Deputetja e Kosovës, Duda Balje, në një intervistë për televizionin boshnjak “Hayat” të martën mbrëma i është referuar Kosovës në një rast si “Kosovë e Metohi”.
Balje, deputete e pushtetit, gjatë intervistës ishte duke folur për pamundësinë që të udhëtohet pa viza në Bosnjë-Hercegovinë nga Kosova.
Ajo ka treguar se si i ka dërguar letër anëtarët serb të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik.
“Unë edhe gjatë viteve të kaluara i kam shkruar letër Dodikut, që të hapin një Zyre për kontakt për lidhje në Kosovë. Ne kemi zyre të tilla me Greqinë dhe Beogradin, ndonëse nuk na njohin si shtet të pavarur. Kam dashur të bëhet një zyrë e tillë edhe me Sarajevën. I kam thënë mos e pranoni Kosovën shtet e dimë se është moment politik, e dimë se Sarajeva nuk mund ta pranojë aq lehtë Prishtinën, duke marrë parasysh të drejtën e vetos. E atje boshnjakët nuk vendosin vetë. Përgjigja që kam marrë ka qenë e çuditshme. Në përgjigje e kam kuptuar se nuk është lexuar fare ajo çfarë kam kërkuar. Është përgjigjur në TV dhe nuk më kanë kthyer fare email. Mendoj se nuk po kuptohet për çfarë bëhet fjalë. Nuk e kuptoni se serbët që gjenden në Kosovë e Metohi, ata kanë letërnjoftime serbe dhe shkojnë pa problem. Na prek vetëm ne, ne boshnjakët, pasi nuk kemi letërnjoftime serbe”, ka thënë Balje.
Balje është deputete e pushtetit, ndërsa pjesë e partisë Socialdemokratska Unija (SDU).