Arbëri

Balje thotë se ia ofruan një vend pune në këmbim të votës për Albulena Haxhiun

Duda Balje

Duda Balje

Foto: Driton Paçarada

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka pohuar se në këmbim të votës për Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, i është premtuar një vend pune si profesoreshë në Maqedoninë e Veriut.

Ajo është pyetur nga gazetarët për këtë çështje para se të niste seanca e konstitutimit, dhe përgjigja e saj ka qenë se “nuk kanë thënë direkt, por po”.

“Pata disa thirrje nga persona që nuk janë direkt të politikës, por të shoqërisë. Para disa vitesh kam aplikuar për vendin e profesoreshës në Maqedoni sepse e kam shtetësinë dhe kam plotësuar kushtet, por ka qenë para sa vitesh dhe më nuk kam aplikuar. Tash kanë thënë se ka mundësi për të biseduar për vendin e punës nëse...”, ka thënë ajo.

Balje ka shtuar se ka qenë një mike e saj, jo nga politika, që ia ka ofruar këtë pozitë. Siç ka theksuar, ajo e ka refuzuar këtë ofertë.

“Kam thënë jo, kam refuzuar sepse nuk i njoh këta persona dhe ka qenë e papranueshme mënyra si ma kanë ofruar. Dy-tri thirrje. Nuk jemi takuar, kanë qenë telefonata”, u shpreh Balje.

Lidhur me këtë është pyetur edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, e ajo ka thënë se nuk ka informacione për një gjë të tillë.