Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të enjten ka bastisur shtëpinë e ish-komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, në lagjen "Qëndresa" në Veternik.
VIDEO:
Kjo u konfirmua për KOHËN nga avokati Artan Qerkini. Qerkini ka thënë se Selimi nuk e ka statusin e të dyshuarit. Sipas tij, mendohet që në shtëpinë e Selimit mund të ketë prova për pengim të drejtësisë.
“Ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por sipas urdhrit të Gjykatës, por mendohet që në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë. Ne kemi vërejtje me urdhrin, mendojmë që nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore”, ka thënë avokati i Selimit.
Nga ZPS-ja kanë thënë se "po kryejnë operacione të vazhdueshme". Sapo të ketë informata të reja, artikulli do të përditësohet.
ZPS-ja ka kryer bastisje të shpeshta në Kosovë, kryesisht me dyshimin për veprat penale që lidhen me pengim të administrimit të drejtësisë.
Ushtruesi i detyrës i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar duke thënë se edhe këto bastisje që po ndodhin sot, “janë vetëm një spektakël i radhës nga ana e tyre”, duke aluduar te Gjykata Speciale.
{gallery}