Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se zëvendësguvernatorja e përkohshme Nora Latifi – Jashari ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Sipas BQK-së kjo ka ndodhur për shkak të angazhimeve profesionale të Latifi - Jasharit.
“Në takimin e mbajtur më 29 mars 2023, të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, në bazë të Ligjit për BQK, në një nga pozitat e përkohshme ekzekutive është vendosur edhe anëtarja e Bordit, Nora Latifi - Jashari, si Zëvendësguvernatore e Përkohshme. Për shkak të angazhimeve profesionale e kontraktuale që Latifi - Jashari ka pasur jashtë BQK-së edhe para këtij vendimi, ka kërkuar që të lirojë pozitën e përkohshme në BQK nga data 15 maj 2023”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Sipas njoftimit ky veprim nuk e cenon në asnjë mënyrë vazhdimësinë e përmbushjes së objektivave të BQK-së. “Bordi Ekzekutiv mbetet funksional deri në plotësimin e pozitave të rregullta të anëtarëve të Bordit Ekzekutiv sipas Ligjit të BQK-së. Për më shumë Latifi Jashari vazhdon kryerjen e detyrave si anëtare joekzekutive e Bordit të BQK-së”, thuhet në njoftim.