Arbëri

Peshorja e Hagës mes luftës çlirimtare dhe akuzave për krime

Të katër ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së janë të mbyllur qe pesë vjet dhe në të gjashtin e presin shpalljen e vendimit. Në njërën anë të peshores qëndrojnë akuzat e prokurorisë për persekutim, burgosje, torturë, vrasje, zhdukje e dhunshme, trajtim çnjerëzor, ndalim arbitrar dhe akte të tjera johumane, e në tjetrën pretendimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për luftë të drejtë dhe të pastër për liri

Kur çekiçi i Charles Smithit do të rrahë, në këmbë, duke e dëgjuar verdiktin, do të jenë katër burra. Të katërtit janë të mbyllur qe pesë vjet dhe në të gjashtin e presin shpalljen e vendimit. 

Në njërën anë të peshores qëndrojnë akuzat e prokurorisë për persekutim, burgosje, torturë, vrasje, zhdukje e dhunshme, trajtim çnjerëzor, ndalim arbitrar dhe akte të tjera johumane, e në tjetrën pretendimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për luftë të drejtë dhe të pastër për liri.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e konfirmuar më 26 tetor 2020, të katërtit i mban përgjegjës se si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. 

Ndonëse në paraburgim prej 5 nëntorit 2020, nisi vetëm më 3 prill 2023. 

Artan Qerkini është avokat i akredituar nga Dhomat e Specializuara dhe konsideron që një nga të drejtat e të akuzuarve është që të gjykohen në afat të arsyeshëm. 

Për Qerkinin, kjo e drejtë është cenuar. 

“Procedura paraprake ka qenë e stërzgjatur, i janë dashtë gjykatës dy vjet vetëm ta kalojë çështjen prej gjyqtarit të procedurës paraprake te trupi gjykues, ajo ka qenë një kohë shumë e gjatë dhe në kundërshtim me disa parime të së drejtës ndërkombëtare, sepse, sipas tyre, nëse një person gjendet në paraburgim, procedura duhet të përshpejtohet”, ka thënë ai.

Prej kur nisi gjykimi e deri në prill të këtij viti, prokuroria për t’i provuar pretendimet ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit i ka thirrur 125 dëshmitarë. Dëshmitari i 126-të, ndonëse ishte planifikuar, nuk u paraqit në gjykatë. 

Shumica prej tyre dëshmuan në seanca të mbyllura. Informacioni i vetëm që ndahej me publikun ishte kodi i dëshmitarit, një shkronjë dhe pesë numra. S’u dhanë emra, data e as vende.

Dëshmitari 04500 qe i pari i 2025-tës. Dëshminë e ka dhënë më 14 janar, është betuar në shqip dhe prokurori Cezary Michalczuk ka dhënë një përmbledhje të shkurtër, pas së cilës seanca është mbyllur.

“Në 1999 dëshmitari (W04500) u arrestua nga anëtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua në një vend ndalimi ku është marrë në pyetje dhe është rrahur. Është mbajtur i ndaluar me disa persona të tjerë dhe më pas është zhvendosur me disa prej tyre në një vend të dytë ndalimi. Dëshmitari (W04500) u lirua pas rreth një muaji në ambientet e ndalimit”, ka deklaruar Michalczuk.  

Avokati Qerkini këtë praktikë e sheh problematike, duke thënë se mungesa e transparencës e pamundëson vlerësimin e besueshmërisë së dëshmive nga opinioni publik. 

“Opinioni nuk ka pasur mundësi ta vlerësojë vërtetësinë e deklarimeve, pra të gjithë ata që kanë qenë të interesuar nuk kanë pasur mundësi ta përcjellin procesin gjyqësor, sepse i njëjti për të krijuar një tablo të qartë se çka është duke ndodhur, duhet të përcillet në vazhdimësi dhe nuk mund ta krijosh një përshtypje për një dëshmitar, për vërtetësinë e deklarimit të tij, vetëm nëse ka, do të thotë vazhdimësi mund të bëjë një gjë e tillë”, është shprehur Qerkini.

Gjykata i ka arsyetuar masat me nevojën për mbrojtjen dhe sigurinë e dëshmitarëve.

Megjithatë, gjatë vitit pati edhe dëshmitarë që dëshmuan në seanca publike, përfshirë ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i thirrur nga prokuroria. 

Ai, sikurse edhe shumë dëshmitarë të tjerë me pozita komanduese gjatë luftës, kishte statusin e të dyshuarit deri në ditën e dëshmisë. 

Qerkini ishte avokati i tij gjatë dëshmisë së dhënë në shkurt. Ai ka thënë se gjatë procesit ka kundërshtuar atë që e quan lojëra procedurale të prokurorisë, lidhur me statusin e dëshmitarëve.

