Brenda disa ditësh, Zyra e Prokurorit të Specializuar, në koordinim me Dhomat e Specializuara, ka konfiskuar disa telefona e ka ndërmarrë bastisje në disa lokacione. Ani se deri më tani nuk ka të arrestuar, dyshimet e para janë për një valë të re të hetimeve, por kësaj radhe për pengim në administrimin e drejtësisë
Pothuajse secilën ditë që nga e diela, Zyra e Prokurorit të Specializuar në koordinim me Dhomat e Specializuara ka kryer bastisje nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë. Të enjten, për disa orë është bastisur shtëpia e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇJ), Behar Berisha.
Bastisja ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe ka vazhduar deri pasdite. Hetuesit e Dhomave të Specializuara kanë dalë nga prona e Berishës me dokumente të shumta, porse nga ky institucion nuk kanë bërë të ditur se me çfarë rasti lidhet bastisja apo nëse ka ndonjë hetim të ri aktiv kundër Berishës.
Berisha ishte bashkëluftëtar i ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafa – “Cali”, i cili ndodhet në burgun e Hagës dhe që nga shkalla e parë është dënuar me 26 vjet burgim. Me urdhër të Speciales i është konfiskuar telefoni Arben Mustafës, vëllai i ish-komandant Mustafës, ka konfirmuar për KOHËN avokati i tij, Betim Shala. Ai ka deklaruar se klienti i tij nuk është bastisur, porse, në bazë të një urdhri të gjykatës, vetëm është dërguar në zyrat e misionit të EULEX-it, ku është dorëzuar telefoni.
Konfiskimi i telefonit të Mustafës është bërë ndërlidhur me vepra penale, që kanë të bëjnë me pengim në administrimin e drejtësisë.
Të martën telefoni i është konfiskuar edhe ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – “Remi” dhe ish-të burgosurit politik Nait Hasani, si dhe është bastisur shtëpia e familjarëve të heronjve Fahri e Bahri Fazliu.
KOHA që prej fillimit të kësaj vale të bastisjeve e konfiskimeve të telefonave ka pyetur Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara për arsyet, porse nga asnjëra instancë nuk kanë pranuar që të japin komente.
Lidhur me aksionet, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se të premten do të zhvillohet një protestë.
“Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë-Kosovë, nesër, më datë 15 shtator 2023, në orën 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar ai.
Për pengim të drejtësisë javë me parë ka pasur arrestime edhe në Shqipëri dhe kjo është konfirmuar nëpërmjet një komunikate të ZPS-së.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhajt dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni.
E me herët për vepra penale të njëjta ka qenë duke u hetuar edhe ish-zyrtari i Ministrisë së Drejtësisë, Driton Lajçi. Ai ishte ftuar në intervistë nga ZPS-ja në vitin 2019, si i dyshuar.
Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë. Tetë vjet më herët, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Specialen. Gjykata funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës e me staf ndërkombëtar.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Deri tani, ZPS-ja ka ngritur aktakuza për krime lufte në Kosovë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish-eprorëve të UÇK-së, Rexhep Selimi e Salih Mustafa, ish-krerëve të OVL UÇK-së Gucati e Haradinaj, si dhe ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.