujin edhe atë natë është gjet fëmija im, të nesërmen është gjetur fëmija i Sheremetit, Avniu, kurse Florenti u gjet pas dy-tri jave”, ka treguar Deliu.
Edhe pas më shumë se dy dekadash, Deliu shpreh zhgënjim për mungesën e drejtësisë.
“Për neve u kanë një ditë tragjike edhe na kujtohet gjithmonë, por çka është më e keqja, jemi të zhgënjyer prej institucioneve ndërkombëtare, në atëkohë UMNIKU, që nuk kanë dashtë me ndriçu rastin, nuk kanë dashtë me i gjetë dorasit. Dorasit janë të lirë siç janë të lirë në shumë raste”, thotë ai.
E, përfaqësues institucionalë bënë homazhe te varret e tre fëmijëve që 22 vjet më parë u mbytën në Ibër.
Një ditë pas mbytjes së tre të rinjve më 16 mars 2004, shpërthyen protestat që njihen si trazirat e marsit. Ato u përhapën në shumë vende të Kosovës dhe gjatë të cilave humbën jetën 20 civilë dhe mbi 900 persona u plagosën.
Gjatë trazirave u dogjën disa shtëpi, por edhe disa kisha serbe. Njëjtë ndodhi edhe me shtëpitë shqiptare në pjesët e banuara kryesisht me serbë. Në të njëjtën kohë, u dogjën disa xhami në Serbi.