Detaje të reja janë bërë të ditura nga dosja përfundimtare e prokurorisë në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara. Prokuroria pretendon se Selimit iu gjet një fletore me emra kundërshtarësh. Në dosje përmendet edhe urdhri për mbylljen e zyrave të LDK-së në verën e vitit 1999
Detaje të padëgjuara janë bërë të ditura nga dosja përfundimtare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e rastit më të madh të Speciales.
Në dosjen e ZPS-së në rastin ku ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe ish-shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, thuhet se Selimit iu konfiskuan fletore e dokumente ku kishte lista me emra kolaboracionistësh.
“Fletoret e asaj kohe, raportet dhe dokumentet e tjera, përfshirë ato që përmbajnë lista të bashkëpunëtorëve të dyshuar, konfirmojnë më tej shpërndarjen dhe zbatimin e suksesshëm të politikës ndaj kundërshtarëve, si dhe spektrin e gjerë të individëve që ishin cak. Në të vërtetë, fletore e shënime me informacion të mbajtur gjatë asaj kohe mbi luftën speciale dhe personat e dyshimtë/bashkëpunëtorët u sekuestruan edhe në shtëpinë e Selimit”, thuhet në dosjen e ZPS-së.
Derisa Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se shumica e viktimave ishin pjesëtarë të LDK-së, ajo përmend si argument mbylljen e zyrave të kësaj partie në verën e vitit 1999 në Malishevë dhe disa vende të tjera.
Përmendet edhe urdhri që ka lëshuar Gani Krasniqi për këtë çështje.
Edhe
Mbrojtja: Nuk kishte polici të UÇK-së nën komandën e Selimit
“Gani Krasniqi nxori menjëherë një vendim ku kërkohej që të gjitha zyrat e partive politike të liroheshin dhe çelësat të dorëzoheshin – përndryshe personat përgjegjës do të duhej të jepnin ‘shpjegime’ para ushtrisë. Vendimi duhej të zbatohej nga Policia Ushtarake e UÇK-së, mandati i së cilës shtrihej si në çështjet ushtarake ashtu edhe në ato civile, dhe kishte një juridiksion që përfshinte tërë Kosovën. Masa të ngjashme – që kërkonin mbylljen e zyrave të LDK-së, ose në përgjithësi ndalimin e aktiviteteve politike – u morën edhe në zonat e tjera”, thuhet në dosje.
ZPS-ja pretendon se nga dëshmitë e Sokol Bashotës dhe Rrustem Mustafës është konfirmuar se pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kanë pasur plane për vrasje e ndalim të bashkëpunëtorëve.
“Pjesëtarë të udhëheqjes dhe të strukturës komanduese të UÇK-së e konfirmuan se Shtabi i Përgjithshëm dha urdhra për vrasje dhe ndalim të bashkëpunëtorëve. Zëvendëskomandanti, dëshmitari 04401, për shembull, e konfirmoi se – derisa nuk kishte dokumente të shkruara në disa raste kishte vendimmarrje kolektive të Shtabit të Përgjithshëm që autorizonte masa të mëtejshme ndaj bashkëpunëtorëve. Komandanti i Zonës 04746 specifikoi se SHP-ja vendosi edhe për qendra të ndalimit, që e kuptoi si pjesë e strategjisë së UÇK-së”, thuhet në dosje.
Në dosjen përfundimtare të prokurorisë thuhet se dy persona deri më tani të pagjetur, ishin dërguar para të akuzuarve Thaçi e Veseli para se të zhdukeshin.
“Në qershor 1998, dy kundështarë u arrestuan, u morën në pyetje dhe u rrahën rëndë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në Drenoc dhe u çuan drejt Shtabit Qendror te Thaçi dhe Veseli personalisht, derisa Selimi ishte prezent; ata nuk u panë më kurrë”, thuhet në dosje.
Në bazë të kësaj shkrese të prokurorisë takimet e Shtabit të Përgjithshëm u mbajtën në Berishë, Likoc, Negroc, Divjakë, Kleçkë, Lladrovc, Novosellë, Lipjan, Shtime, Mollopolc, Jezerc e Petrovë, por kishte edhe kontakte e konsultime mes të pandehurve me telefona satelitorë.
Sipas kësaj dosje, për ndalimin e bashkëpunëtorëve u fol në nivel të Shtabit të Përgjithshëm, por edhe mes udhëheqësve të zonave operative.
Edhe
Në Speciale vazhdojnë deklaratat e mbrojtjes
“Kundërshtarë, tradhtarë, apo kolaboracionistë”, sipas ZPS-së, konsideroheshin ata që nuk pajtoheshin apo nuk e mbështesnin UÇK-në.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.