Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vrasësit e fëmijëve në luftë, më së paku të ndjekur nga drejtësia

femije

Emrat e 109 fëmijëve vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës. Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, thotë se janë të pakta rastet gjyqësore ndaj kryerësve të krimeve ndaj fëmijëve, që janë zhvilluar si në procesin e Hagës apo edhe në ato të kryera në Kosovë apo në Serbi. E, në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur kanë thënë se Serbia refuzon të bashkëpunojë për zbardhjen e fatit të tyre

Në mesin e 1.133 fëmijëve të vrarë ose të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, figuron edhe emri i Bledar Gashit. Ai u vra nga forcat serbe në të njëjtën ditë që lindi, më 7 prill 1999.

Sipas dëshmive, Bledari lindi në muajin e nëntë nga plagët që nëna e tij mori gjatë granatimeve të forcave serbe dhe vdiq tri orë më vonë. Askush nuk është dënuar për këtë krim.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, ka thënë se janë të pakta rastet gjyqësore ndaj kryerësve të krimeve ndaj fëmijëve, që janë zhvilluar si në procesin e Hagës, apo edhe në ato të kryera në Kosovë apo në Serbi.

“Ne nuk jemi të kënaqur me lartësinë e dënimit edhe me numrin e të akuzuarve. Në të gjitha këto raste përgjegjësit kryesorë nuk janë dënuar. Në përgjithësi kisha me thanë se shumica dërrmuese e rasteve të krimeve të luftës ndaj fëmijëve nuk janë gjykuar”, ka thënë Blakaj.

Ai ka shprehur kritika edhe për veprime të pamjaftueshme në dokumentimin e krimeve ndaj fëmijëve.

“Shteti nuk ka bërë mjaftueshëm, nuk ka bërë as përafërsisht mjaftueshëm lidhur me dokumentimin e krimeve. Ka individë dhe organizata që kanë tentuar me paraqitë atë narracionin për krimet mbi fëmijët përmes qoftë ekspozitave apo publikimeve. Institucionet kanë asistuar në kërkesë të familjarëve, familjarët e fëmijëve viktima kanë insistuar të formohet një memorial ose shtëpia ku është kryer krimi në shtëpi muze dhe ka qenë vetëm përpjekja e familjarëve të këtyre fëmijëve që ka sjellë deri te krijimi i muzeve”, ka thënë ai.

Edhe 27 vjet pas luftës, 109 fëmijë figurojnë të zhdukur.

Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, është shprehur se këto raste mbeten ndër më sfidueset, si për shkak të rrethanave të zhdukjes, ashtu edhe për shkak të moshës së viktimave.

Sipas tij, një ndër pengesat kryesore në këtë proces vazhdon të jetë mungesa e bashkëpunimit nga Serbia.

“Jo vetëm në rastin e fëmijëve të zhdukur, por në përgjithësi në rastin e të zhdukurve me forcë sigurisht e kemi theksuar në vazhdimësi ka politizim të skajshëm prej palës serbe edhe në kuptimin e mos ofrimit të të dhënave nga arkivat e tyre, edhe në kuptimin e mosofrimit të datave për të vazhduar gërmimet në lokacionet e territorit të Serbisë”, ka theksuar Gara.

Dhjetë ditë më parë, në Prekaz të Epërm janë rivarrosur eshtrat e Sinan Dautit. Ai ishte vetëm 8 vjeç gjatë luftës, kur u plagos rëndë nga forcat serbe dhe u dërgua në Spitalin e Mitrovicës me arsyetimin për trajtim mjekësor, por nuk iu kthye më familjes.

Eshtrat e tij janë gjetur këtë muaj në një lokacion në Mitrovicë.