“Të drejtat e dëshmitarit në procedurë dhe të drejtat e të dyshuarit në procedurë nuk janë të njëjta. Për shembull, i dyshuari nuk përgjigjet edhe nëse nuk e flet vërtetën. Dëshmitari ka përgjegjësi penale nëse nuk e flet të vërtetën. Tash një person nuk mund të jetë edhe dëshmitar, edhe i dyshuar. Prandaj insistimi ka qenë që të sqarohet pozita procedurale e atij personi në mënyrë që të vazhdohet tutje me procedurën”, ka deklaruar ai.

Selimi, Sokol Bashota, Shukri Buja, Halil Çadraku e të tjerë ish-komandantë në UÇK, pasi kanë përfunduar dëshminë në Hagë, kanë dhënë njoftimin se hetimi ndaj tyre ka pushuar.

Profili i lartë i dëshmitarëve të mbrojtjes

Më 15 prill, prokuroria ka njoftuar se ka mbyllur çështjen. 

Gjatë verës, mbrojtja e të katër të akuzuarve ka dorëzuar një parashtresë në Gjykatë, me kërkesën që të gjitha krimet e pretenduara para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 të largohen nga aktakuza, pasi në atë periudhë nuk ka ekzistuar një konflikt i armatosur dhe rrjedhimisht të akuzuarit nuk mund të ndiqen për krime lufte. 

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, më 14 korrik e ka rrëzuar këtë kërkesë duke vendosur që akuzat nuk mund të hiqen në fazë të procedurës, por duhet të shqyrtohen deri në fund të gjykimit për të parë nëse ato qëndrojnë apo jo.

Pasi është përmbyllur pushimi i verës, e pasi për dy vjet prokuroria ka shteruar të gjitha argumentet për ta vërtetuar aktakuzën, koha i erdhi mbrojtjes t’i thërrasë dëshmitarët e t’i paraqesë provat që ua heqin Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përgjegjësinë për krime lufte e krime kundër njerëzimit si ndërmarrje e përbashkët kriminale, ashtu siç pretendohet në aktakuzë. 

Organi i akuzës pretendon se që të katër, bashkë me anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës - e krijuar pas Konferencës së Rambujesë, me qëllim marrjen e kontrollit dhe pushtetit kanë kryer krime në periudhën mars 1998-shtator 1999. 

Prokuroria pandeh se katërshja ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt në disa krime, dhe gjithashtu mban përgjegjësi për krimet e tjera të kryera nga anëtarë të UÇK-së, për shkak të përgjegjësisë komanduese në Shtabin dhe Qeverinë e Përkohshme.

Por, shtatë dëshmitarët që u ftuan nga mbrojtja ishin të gjithë të huaj, përfaqësues të organizatave e institucioneve ndërkombëtare që në kohën e luftës ishin në terren e në kontakt me të akuzuarit, por edhe patën pozita të rëndësishme në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. 

Dëshmitari i parë ishte James Rubin, këshilltar i lartë i sekretares amerikane Madeline Albright dhe zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë luftës në Kosovë. Pas tij dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, pastaj John Duncan, këshilltar i Wesley Clarkut, dhe James Covey, zëvendësshef i misionit të UNMIK-ut. Christopher Hill, ish-përfaqësues special i Shteteve të Bashkuara për Kosovë gjatë luftës, ishte dëshmitari i pestë, dhe dy të fundit ishin Michael Durkee, këshilltar për çështje ndërkombëtare i Wesley Clarkut - dëshmitar i fundit i mbrojtjes, që gjatë luftës mbante pozitën e ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropë. 

Për avokatin Artan Qerkini, ky profil i dëshmitarëve tregon strategjinë e mbrojtjes që ata të ofrojnë edhe ekspertizë, për t’iu kundërvënë akuzave.

“Janë thirrur dëshmitarë me kredibilitet shumë të lartë si njerëzor, profesional, po ashtu edhe kanë qenë kredibil edhe për shkak të peshave të pozitave të tyre që ata i kanë mbajtur në kohën e luftës dhe ta zëmë është dëgjuar dëshmitar edhe zoti Wesley Clark. Ai nuk ka shërbyer vetëm si dëshmitar, po edhe si ekspert i çështjeve ushtarake, sepse një gjenerali të Forcave Ajrore të NATO-s nuk mund t'i thuash se nuk është ekspert i çështjeve ushtarake”, ka thënë Qerkini.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në Hagë, më 15 shtator, ish-zëdhënësi i DASH-it, James Rubin, ka deklaruar se nuk ka pasur kurrë informata për përfshirjen e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në krime lufte.

Dëshmitari i parë i propozuar nga mbrojtja ka thënë se nëse do të merrte informata të tilla, mbështetja amerikane për Ushtrinë Çlirimtare dhe shqiptarët do të tërhiqej.

Ai tek ka dëshmuar për rolin e Thaçit gjatë Konferencës së Rambujesë dhe gjatë procesit të çarmatosjes së UÇK-së, ka deklaruar se ai ishte fytyra e gueriles, por vendimet merreshin në grup. 

