Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dyqind persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Han të Elezit

Dyqind persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Han të Elezit për shkak të simptomave që u janë shfaqur ditëve të fundit, e që dyshohet se janë shkaktuar nga uji i pijes.

Sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë, ky institucion dhe SHSKUK-ja kanë ndihmuar QKMF-në e Hanit të Elezit me furnizime e medikamente dhe materiale shpenzuese të nevojshme të kërkuara si nevoja emergjente.

“Zëvendësministri Arsim Berisha u njoftua nga autoritetet lokale shëndetësore të Hanit të Elezit se nga fillimi i ankesave të qytetarëve deri në ora 12 të ditës së sotme, ekipet mjekësore kanë vizituar 195 pacientë, kurse pas orës 12:00, 5 pacientë. Ekipet e IKSHPK-së ndërkaq, kanë marrë edhe sot mostra për analizë laboratorike të ujit pas dyshimeve për intoksikim të ujit”, thuhet në njoftim e MSH-së.

Sipas njoftimit, me qëllim të përballimit të situatës dhe ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët me ankesa, QKMF-ja e Hanit të Elezit është mbështetur nga ekipet e Kujdesit Parësor Shëndetësor nga Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Vitisë.

“Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në kuadër të MPB-së, përmes cisternave, ka siguruar ujë të pijes për banorët e zonave ku qytetarët kanë pasur probleme shëndetësore, derisa IKSHPK-ja të konfirmojë rezultatet e mostrave të marra për analizat e ujit”, thuhet në njoftim.

Edhe MSH-ja furnizon me barna QKMF-në e Hanit të Elezit Arbëri MSH-ja furnizon me barna QKMF-në e Hanit të Elezit

Ndërkohë, në Kaçanik është konfirmuar se uji ishte shkaktar për helmimin e mbi 200 personave. Analizat e ujit nga Hani i Elezit janë ende duke u testuar.