Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dogana merr nën operim terminalin doganor në Pejë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka marrë nën operim të përkohshëm terminalin doganor në Pejë, pasi operatorit i ka skaduar licenca për operim.

Në njoftimin e Doganës të enjten u bë e ditur se do të evitohet pagesa që bizneset e kanë kryer në hyrje të terminalit, e cilësuar si sfidë në Raportin e Progresit.

“Pas skadimit të licencës për operim të terminalit të Pejës, Dogana e Kosovës ka dakorduar kushtet me operatorin për të marr në operim të përkohshëm këtë terminal, me qëllim të vijimit të ofrimit të pa ndërprerë të shërbimeve ndaj operatorëve ekonomik, ngjashëm si në aranzhimet në Merdar. Nga fillimi i operimit të këtij aranzhimi, do të evitohet pagesa që kanë paguar bizneset për hyrje në terminal, e cila është identifikuar si sfidë e vazhdueshme në raportin e progresit, pasi që si mënyrë nuk bazohet në praktikat evropiane”, ka njoftuar Dogana e Kosovës në Facebook.

Ky institucion ka thënë se janë identifikuar disa mundësi për zgjidhjen e përhershëm të kësaj çështjeje, me ç’rast ka bashkëpunuar me Komunën e Pejës.

Dogana është në pritje të kësaj zgjidhjeje.

Terminali doganor në Pejë menaxhohej nga “Devolli Corporation”. KOHA u ka dërguar pyetje kompanisë dhe Doganës, për informata të tjera.

Artikuj të ngjashëm