Për gati 3 orë, shtëpia e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, është bastisur me urdhër të Gjykatës Speciale. Aksioni i udhëhequr nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është realizuar nën dyshimin për pengim të administrimit të drejtësisë. E, avokati i Selimit, Artan Qerkini, tha se klientit të tij, që nuk e ka statusin e personit të dyshuar, iu cenuan disa të drejta kushtetuese
Me urdhër të Gjykatës Speciale është bastisur të enjten shtëpia e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi.
Aksioni i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që u asistua nga Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë së Kosovës, zgjati rreth tri orë.
Artan Qerkini, avokat i Selimit, tha se bastisja u krye nën dyshimin se ka prova për pengim të administrimit të drejtësisë, porse klienti i tij nuk është i dyshuar.
“Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e Sylejman Selimit. Fillimisht vlen të theksohet se ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por, sipas urdhrit të Gjykatës, mendohet që në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, ka thënë Qerkini.
Avokati Qerkini u ankua për shkelje të të drejtave kushtetuese të Selimit. Ai paralajmëroi ankesë për urdhrin e Gjykatës.
“Ne i kemi disa vërejtje me vetë urdhrin. Mendojmë që nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore e për më shumë i cenon edhe disa të drejta kushtetuese, sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi me një urdhër të Gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, ka theksuar ai.
Qerkini tha se nuk mund të komentojë se a janë gjetur prova, apo është konfiskuar ndonjë dokument nga Prokuroria.
Sylejman Selimi për një kohë ka qenë komandant i UÇK-së në zonën operative të Drenicës e më vonë është bërë komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, detyrë të cilën e ka mbajtur deri pak kohë para çlirimit të Kosovës. Ai pas luftës ka mbajtur pozita të larta udhëheqëse edhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ndërkaq, për një periudhë ka qenë ambasador i Kosovës në Tiranë.
Selimi është i dënuar për krime lufte nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Ai ishte gjetur fajtor, pas akuzave për torturë, rrahje e trajtim mizor gjatë vitit 1998 në qendrën për paraburgim në fshatin Likoc të Skenderajt.
Gjatë vitit që shkoi janë kryer bastisje me urdhër të Gjykatës Speciale në shtëpitë e disa bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, që është në mesin e të akuzuarve për krime lufte. Po ashtu, Specialja ka arrestuar ish-deputetin Haxhi Shala e ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën akuzën për “pengim të administrimit të drejtësisë”.