Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

(Tekst i përditësuar) - 65 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në Han të Elezit, në dy piceri. Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë Komunë, Kimete Kuka, ka thënë se janë marrë mostra nga Instituti i Shëndetësisë Publike bashkë me Inspektoratin Shëndetësor dhe se po presin për rezultate.

Sipas Kukës, rastet e para të paraqitura me simptoma të helmimit janë paraqitur të hënën në orën 16:00, deri në orët e hershme të mëngjesit të së martës. Tre prej tyre janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim.

Aktualisht në Qendër të Mjekësisë Familjare atje po trajtohen mbi 90 persona me simptoma të ngjashme por sipas Kukës këtu bëjnë pjesë edhe rastet me virozë.

“Nga ora 16:00 e datës 13.07.2026, kanë filluar të paraqiten rastet e para të dyshuara nga helmimi. Më së shumti raste kanë filluar të paraqiten nga ora 23:00 dhe kanë vazhduar deri në orën 04:00 të mëngjesit të datës 14:00. Trajtim aktualisht po marrin 65 persona. Dyshohet se 65 është numri i personave të dyshuar për helmim sepse në total janë mbi 90 persona me simptoma sikur të helmimit por që janë me virozë”, ka thënë Kuka për KOHËN.

Ndërkohë sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, për këto dy ditë janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes.

Këto informacione, Veseli thotë se janë pranuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit.

“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, nga data 13.07.2026 deri më 15.07.2026, janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes. Lidhur me këtë situatë janë njoftuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), të cilat janë duke e trajtuar rastin”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Veseli.

Në një përgjigje tjetrër, Veseli ka njoftuar se është kontaktuar prokurori i shtetit dhe me urdhër të tij është iniciuar rasti “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.

Si rrjedhojë do të intervistohen dy pronarë të dy lokaleve në qytetin e Hani-Elezit, në funksion të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.

Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. 

 

 

AUV: Rezultatet laboratorike do të përcaktojnë shkakun e rasteve të raportuara

1 muaj më parë / 15 kor 2026 18:59
AUV

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit.

Sipas njoftimit të AUV-së, inspektorët veterinarë kanë zhvilluar kontrolle emergjente në të dy lokacionet, duke inspektuar kushtet higjieno-sanitare, procedurat e vetëkontrollit të operatorëve, dokumentacionin, gjurmueshmërinë e produkteve dhe lëndëve të para, si dhe duke marrë mostra për analiza laboratorike mikrobiologjike.

Në Prishtinë janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës nga objekti i shërbimit. Mostrat janë dërguar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në përputhje me procedurat zyrtare.

AUV bëri të ditur se analizat laboratorike janë ende në proces. Pas përfundimit të tyre dhe shqyrtimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrolleve, agjencia do të publikojë raportin përfundimtar. Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren masa administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës.

Agjencia rikujtoi se përgjegjësia kryesore për sigurinë ushqimore u takon operatorëve të biznesit ushqimor, të cilët janë të obliguar të respektojnë kushtet ligjore, të vendosin në treg vetëm produkte të sigurta, të zbatojnë sistemet e vetëkontrollit, të garantojnë gjurmueshmërinë e produkteve dhe të sigurojnë etiketim të rregullt.

Po ashtu, AUV theksoi rëndësinë e respektimit të kushteve të ruajtjes së ushqimeve dhe zinxhirit të ftohjes, veçanërisht gjatë temperaturave të larta të verës, kur rritet rreziku i prishjes së produkteve ushqimore.

Agjencia u bëri thirrje edhe qytetarëve që gjatë blerjes të kontrollojnë etiketimin, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes së produkteve, si dhe t'i transportojnë e ruajnë ato sipas udhëzimeve të prodhuesit.

Sipas AUV-së, kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa çdo shkelje e kërkesave ligjore do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ballazhi: 110 raste me simptoma të gastroenteritit në Han të Elezit

1 muaj më parë / 15 kor 2026 17:52
Mehmet Ballazhi

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka bërë të ditur se është duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar pas paraqitjes së rasteve me simptoma të gastroenteritit në këtë komunë.

Sipas Ballazhit, nga 13 korriku deri më datën 15, në QKMF janë trajtuar 110 persona me simptoma të gastroenteritit, ndërsa vetëm pesë prej tyre janë referuar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë administruar rreth 300 terapi venoze për pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, duke theksuar se QKMF-ja ka terapi dhe materiale të mjaftueshme për trajtimin e rasteve.

Kryetari i Hanit të Elezit njoftoi se janë marrë mostrat përkatëse dhe janë dërguar për analiza në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ndërsa institucionet janë në pritje të rezultateve zyrtare që do të sqarojnë shkakun e paraqitjes së rasteve.

Ballazhi u bëri thirrje qytetarëve të mos u besojnë spekulimeve apo informatave të pakonfirmuara, duke theksuar se çdo informacion i ri do të publikohet nga institucionet përgjegjëse.

Ai gjithashtu apeloi që qytetarët të respektojnë rregullat bazë të higjienës, të kenë kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta dhe, në rast të shfaqjes së simptomave, të paraqiten menjëherë në QKMF për ndihmë mjekësore.