“Ai ishte një person që i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare siç ishte asokohe. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë se ai nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra diku e fshehur, ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që merrte vendime në grup dhe që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, kështu që ai duhej ta merrte lejen prej tyre”, ka thënë Rubin.

E ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, në dëshminë e tij të dhënë më 17 nëntor ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e forcë e vetorganizuar dhe përbëhej prej grupeve lokale të armatosura të shqiptarëve, krijimi i të cilave është nxitur nga rritja e represionit të Serbisë. 

“Nuk kishte shumë informacion, s’kishte shumë gjëra për të folur sa i takon komandës (së UÇK-së në verë dhe vjeshtë të 98-s v.j.). Me sa dinim ne, bëhej fjalë për grupe lokale të cilat ishin formuar pak a shumë në mënyrë spontane në përgjigje ndaj shtypjes serbe prej shumë e shumë vjetësh”, ka thënë Clark. 

Për avokatin Qerkini, dëshmia e Rubinit, Clarkut dhe dëshmitarëve të tjerë ilustron strategjinë e mbrojtjes: ajo nuk synonte të kontestonte çdo pretendim të aktakuzës, por të sfidonte veçanërisht pretendimin e prokurorisë se të akuzuarit dinin dhe duhej të dinin për krimet e pretenduara, si dhe se kishin kompetenca dhe përgjegjësi për to.

“Qëllimi i mbrojtjes ka qenë që të rrëzohen pikat e aktakuzës në lidhje me përgjegjësinë penale. Pra mbrojtja asnjëherë nuk ka pretenduar se nuk kanë ndodhur disa krime, por mbrojtja ka kundërshtuar gjithmonë përgjegjësinë penale dhe prokuroria ka pretenduar se forma e përgjegjësisë penale është ndërmarrja e përbashkët kriminale dhe përgjegjësia komanduese”, ka thënë Qerkini.

Fundi i një procesi maratonik që mund të shënojë edhe fundin e vetë Speciales

Me gjeneralin Clark mbrojtja ka përfunduar çështjen e saj. Kjo u hapi rrugë zhvillimeve të tjera procedurale, që e bën të parashikueshme edhe datën e shpalljes së aktgjykimit. 

Trupi gjykues ka caktuar datën 19 janar 2026 kur palët duhet t’i dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare, ndërsa mbrojtja e viktimave duhet ta deponojë deklaratën për ndikimin e krimeve të supozuara te 155 viktimat pjesëmarrëse në rast.

Fjala përfundimtare është caktuar të jepet nga 9 deri më 13 shkurt. 

Pas kësaj gjyqtarët mbyllin çështjen dhe kanë kohë 90 ditë ta shpallin vendimin. Nëse rrethanat e kërkojnë, ky afat mund të zgjatet edhe për 60 ditë, e që nënkupton se më së largu në gjysmën e korrikut do të kumtohet verdikti i Gjykatës.

Ky është rasti më i madh i Speciales, por edhe çështja gjyqësore më e madhe në historinë e Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë. 

Formimi i tyre u bë pas raportit të Dick Martyt për Këshillin e Evropës më 2010, i cili pretendonte për kryerjen e krimeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke përfshirë edhe akuzat për trafikim organesh. Hetimi i kryer nga prokurori amerikan Clint Williamson në vitin 2014 nuk e ka konfirmuar këtë pretendim, por ka evidentuar krime të tjera lufte.

Me rrahjen e çekiçit të Charles Smithit, dikur në gjysmën e parë të 2026-s, ai epilogun do t’ia japë edhe vetë Gjykatës. Për Qerkinin, mosngritja e aktakuzave të reja dhe pushimi i hetimeve janë tregues që me shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, Specialja e përfundon mandatin, duke i llogaritur edhe shkallët e tjera, ku palët mund ta apelojnë vendimin.   

Me mbylljen e këtij procesi maratonik, jo domosdoshmërisht do të shënohet edhe fundi i ekzistimit të Gjykatës Speciale. Sipas një përgjigjeje për KOHËN, mandati i Dhomave të Specializuara konsiderohet i përmbushur vetëm kur Këshilli i Bashkimit Evropian njofton zyrtarisht Kosovën për përfundimin e të gjitha procedurave. Kjo përfshin edhe fazën e apeleve, ku secila palë ka të drejtë të kundërshtojë verdiktin.

Por para se Specialja të përfundojë me mandatin e saj, katër burrat e akuzuar duhet të ngrihen në këmbë dhe të dëgjojnë verdiktin.

Legjenda: Shtatë dëshmitarët që u ftuan nga mbrojtja ishin të gjithë të huaj, përfaqësues të organizatave e institucioneve ndërkombëtare që në kohën e luftës ishin në terren e në kontakt me të akuzuarit, por edhe patën pozita të rëndësishme në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Dëshmitari i parë ishte James Rubin, këshilltar i lartë i sekretares amerikane Madeline Albright dhe zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë luftës në Kosovë dhe i fundit, Wesley Clarkut, që gjatë luftës mbante pozitën e ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropë