Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Të paktën një vend ku mund të vendosim lule”

“Të paktën një vend ku mund të vendosim lule”

Mihan Beqiri ka pritur 27 vjet lajmin mbi fatin e vëllait të tij, Ademit, të vrarë nga forcat ushtarake serbe, në prillin e vitit 1999. Beqiri mes mërzisë për humbjen e të afërmit dhe ngushëllimit se mund të gjejë trupin e tij, kishte mbërritur të premten, bashkë me familjarë të personave tjerë të zhdukur, në Kalludër të Zubin-Potokut, vendin ku më shumë se një muaj më parë nisën gërmimet dhe si rezultat i tyre u gjetën mbetjet mortore të 23 personave.

Për Mihan Beqirin, i cili e ka vëllain e zhdukur, ky moment nuk është i lehtë.

“Në 2003-n kam qenë, kam kontrolluar këtu, dhe më ka treguar një boshnjak. I kam treguar prokurores asaj që ka vdekur. Me zor e kam shti që të më lajmërohet. Më pas ka telefonuar një grua dhe më ka pyetur a jeni Mihan Beqiri. I thash po unë. Më tha a mund të vish, i thash menjëherë. Më asnjëherë nuk më ka thirrur. Derisa kanë ardhur Hetuesia e Prishtinës ne kemi qenë tre herë, kemi hulumtuar në të gjitha anët”, ka treguar Mihan Beqiri.

E lehtësuar, pavarësisht dhimbjes për babanë dhe dajën është shprehur Flaka Fazliu.

“Po si nuk jam, bile eshtrat, e di varrin ku e ka... Qe 27 vjet asgjë, e kanë ditë mirë, por nuk kanë punuar deri tash, tash kush i shtyu nuk e di”, ka thënë ajo.

Sadete Ujkani-Gërxhaliu, motra e vëllezërve Ujkani, ka thënë se tash familjarët kanë të paktën një vend ku mund të vendosin lule.

“Është një lehtësim, falënderojmë institucionet, falënderojmë Policinë e Kosovës, ju falënderojmë juve. Së paku e kemi një lehtësim që t’ua gjejmë varrin, që të shkojmë dhe t’i vendosim lulet. Është një mërzi e rëndë, kështu qenka shkruar për ne”, ka thënë Ujkani.

E kryetarja e shoqatës Zëri i Prindërve në Mitrovicë, Gjyla Haziri, ka thënë se e kanë parë të rëndësishme ta organizojnë një vizitë në vendin ku janë gjetur eshtrat, sepse familjarët çdo ditë kanë trokitur në dyert e organizatës, duke kërkuar të shohin së afërmi vendin e varrezës masive.

Institucionet e Kosovës i kanë nisur gërmimet në korrik të këtij viti, në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin-Potokut dhe i kanë shpallur të mbyllura më 21 gusht. Mbetjet mortore besohet se u përkasin 23 personave të zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999, e të njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës”.

E të paktën 10 mbetje kockore të gjetura nga gërmimet, janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet të bëhet pas përfundimit të të gjitha ekzaminimeve mjekoligjore.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka thënë se familjarët tashmë janë më afër së vërtetës dhe drejtësisë, por ka kërkuar durim deri në përfundimin e të gjitha procedurave.

Hoti ka thënë se procesi i identifikimit përmes ADN-së është i domosdoshëm për të konfirmuar nëse mbetjet mortore u përkasin 23 personave të zhdukur, ndërsa kritikoi Serbinë për, siç tha, mosbashkëpunim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Ende kemi punë shumë, sepse fatkeqësisht kemi punë me një shtet që ka mendësi kriminale. Nuk është që e ka pasur në vitet '90 vetëm, por e ka edhe sot. Shteti serb, ju siç e dini edhe sot, mos të shkojmë më larg se sot, po tentojnë të varrosin me nderime të larta shtetërore kryekriminelin serb që ka bërë krime në Bosnjë-Hercegovina, Mlladiq. Kjo nënkupton që ata ende sot e kanë një mendësi të tillë kriminale. Ata nuk e pranojnë as fajin, as krimet që i kanë bërë, as gjenocidin që e kanë bërë ndaj neve dhe Bosnjës e Kroacisë. Ende sot kanë të njëjtën mendësi. Prandaj ne e kemi goxha të vështirë përballjen me ta edhe në raport me fatin e personave të zhdukur. E dini që disa vjet kemi marrë pjesë në bisedime në Bruksel edhe siç shihni në vende të tjera, por informacionet që ata duhet t'i japin, të cilat i kanë, të cilat ne po vazhdojmë të ia kërkojmë përmes arkivave të tyre të klasifikuara, vazhdojnë t’i mbajnë të hekurta në sirtarët e tyre dhe jo t'i shpërndajnë apo t'i japin për të zbardhur më tutje fatin e personave të zhdukur”, ka deklaruar ai.

Prokurorja Florije Shamolli ka thënë se rastin e 23 personave të zhdukur është duke e trajtuar prej shtatë vjetësh dhe se provat e mbledhura deri tani i çojnë hetimet drejt tyre, por identifikimi nuk mund të konfirmohet pa rezultatet e ADN-së.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, ka deklaruar se zbulimi i varrezave masive është rezultat i një pune disavjeçare të institucioneve të Kosovës.

Ndërsa, shefi i Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Florim Elshani, ka thënë se hetimet për këtë rast janë intensifikuar nga viti 2024.

Valon Hyseni nga Instituti i Mjekësisë Ligjore është shprehur se pas evidentimit të tri lokacioneve, procesi tashmë ka kaluar në fazën e ekzaminimit dhe identifikimit.

“Sigurisht që përfundimi i lokacionit nuk është fundi i kësaj pune. Pra, këtu fillon puna më e madhe, e cila tash do të bëhet në laboratorin për Mjekësi Ligjore, ku ka filluar ekzaminimi i këtyre mbetjeve mortore dhe ku ka filluar edhe marrja e mostrave dhe dërgimi i tyre për analizat e ADN-së. Deri tash mund t'ju konfirmoj që kemi çuar të paktën 10 mbetje kockore, pra në laboratorin e ADN-së në Hagë dhe shpresojmë që shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para dhe tek atëherë mund të flasim se për kë bëhet fjalë”, tha Hyseni.

Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka dhënë detaje për tri lokacionet dhe numrin e mbetjeve mortore të gjetura.

“Lokacioni aktual ose vendi ku gjendemi aktualisht është lokacioni i parë i varrit masiv, meqë siç u potencua edhe nga kolegët janë edhe dy lokacione të tjera, pra dy varre masive në këtë zonë. Lokacioni i tretë i varrit masiv bie diçka 300 metra, po, distancë nga lokacioni aktual. Ndërsa lokacioni i dytë i varrit masiv bie të jetë diku rreth 1 kilometër distancë, flas gjithmonë me vijë ajrore, pra përkatësisht në fshatin Jabukë. Këtë lokacion, siç u potencua edhe nga kolegët e policisë, po edhe kolegët e komisionit po edhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe siç e kemi bërë publike edhe në komunikimin që kemi pasur me media, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të 13 personave ose të paktën minimumi 13 individëve. Po e them gjithmonë të paktën si minimumi, meqë zyrtarisht do të përcaktohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore pasi të përfundojnë të gjitha procedurat në kuptim të ekzaminimit mjekoligjor dhe në kuptim të identifikimit përmes analizave të ADN-së”, tha Gara.

Procesi i gërmimet në dy fshatrat në Zubin Potok nisi më 28 korrik 2026.

Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J. R., M. J dhe M. B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit.

Në Kosovë konsiderohen të zhdukur edhe rreth 1 mijë e 560 persona nga lufta e fundit.