Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Me urdhër të Speciales arrestohen Smakaj, Kilaj e Fazliu, bastiset shtëpia e Kuçit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arrestuar ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, ish-këshilltarin e ish-presidentit Thaçi për Siguri, Bashkim Smakajn, si dhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliu. E në shtëpinë e ish-zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi ka kryer bastisje. ZPS-ja ka thënë se aksioni i sotëm ka të bëjë me veprat penale të pengimit të administrimit të drejtësisë. Aksioni është kundërshtuar nga OVL-UÇK-së dhe Partia Demokratike.

Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të enjten është ndërmarrë aksion i gjerë në Kosovë, ku janë kryer arrestime e bastisje në disa shtëpi të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. 

Gjatë aksionit janë arrestuar: ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i AKI-së Bashkim Smakaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Faziu.

Kjo prokurori me seli në Hagë ka njoftuar se aksioni ka të bëjë me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. 

"Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)", thuhet në njoftimin e Speciales, i lëshuar gjatë ditës së enjte.

Fahri Fazliu, djali i Fadil Fazliut, ka thënë se babai i tij do të dërgohet në paraburgim në Hagë. 

Edhe Kilaj, Smakaj e Fazliu dërgohen në Hagë Arbëri Kilaj, Smakaj e Fazliu dërgohen në Hagë

“Ai ndodhet për momentin në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë dhe pritet të dërgohet për në Hagë”, ka theksuar Fazliu. 

E avokati i Fazliut, Skender Musa, u shpreh se sa ishte në EULEX zyrtarët e ZPS-së i thanë se nuk e kanë paraparë intervistimin e Fazliut, por dërgimin në Hagë.

“Informata të tjera nuk kemi arritur të sigurojmë”, ka thënë ai.

Lidhur me arrestimin e tij, pastaj të ish-këshilltarit të ish-presidentit, Hashim Thaçi, për siguri, Bashkim Smakaj, dhe të ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, ka njoftuar edhe udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai ka thënë se arrestimet e bëra nga ZPS-ja janë sa për të bërë spektakël. 

“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por, sipas informatave që po më vijnë, është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu”, ka thënë Klinaku.

Isni Kilaj ka pasur aktakuzë të ngrirë, mirëpo ajo është ndryshuar dhe ai llogaritet si i dyshuar. 

Edhe Kilaj, Smakaj e Fazliu janë duke u mbajtur ende në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë Arbëri Kilaj, Smakaj e Fazliu janë duke u mbajtur ende në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë

Te shtëpitë e Smakajt dhe Fazliut, ZPS-ja pati kryer bastisje edhe vitin e kaluar. 

E që nga orët e hershme të mëngjesit të së enjtes e deri në mbrëmje, hetuesit e ZPS-së kanë qëndruar edhe në shtëpinë e Hajredin Kuçit në Prishtinë, duke kërkuar prova që mund t’i ndihmojnë në hetimet e tyre lidhur me frikësimin e dëshmitarëve apo shpalosjen e informacioneve të dëshmitarëve të mbrojtur. 

Reagim kanë lëshuar edhe ish-këshilltarët e ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilët e ndërlidhën bastisjen me hakmarrje të sistemit të Dhomave të Specializuara, meqë një ditë më parë Thaçi në Gjykatën Speciale paraqiti vërejtje në pyetjen e një gjyqtari. 

Edhe PDK-ja ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me Gjykatën Speciale.

“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me veprimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

PDK-ja thekson rëndësinë e ruajtjes së standardeve më të larta të drejtësisë dhe të paanshmërisë, që janë gur themel i funksionimit të çdo institucioni gjyqësor, përfshirë Dhomat e Specializuara. Besojmë fuqimisht se drejtësia dhe paanshmëria nuk janë vetëm kërkesa, por kushte të domosdoshme për një proces të drejtë dhe të besueshëm”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Edhe Specialja arreston Isni Kilajn, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun Arbëri Specialja arreston Isni Kilajn, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun

Në komunikatën për media kjo parti, që dikur është udhëhequr nga Hashim Thaçi e më pas edhe nga Kadri Veseli, të dy të akuzuar nga Specialja, ka shkruar po ashtu se kërkesa e fundit që e ka paraqitur mbrojtja e katër të akuzuarve në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së “ka ngritur shqetësime serioze për trajtimin jo të drejtë” në këtë proces. 

Mbrojtja e të akuzuarve ditë më parë është ankuar për anshmëri të trupit gjykues.