Mbrojtja e Rexhep Selimit ka nisur deklaratat përmbyllëse duke paralajmëruar se do t’i trajtojë tri tema, pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik, pretendimet për disa shkrime dore të pretenduara si të Selimit dhe për disa përjashtime që mbulon ZPS në dosje.
Avokati Eric Tully ka kundërshtuar pretendimin e ZPS-së se Selimi ka pasur kontroll mbi Policinë si ministër i Rendit Publik. Ai ka theksuar se “ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.
Termin “Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” Tully e ka quajtur tezë të Prokurorisë, të cilën ka thënë se ajo e ka krijuar për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një lloj policie që drejtohej nga Selimi.
Derisa ka thënë se nuk ka pasur asnjë forcë policie të krijuar në prill 1999 dhe se nuk ka asnjë provë që vërtetojnë një pretendim të tillë të ZPS-së.
“Çështja kryesore në trajtim të ZPS-së ka të bëjë me faktin e kontrollit në qoftë se Selimi ka të bëjë më policinë si ministër i Rendit Publik. ZPS-ja nuk ka arritur që të vërtetojë argumentet e veta. Për të qenë të qartë Policia e UÇK-së është një tezë e ZPS-së e hartuar si një kosh ku ZPS-ja mund të hidhte sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore duke dhënë përshtypjen e gabuar që ekzistonte një forcë policie dhe që drejtohej nga Selimi si një ministër i Rendit Publik, pra është një përpjekje e ZPS-së për të dhënë një përshtypje të gabuar, ndërkohë që ky argument nuk qëndron. Sikurse e kemi thënë, pas qershorit UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së, ka qenë nën komandë dhe nën strukturë dhe ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë në përgjegjësinë e Selimit", tha ai.
Tully ka theksuar se Prokuroria nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e Selimit si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë dhe që ai është përgjegjësi për veprimet e personave tjerë lidhur me kryerjen e krimeve të pretenduara në aktakuzë.
Ai ka thënë se Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë pretendimet e veta, teksa ka përmendur edhe mospërputhjet në dosjen e Prokurorisë, për mënyrën se si i referohet Selimit: diku si person me kontroll operacional mbi policinë, ndërsa diku tjetër pretendon se ai kishte autoritet operacional mbi policinë, dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar persona.
"Mungesa e dokumenteve operative që mbështesin pretendimet e ZPS-së, sa i takon kontrollit së Ministrisë së Rendit Publik mbi policinë ushtarake, është domethënës lidhur me këtë. Disa dokumente të cilat janë mbledhur prej prokurorisë nuk tregojnë që Selimi ka pasë ndonjë autoritet funksional ose ka ushtruar ndonjë kontroll mbi ndonjë forcë policie. Të martën këtë javë, në transkriptë Prokuroria iu referua argumenteve në paragrafët 470,473 të dosjes tonë lidhur me kundërshtimin e mbështetshmërisë së provës 02525 që janë procesverbale të një takimi të datës 2 gusht 1999, ku Selimi ka qenë i pranishëm. Prokurori i quajti ata të rreme, ndërkohë që pavarësisht kësaj shtrembërojnë tërësisht argumentet e këtyre dokumenteve. ZPS-ja në paragrafin 151 të dosjes së vet, pretendonte që paralelisht me emërimin e Selimit në prill të 1999-tës ishte krijuar dhe një polici e ministrisë së rendit publik, kjo nuk është e vërtetë".